Premtohet hekurudha e Shqipërisë me Kosovën, Maqedoninë, Greqinë, Malin e Zi

Programin për hekurudhën e mbrojti në Kuvend, ministri për Infrastrukturë dhe Energji, Damian Gjiknuri

Denion Ndrenika

Lidhja hekurudhore me Kosovën, shtetin maqedonas, Malin e Zi dhe Greqinë është në programin e qeverisë së re në Shqipëri.

Programi arsyeton se rrjeti hekurudhor rajonal ndihmon ekonomitë e Shqipërisë dhe të fqinjëve për transportin e njerëzve dhe sidomos të mallrave.

Mes qëllimeve kryesore është lehtësimi i Kosovës apo dhe fqinjit maqedonas si vende që nuk kanë dalje në det.

Programin e transportit, përfshi hekurudhën e mbrojti përpara deputetëve, ministri për Infrastrukturë dhe Energji, Damian Gjiknuri”

“Brenda muajve të parë të vemë në funksionim stacionin e përbashkët të Tuzit me Malin e Zi, provë e parë e komunikimit ndërhekurudhor, pra një doganë të vetme; lidhjen e linjës mes Shqipërisë dhe Kosovës me Maqedoninë; profizibilitetin e lidhjes hekurudhore me Greqinë”.

Pavarësisht se pranoi vështirësitë në studime, projekte, financa, zbatim dhe funksionim zoti Gjiknuri tha se lidhjet hekurudhore i shndërrojnë në pika referimi portet detarë të Shqipërisë për Ballkanin:

“Mund të kenë fizibilitet të ulët për udhëtarë, por përsa i përket kargove dhe mallrave interesi do të jetë i lartë. Dhe, Shqipëria do të veprojë si një qendër tranziti për vendet fqinjë pa dalje në det si Maqedonia dhe Kosova”.

Ministri Gjiknuri tha se financimin garantohet nga Buxheti i Shtetit dhe sipërmarrjet private.

Comment

*