Presidentët Trump dhe Putin takohen për herë të parë

Presidenti Donald Trump shprehu optimizëm se mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mund të priten gjëra pozitive. Ai i bëri komentet ndërsa ishte ulur me Presidentin rus Vladimir Putin për një takim të parë historik mes tyre në Gjermani.

I ulur pranë Presidentit rus në periferitë e një takimi ekonomik të nivelit të lartë në Hamburg të Gjermanisë, Presidenti Donald Trump tha se ishte “nder” që ndodhej me zotin Putin.

Gazetarët u lejuan të bëheshin dëshmitarë të një pjese të takimit dhe Presidenti Trump tha se ata të dy kishin patur “biseda shumë të mira”.

“Presidenti Putin dhe unë kemi diskutuar për gjëra të ndryshme dhe mendoj se po shkon shumë mirë. Kemi pasur disa biseda shumë të mira. Ne do të kemi tani një diskutim dhe natyrisht këto do të vazhdojnë, por ne presim që për Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe gjithë të interesuarit të ketë shumë gjëra mjaft pozitive. Është nder të jem me ju”, tha Presidenti Trump.

Ndërsa Presidenti Putin tha:

“Ne kemi folur në telefon disa herë me ju për çështje shumë të rëndësishme dypalëshe dhe ndërkombëtare. Por bisedat telefonike nuk janë kurrë të mjaftueshme. Ne duam të kemi zhvillime pozitiv në takimet dypalëshe dhe të jemi në gjendje të zgjidhim konfliktet më të mprehta ndërkombëtare dhe çështjet që mendojmë se do të kenë nevojë për takime personale. Jam i kënaqur që ju takoj personalisht, Zoti President, dhe shpresoj se, siç keni thënë, takimi ynë do të japë rezultate pozitive.”

As Presidenti Trump dhe as Presidenti Putin nuk dhanë hollësi të tjera rreth çështjeve që ishin diskutuar.

Në takim merrnin pjesë Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Takimi i shumëpritur është i pari mes presidentëve Trump dhe Putin. Ai zhvillohet në klimën e zemërimit që ka shkaktuar në SHBA ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet amerikane si dhe të shqetësimeve për një bashkëpunim të mundshëm të ekipit të fushatës Trump me rusët gjatë zgjedhjeve.

Shtëpia e Bardhë kishte thënë se nuk kishte një axhendë të caktuar për takimin, megjithëse zoti Tillerson kishte sqaruar se lufta në Sirisë do të ishte një temë kryesore. (VOA)

Comment

*