Presidenti Ilir Meta: Shqipëria ka pagat më të ulta në rajon dhe Europë

Edhe 1 Maji i këtij viti, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, e gjen Shqipërinë me nivelin më të ulët të pagës në rajon dhe në Europë sipas institucioneve financiare ndërkombëtare

Gjendja e rëndë ekonomike e përkeqësuar me situatat e vështira që po kalojmë nuk jep shpresë se diçka do ndryshojë për mirë në një të ardhme të afërt.

Të punësuarit në sektorin privat ende vijojnë të shprehin pakënaqësi të mëdha për mungesën e një kontrate të rregullt pune, mosrespektim të kushteve të punës dhe të drejtave të tyre, për paga të ulta dhe për mospagim të kontributeve shoqërore.

Vërehet një humbje e thellë e besimit për konkurrim të ndershëm dhe punësim mbi bazë të meritokracisë edhe në Administratën Publike dhe institucionet publike.

Shqetësues në kushtet aktuale të varfërisë, të përkeqësimit të shërbimeve sociale, dhe të tensioneve politike, mbetet gjithashtu edhe largimi masiv jashtë vendit i shumë punëtorëve, veçanërisht atyre të kualifikuar.

Pandemia COVID-19 dhe efektet e saj afatgjata në ekonominë e vendit, pritet t’i përkeqësojnë më tej këto fenomene negative.

Në gjendjen aktuale, të tregojmë vëmendje të veçantë dhe të shtuar që punëtorët në sektorët më të prekur, jo vetëm t’i dëgjojnë, por edhe të përfitojnë realisht nga paketat ekonomike të premtuara.

Kërkohet një bashkëpunim më i mirë në këtë situatë për të mbështetur sipërmarrësit dhe biznesin e vogël, nëpërmjet një strategjie konkrete e të prekshme, për rihapjen e ekonomisë në mënyrë të pakthyeshme.

Situata kërkon reflektim urgjent dhe masa konkrete që 1 maji të mos shënohet më si një ditë e zakonshme pushimi, por si një ditë feste për arritjet e punëtorëve.

Një falenderim në këtë ditë për mjekët dhe infermierët e të gjithë ata që janë në vijën e parë kundër COVID-19, në mbrojtjen e shëndetit të çdo qytetari. 🇦🇱

Comment

*