Presidenti i jep Kardinalit Ernest Simoni Troshani dekoratën “Nderi i Kombit”

Përmes një ceremonie të veçantë në ditën e shenjtë të Pashkëve katolike, një personalitet me kontribute të jashtëzakonshme jo vetëm të Kishës Katolike shqiptare dhe asaj Katolike në përgjithësi, por edhe të identitetit kombëtar të shqiptarëve, Kardinalin Ernest Simoni (Troshani) me Dekoratën “Nderi i i Kombit” me motivacionin:

“Klerikut të dënuar me persekutim të përjetshëm nga diktatura, i cili me veprën dhe jetën e tij mbrojti vlerat e mëdha të fesë, kulturës kombëtare, lirisë dhe dinjitetit njerëzor, të lidhura pazgjidhshmërisht me vetëmbrojtjen e atdheut dhe të kombit shqiptar”.

Në ceremoninë e zhvilluar në Institucionin e Presidentit ku ishin të pranishëm drejtues të Kishës katolike dhe bashkësive të tjera fetare, klerikë, deputetë të Kuvendit, drejtues dhe përfaqësues të pushtetit vendor, të afërm e familjarë, intelektualë, etj., Kreu i Shtetit fillimisht u uroi të pranishmëve dhe të gjithë besimtarëve të krishterë:

“Gëzuar Pashkët dhe mot më mirë”! Do të dëshiroja që edhe kjo festë e madhe të shërbejë si një burim ringjalljeje dhe force për të gjithë, jo vetëm për besimtarët katolikë, për ata të krishterë në tërësi, por për të gjithë shqiptarët për t’i shërbyer më mirë dhe më shumë Atdheut kudo dhe kurdoherë pa asnjë lloj kursimi apo hezitimi”.

Presidenti Nishani theksoi në fjalën e Tij: “Shpallja juaj Kardinal nga Ati i Shenjtë, Papa Fraçesku, në tetor 2016, teksa ai kryesonte në Bazilikën e Vatikanit Koncistorin publik për krijimin e 17 kardinalëve të rinj, ndërmjet të cilëve ishit edhe ju, qe një lajm i madh për Kishën Katolike shqiptare së pari, për besimtarët e saj dhe për të gjithë shqiptarët anembanë botës. Me vënien e kapelës, dorëzimin e unazës kardinalore, Papa Françesku krijoi kardinal priftin shqiptar të kryedioqezës së Shkodër-Pultit, dom Ernest Simonin.

Ka qenë një çast tejet prekës, në një nga kulmet e Meshës së krijimit të 17 kardinalëve të rinj, ndërmjet të cilëve, edhe Ju, Eminencë, tashmë kardinali i dytë shqiptar.

E kemi ndjekur me shumë përdëllim edhe ne atë moment kur kardinalët iu afruan me radhë Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, për të marrë shenjat dalluese të dinjitetit të tyre të lartë.

Ata iu afruan Shenjtërisë së Tij njëri pas tjetrit deri tek kardinali shqiptar. Ati i Shenjtë, Papa Françeskui vuri kapelën e kuqe e ai, i gjunjëzuar para Atit të Shenjtë, u përgatit që t‘i jepte përqafimin e paqes.

Por, ndodhi diçka e pabesueshme, Ati i Shenjtë, Papa Françesku, u përkul i pari mbi këtë meshtar të thjeshtë të Zotit, të martirizuar në një skaj të Ballkanit për 30 vjet, në një vend gjysmë të harruar fshatrave të Shqipërisë, ku ai shërbeu me përkushtim deri në këtë çast madhështor, të papritur në jetën e tij, dhe i dha një përqafim të paharrueshëm.

Ati i Shenjtë përqafoi në ato momente figurën e këtij njeriu të moshuar, e të thyer nga mosha, por të papërkulur nga torturat e nga motet, që në ato çaste mbarte mbi shpatullat e tij tërë popullin shqiptar të shumëvuajtur, kujtimin e 38 martirëve, që sapo ishin shpallur të lumturuar si dhe dhjetëra e qindra bij të tjerë të Kishës Katolike të popullit shqiptar që e ndiqnin nga qielli këtë ceremoni, në të cilën ata ishin edhe vetë të pranishëm me shpirtin e tyre, me kujtesën e tyre, sepse të gjithë në atë kohë besonin se petku i kuq kardinalor, reflektonte edhe gjakun e derdhur për lirinë e besimit.

E kjo ngjarje u zhvillua para syve të të gjithë botës”!

I emocionuar, Presidenti Nishani u shpreh: “Eminencë, sot në këtë ceremoni të thjeshtë, por shumë të sinqertë, nuk e kam të lehtë të përzgjedh fjalët më të mira që duhen thënë e më të merituara që duhen.

Megjithëse unë sot mbaj detyrën më të lartë e më të nderuar të këtij vendi, atë të Kryetarit të Shtetit, emocionet bëjnë punën e tyre tek një njeri, pasi së bashku me të tjerët ne kemi sot mes nesh klerikun e devotshëm, besimtarin e palëkundur, pajtuesin e papërtueshëm, meshtarin e mençur që vazhdoi pa u ndalur, pa u trembur e pa u rrëzuar të përçonte vlerat e besimit, të lirisë, të dashurisë mes njerëzve njerëzore dhe atë hyjnore edhe në ditët më të errëta të diktaturës më barbare e më çnjerëzore që ndoshta kishte parë ky kontinent. Kleri në përgjithësi, dhe ai katolik në veçanti, pagoi haraçin më të shtrenjtë duke u përballuar me dhjetëra vrasje të stisura, me tortura, persekutime, dënime e internime që edhe vetë torturuesit dhe diktatorët më famëkeq do t’i kishin pasur zili.

