Presidenti Meta mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Tiranë, 16 maj 2018 – Presidenti i Republikës, Ilir Meta mblodhi sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Në mbledhje morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj,  kreu i SHISH-it, Helidon Bendo, dhe përfaqësues të tjerë.

Mbledhja, e cil filloi pak pas orës 16:00, nuk ishte njoftuar për mediat.

Në një njoftim për media, Presidenca bëri të ditur se në takim u diskutua për gjendjen e sigurisë kombëtare dhe direktivat vjetore të sigurisë për vitin 2018, për kontrollin dhe menaxhimin e integruar të kufijve, për luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm, për emergjencat civile, për siguribë e infrastrukturave strategjike portuale dhe aeroportuale dhe për mbrojtjen kibernetike.

Presidenti theksoi rëndësinë e domosdoshmërisë strategjike për luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, dhe forcimit të kontrollit të kufijve, thuhet në njoftim.

Presidenti shprehu mbështetjen e plotë për agjencitë ligjzbatuese për thellimin e luftës pa kompromis kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

Presidenti i Republikës theksoi se raportet e Departamentit amerikan të Shtetit, të Bashkimit Evropian dhe të agjencive të specializuara për këto çështje të rëndësishme janë një platformë solide për të reflektuar dhe për të ndërtuar një partneritet të besueshëm, të qendrueshëm dhe afatgjatë për forcimin e sigurisë kombëtare dhe antarësimin në Bashkimin Evropian.

Nga burime të Ora News mësohet se në këtë mbledhje u diskutua lidhur me akuzat e opozitës për ministrin Xhafaj dhe publikimin e audios së përgjimit të vëllait të ministrit. (r.m.)

Comment

*