Premtimi populist i faljes së borxheve

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Nuk besoj se do të ketë ndonjëherë diku në botë, as edhe në demokracitë më të zhvilluara, fushata zgjedhore pa premtime të ekzagjeruara e të parealizueshme.
Mund t’i marrësh për mashtrim të votuesit po mund t’i marrësh edhe për ëndrra entuziaste me vullner të mirë. Kur je në opozitë nganjëherë mendon se mund të arrish gjithshka nëse ngjitesh në pushtet.
Nga ana tjetër, shpesh politikanët janë kaq të dëshpëruar për të marrë pushtetin sa që thonë çdo gjë që mendojnë se do t’u sjellë vota, pavarësisht nga pasojat. “Premtoje sot se ia gjen justifikimin nesër”.
Kjo temë më erdhi në mendje kur dëgjova premtimin e Menduh Thaçit kryetarit të PDSH-së se do të propozojë një ligj që shteti t’ua falë borxhet shqiptarëve.
Sipas Thaçit, borxhi që u ka Maqedonia shqiptarëve është shumë më i madh dhe se vrimat në buxhet nga kjo falje votash do të mbulohen duke ulur shpenzimet abuzive nga zyrtarët e shtetit. Ai nënvizoi me të drejtë se qeveritarët e kanë zhytyur Maqedoninë vetë në borxhe shumë të mëdha me institucionet ndërkombëtare.
Tani sigurisht kjo e fundit është temë e diskutueshme. Vlera absolute e borxhit ka pak rëndësi nëse shqyrtohet më vete. Borxhi i jashtëm i SHBA-së është marramendës po ekonomia amerikane është e fuqishme dhe megjithë thirrjet alarmante për ta ulur borxhin, debati është shumë më I ndërlikuar se kaq.
Problemi kryesor me propozimin e Menduh Thaçit nuk është aritmetika e tij. Sigurisht që nëse shteti dëshiron mund të zhvendosë shpenzime në buxhet për ta mbuluar humbjen nga huatë e këqia të shqiptarëve.
Nuk është as patriotik. Shqiptarët kanë qenë të diskriminuar në Maqedoni dhe në një farë mënyrë ende janë. Se si mund ta numerizosh pastaj këtë diskriminim që të flasësh se sa borxh na ka saktësisht Maqedonia është çështje tjetër. Këtu më duket fantazia e lirë ka fituar mbi ndonjë llogaritje të mirëinformuar.
Problemi kryesor nuk është madje as moral, si mund të mendojë një palë e paanëshme në plan të parë. Sigurisht që është e debatueshme moralisht sepse një vëzhgues i paanshëm do të pyeste nëse është e drejtë që borxhi kombëtar ndaj shqiptarëve lhet duket falur borxhet personale të atyre që nuk kanë paguar dot mbrapsh huatë. Çfarë duhet të thonë për shembull shqiptarët që nuk kanë marrë hua nga shteti. Apo që e morën huanë dhe e paguan mbrapsh. A janë budallenj ata që i paguan detyrimet? A nuk u takon edhe atyre diçka nëse Maqedonia “ua kthen borxhin historik shqiptarëve”?
Mirëpo, shtyji të gjitha këto mënjanë, se problemi kryesor me premtimin është mungesa e vullnetit politik nga palët maqedonase. PDSH nuk do të ketë kurrë mjaftueshëm vota për të detyruar aprovimin e një ligji të tillë. Edhe sikur vërtet zgjedhjet të sjellin një skenar në të cilin PDSH bëhet aleati kyç pa të cilin nuk krijohet dot asnjë qeveri, ajo nuk do të mundë ta detyrojë partnerin kryesor maqedonas që ta aprovojë.
Edhe në demokraci me ndjenjë shumë më të madhe faji ndaj komuniteteve të diskriminuara, si fjala vjen në SHBA, dëmshpërblimet për kohën e skllavërisë kanë mbetur një thjesht një projekt romantik i parealizueshëm.
