Presidenti i Sudanit rrëzohet nga pushteti dhe arrestohet

Khartum, 11 prill 2019 – Presidenti i Sudanit, Omar al –Bashir, është rrëzuar nga pushteti dhe është arrestuar nga ushtria.

Njoftimin e publikoi ministri sudanez i Mbrojtjes, Awad Ibn Ouf, në një adresim për qytetarët, në yterlevizion.

Ai tha se z. Bashir “do të mbahet në një vend të sigurt”.

Ministri Awad Ibn Ouf  tha se ushtria do të jetë mbikqyrëse e rendit për një periudhë dyvjeçare tranzitore, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Ai e shpalli  gjendjen e jashtëzakonshme për një periudhë tre mujore.

“Kushtetuta e Sudanit do të pezullohet dhe pikat kufitare dhe hapësira ajrore do të mbyllen deri në njoftimin e ardhshëm”, deklaroi ministri sudanez.

Dhjetëra mijëra sudanezë dolën në rrugë për të kremtuar rrëzimin e Presidentit Bashuir, duke brohoritur :“Ai ra, ne fituam”.

Protestat kundër z. Bashir kanë filluar më 19 dhjetor të vitit të kaluar. Protestuesit e akuzonin qeverinë e al-Bashirit, pos tjerash, edhe për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve.

Omar Al-Bashir, i cili e mori pushtetin në vitin 1989, pas një grusht shteti, e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme më 22 shkurt, në përpjekje për të shtypur protestat. Dhjetra vetë e humbën jetën në pëleshjet midis protestuesve dhe policisë.

Omar Al-Bashir kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte, për krime kundër njerëzimit dhe për gjenocid, në lidhje me mizoritë e kryera në rajonin perëndimorë të Darfurit.

Por, tash për tash, mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me të, pas arrestimit të tij, transmeton BBC. (r.m.)

Comment

*