Presidenti ka të drejtë t’i kthejë ligjet në rishqyrtim

Muhamet Hamiti

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë disa herë kohët e fundit se do të nënshkruante patjetër ligjin (eventual) për zhbërjen e Gjykatës së Posaçme, sepse, po të mos e nënshkruante, siç thotë ai, do të bënte shkelje kushtetuese.

Kjo thjesht nuk është e vërtetë.

Me Kushtetutë, detyrë e tij është të garantojë “funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë” – pika 2 e Nenit 84. Te pika 6 e këtij Neni thuhet shprehimisht:

“[Presidenti] ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë”.

Kështu tha Presidenti Thaçi në një intervistë për “Zërin e Amerikës” sot:

“’Zëri i Amerikës’: Ju keni thënë se jeni i gatshëm të nënshkruani nëse Parlamenti i Kosovës voton kundër Gjykatës së Posaçme?

Presidenti Thaçi: Unë do të bëja shkelje kushtetuese nëse nuk do ta nënshkruaja; e kam obligim kushtetues e ligjor dhe nuk mund të mohoj apo kthej vullnetin e deputetëve.”

Pyetja shtrohet vetvetiu: a nuk e di, apo po bëhet se nuk e di, Presidenti se ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës? Madje se këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar ndonjëherë pararendësit e tij.

 

(Muhamet Hamiti është profesor i Universitetit të Prishtinës. Ai ka qenë këshilltar për medie i Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, këshilltar politik i Presidentit Fatmir Sejdiu dhe ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar)

Comment

*