Premtohet shtesë financiare për Vetingun dhe shlyerje e ish-të përndjekurve

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ka deklaruar në komisionin e Ekonomisë gjatë diskutimit për Aktin Normativ se deri në fund të këtij viti ish-të përndjekurit që janë gjallë do të marrin këstin e tetë në masën 100%.

“Deri në datën 31 dhjetor ish- të përndjekurit do të marrin këstin e tetë në masën 100% për të gjallët” tha ai. Më pas ministri u shpreh se do të ketë edhe një fond shtesë për organet e Vettingut.

Në komision gjatë diskutimit nuk kanë munguar edhe debatet mes ministrit dhe deputetëve të opozitës për fondin e Avokaturës së Shtetit në gjyqet në Arbitrazhin ndërkombëtar.

“Për çështjet e Kalivaçit dhe TV, avokati i shtetit ka nevojë për shpenzimet për t’u përfaqësuar. Avokatit duhen 127 milionë lekë për mbrojtjen e çështjeve. Përsa shkak të ndryshimit që i bëmë ligjit të pronave kemi një dakordësi me Strasburgun, kjo nuk i pengon shqiptarët të shkojnë në Strasburg, por gjykata reflekton në bazë të ligjit shqiptar.

Ka shpenzime, pagesa që janë në konsekuencë të kohës” tha ministri Ahmetaj.  Opozitës për gjyqet e shtetit me biznesmenin italian iu përgjigj edhe Braçe, i cili u shpreh se “Ai atje po kërkon mbështetje politike dhe po i jepet nga ju”.

Një tjetër pikë e debatit ishin edhe përmbytjet e fundit, ku opozita kërkoi faturën e dëmeve që janë shkaktuar, por ministri tha se ende nuk është bërë vlerësimi ndërsa në vitin e kaluar u paguan 5 mln euro.

“Në 2015 shumica e kompensimit është paguar me grant nga komisioni, ndërsa aktualisht nuk kemi një vlerësim dëmesh. Në 2015 shifra që u pagua nuk e mbaj mend fiks, por duhet të jetë rreth 5 milionë euro” deklaroi ai.

shqiptarja.com

Comment

*