Presidenti e Kryeministri përgëzojnë xhudistët kosovarë

Prishtinë, 10 shkurt 2018 – Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj përgëzojnë dy xhudistët kosovarë që fituan medalje në turneun Grand Slam të xhudos në Paris.

Akil Gjakova e fitoi medaljen e artë, në kategorinë deri 73  kg, kurse Distria Krasniqi e fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 52 kg.

Thaçi e vlerësoi suksesin e këtyre dy xhudistëve si dhuratën më të mirë për Republikën e Kosovës në dhjetë vjetorin e pavarësisë.

‘Vetëm një javë para shënimit të jubileut të pavarësisë së Kosovës, Akil Gjakova, me medaljen e artë që e fitoi sot në Grand Slam-in e xhudos në Paris, njëherësh medaljen e parë të artë, shtetit tonë në arenën ndërkombëtare në kategorinë e meshkujve, dhe Distria Krasniqi, me medaljen e bronztë në po të njëjtin kampionat, ia sjellin dhuratën më të mirë republikës sonë në ditëlindjen e saj të dhjetë. Urime të përzemërta Akilit, Distrisë, trajnerit Driton Kuka dhe të gjithë dashamirëve të sportit tonë. Krenar me sportistët tanë, ambasadorët më të mirë të Kosovës’, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndërsa Haradinaj falënderon brezin e ri të kosovarëve që po e ngrisin lart flamurin e vendit, kudo në botë.

‘Shkëlqimi i artë i Akil Gjakovës dhe e bronzta për Distrian na bënë sot krenarë. Ky brez i ri i vajzave e djemve po i dhurojnë atdheut shumë dashuri në jubileun e dhjetë të Pavarësisë duke e ngritur lartë flamurin e Kosovës kudo në botë. Akil Gjakova e Distria Krasniqi urime dhe falemnderit. Urime Kosovë!’, shkruan Haradinaj në Facebook.

(r.m.)

Comment

*