Meta përshëndet promovimin e librit “Demokracia nuk pret” të Frank Shkrelit

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm në promovimin e botimit të librit publicistik të personalitetit dhe gazetarit të shquar shqiptaro-amerikan, ish-Drejtorit të ‘Zërit të Amerikës” për Euro-Azinë, Frank Shkreli, të titulluar “Demokracia nuk pret”

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:

“Është kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë veprimtari që i kushtohet veprës së një personaliteti të shquar të botës shqiptare, natyrisht edhe të botës shqiptaro-amerikane, siç është zoti Frank Shkreli.

Ne ndihemi krenarë për personalitete të tilla dhe jemi mirënjohës për kontributet atë që kanë dhënë për kombin në detyrat që kanë pasur.

Karriera e z.Shkreli është vërtet një histori suksesi e një shqiptari, i cili falë sakrificave të tij dhe të familjes, arriti të edukohet e të ngrihet në nivelet më të larta të administratës amerikane dhe jo vetëm kaq, por edhe të investojë përmes atyre pozitave në interesin kombëtar të vendit të tij të origjinës edhe të kombit të tij.

Për kontributin e tij të spikatur sa i takon forcimit të identitetit kombëtar, denoncimit të izolimit komunist në Shqipëri, denoncimit të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, të sensibilizimit për çështjen e Kosovës, për ruajtjen dhe kultivimin e harmonisë ndër-fetare në Shqipëri, një çështje mjaft e rëndësishme jetike dhe ekzistenciale për kombin tonë, ai është bërë mjaft i njohur dhe i vlerësuar nga të gjithë ne.

Theksoj se në këto kohë të globalizimit, ajo që ne nuk duhet të harrojmë si një vend e si një komb modest, për t’iu shpëtuar të gjitha rreziqeve që na kanosen, është të forcojmë identitetin kombëtar.

Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për kontributin që vazhdon të japë zoti Shkreli edhe sot e kësaj dite, falë përvojës që ka dhe aftësisë së të shprehurit e artikulimit në këtë drejtim, që ne të garantojmë një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, për Kosovën, për mbarë kombin tonë.

Libri ‘Demokracia nuk pret’ është një vepër e mrekullueshme, sepse demokracinë nuk ta dhuron askush dhe demokracinë duhet ta fitosh dhe mund ta fitosh çdo ditë e më shumë por edhe mund ta humbasësh çdo ditë e më shumë.

Në këtë drejtim, vepra e zotit Shkreli është edhe një shkundje për të gjithë, për rëndësinë që ka demokracia. Ajo nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë. Demokracia duhet ruajtur, duhet mbrojtur, duhet zhvilluar sipas standardeve më të avancuara dhe siç e meriton një komb si i yni, që ka vuajtur shumë nga mungesa e saj.

Ju faleminderit edhe njëherë zoti Shkreli dhe mirënjohjen më të thellë për ju dhe familjen tuaj gjithashtu, që ju ka edukuar me një dashuri të jashtëzakonshme për Shqipërinë!”, – u shpreh Presidenti Meta.

Comment

*