Në Maqedoni, ku nacionalistët maqedonas u mbajnë mëri shqiptarëve thjesht se po marrin vendet e punës që u takojnë në administratën e përbashkët të shtetit do të shpërthenin në rast të një projekt-ligji për falje huash. Asnjë institucion financiar ndërkombëtar që bashkëpunon me Maqedoninë nuk do të miratonte një akt të tillë. Borxhet nuk falen në këtë mënyrë. Sigurisht jo në baza etnike.
Ndoshta do të isha më mirëpritës ndaj këtij premtimi nëse do të vinte në formën që do të rishqyrtonte rastet, një e nga një, ku pamundësia e kthimit të huasë do të ishte rezultat i rrethanave të jashtëzakonshme që nuk vareshin nga huamarrësi. Apo kur huaja është dhënë në mënyrë abuzive, ndonëse huadhënësi e ka pasur të qartë se kërkuesi i huasë nuk ka qenë i kualifikuar për ta marrë huanë. Refuzimi i huasë bëhet shpesh edhe për ta mbrojtur kërkuesin e saj. Praktika e dhënieve të huave të pamerituara duke dëmtuar në fakt huamarrësin për t’ia marrë në fund biznesin apo shtëpinë e lënë peng njihet edhe në SHBA dhe përndiqet nga ligji.
Mirëpo, nuk kam parë detaje të tilla në premtimin e bujshëm të Menduh Thaçit dhe PDSH-së. Kjo “bujari” e pakujdesshme mund të interpretohet si mungesë përgjegjësie apo të maskojë naivitet nga ana premtuesve.
Nuk mund të gjykoj se cila është alternativa më e mirë për shqiptarët në Maqedoni. Por mund të gjykoj veprime e deklarata të caktuara gjatë fushatës dhe kjo e PDSH-së më duket diçka nga e cila duhet larguar, nëse nuk modifikohet apo sqarohet më mirë në ditët e ardhshme.
Premtimet e fryra janë të pashmangshme në fushatë, por e pashmangshme duhet të jetë edhe vënie e tyre në dyshim nga vëzhguesit seriozë. Nacionalizmi i përzjerë me populizëm mund të jetë më i dëmshëm se çfarëdo alternative tjetër. Nuk duhet rënë në grackën e tij sado fort të këndojnë sirenat joshëse.
PDSH ka bërë histori në Maqedoni, që nga mesi i viteve 1990, kur u themelua nga Arbën Xhaferi. Më duket e pamundur që të mos ketë talente e ekspertë të mjaftueshëm për të formuluar më mirë premtimet e saj.
Thaçi mund të ketë kapur një temë të mirë këtu lidhur me huadhënien predatore brenda vendit apo huamarrjen e papërgjegjshme jashtë vendit. Po ai duhet të kuptojë mirë se çfarë po ofron këtu në të vërtetë dhe duhet të ketë në mend jo vetëm shqiptarin që nuk e ka paguar dot huanë, por edhe atë që e ka paguar deri në një dhe nga taksat e të cilit janë marrë paratë për huanë që do të falet.
Vetëm ashtu propozime të kësaj natyre mund të fitojnë një mbështetje të gjerë jo vetëm mbarëshqiptare por edhe ndëretnike dhe ndërkombëtare, e të sjellin vërtet çlirim për ata që kanë rënë pre e huave abuzive apo që mund ta ndihmojnë më mirë veten dhe ekonominë e vendit nëse u rishikohen kushtet e larjes së borxhit. Vetëm ashtu ky premtim do të tingëllonte jo si skema mashtruese elektorale e radhës, po si një plan i sinqertë, largpamës e i menduar mirë.

Për kë duhet të votojnë shqiptarët në Maqedoni?

  • LR-PDSH, Besa etj (64%)
  • BDI (15%)
  • PDSH (10%)
  • Një parti maqedonase (10%)

Loading ... Loading ...

Comment

*