Kardinali i nderuar, ne jemi fatlumë që ju kemi sot këtu mes nesh, se ju jeni shembulli më epik i dënimeve, vuajtjeve, torturave dhe persekutimeve të pafund që u ushtruan ndaj tij e përkundër tyre, i forcës, i madhështisë së qëndresës dhe i tejkalimit të gjithçkaje që tentohej të pengohej.

Kardinali u arrestua në vitin 1963 sepse mbajti meshë për Presidentin e vrarë amerikan John Kennedy dhe u dënua me shumë e shumë vite burg.

Kalvari i vuajtjeve do të vazhdonte kundër këtij kleriku të devotshëm deri ditën që do të shembej ai regjim i urryer.

Ai regjim çnjerëzor e dhunoi, e sulmoi, e shantazhoi, e goditi, por nuk e theu për asnjë moment Dom Ernestin.

Zoti mëshirëmadh i ka dhënë atij jetëgjatësinë që të triumfonte, të shpallej Kardinal, por edhe të ishte simboli i vuajtjeve të pashoqe që ne sot dhe brezat që do të vijnë të mos harrojmë atë që ka ndodhur jo vetëm me njerëzit e shërbesës, të klerit, me meshtarët, por me të gjithë ata që përcillnin dëshirën për liri dhe për dinjitet njerëzor.

Vlerësimi i klerit shqiptar të përndjekur gjatë komunizmit është shenja që tregon se ky kler i ka dhënë shumë Kishës Katolike universale, sidomos me martirizimin e tij gjatë komunizmit.

Shpallja juaj Kardinal është një nderim dhe mirënjohje që Papa Françesku i bëri Shqipërisë përpara shpalljes së Lumturimit të 38 Martirëve shqiptarë, ceremonia e të cilëve u organizua në nëntor të vitit 2016 në Shkodër.

Eminencë, rrëfimi juaj i mbështjellë me nuanca njerëzore dhe hyjnore na tregoi ne se si ai e përloti Shenjtërinë e Tij, Papa Fraçeskun, në Katedralen e Shën Palit në Tiranë gjatë vizitës së tij në Shqipëri në shtator 2014.

Mediat e gjithë botës në sytë e gjithë njerëzimit përcollën atë përqafim të përzemërt dhe përlotjen e Papës në takimin me Kardinalin e dytë shqiptar, pas Dom Mikel Koliqit.

Ky është një kontribut i përmasave të jashtëzakonshme që ju, Eminencë, keni dhënë për imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve anembanë botës dhe ne ju themi më përulje, ju faleminderit!”

Duke vënë në dukje mirënjohjen ndaj Selisë së Shenjtë dhe veçanërisht ndaj Atit të Shenjtë, Papa Françeskut për shenjtërimin në vitin 2016 të Nënë Terezës, lumturimin e 38 martirëve të Kishës katolike shqiptare dhe shpalljen e Kardinalit të dytë shqiptar, Dom Ernest Simonit “për këtë vëmendje kaq të madhe të demonstruar pa kursim ndaj martirizimit të kishës katolike dhe të kombit shqiptar për dekada me radhë.

Presidenti i Republikës u shpreh: “Shembulli i tij dhe mosndalesa çdo ditë e përpjekjeve, e forcës së jashtëzakonshme që rrezaton nga shpirti, zemra, mendja, nga sytë edhe nga dora e tij besoj se tregojnë më shumë se gjithçka vlerat e njerëzve të tillë, e shërbëtorëve, e guximtarëve të tillë, e patriotëve të tillë. Kardinal Ernest Simoni i ka bërë një nder të madh Kishës Katolike shqiptare, besimtarëve katolikë, Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve.

I ka bërë një nder të madh identitetit kombëtar shqiptar.

I ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm virtyteve më të mira të njeriut e i ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme e të pazëvendësueshme mësimeve të njerëzimit.

Ndaj ky nder që Kardinali u ka bërë të gjithë shqiptarëve më së paku kërkon që me përulje të plotë t’i themi atij, por edhe veprës së shumë e shumë martirëve të Kishës Katolike, por edhe klerikëve të sotëm, të cilët të frymëzuar nga vepra, kontributi e nga forca e tyre, vijojnë me përkujdesje, me zemërgjerësi e me dashuri për këdo, veçanërisht për më të pamundurët e për më të varfërit, për më të vobektët, t’u shërbejnë e t’u ofrojnë atyre shpresë, sepse shpresa është dinjitet te ai që e ofron dhe te ai që e beson.

Ndaj për të gjitha këto kontribute kam privilegjin, kënaqësinë dhe nderin që si Presidenti i Republikës, t’i akordojmë sot të gjithë së bashku Kardinalit Ernest Simoni Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’ duke shpresuar që të kemi kontribuar sadopka në mos-harresë, në vlerësim dhe në përulje në shenjë respekti ndaj këtij prelati të Kishës Katolike e duke besuar se kemi arritur sadopak për t’i dhënë atij, por edhe misionit të tij mbi gjithçka vendin e merituar për personalitete, misionarë, për kontribute të tilla edhe për trashëgimi të tillë jo vetëm të përmasave kombëtare, por mbarëbotërore, vendin e duhur.”

“Dëshiroj ta mbyll fjalën time duke cituar tre thënie të Kardinalit, Ernest Simoni.

Kur kam folur, kam folur brenda një vendi të vogël, një kishe të vogël, por sot m’i ka hapur i nalti Zot dyert në të gjitha kishat e botës.’

“Ne gjithmonë kemi parimin e madh të Krishtit: Duajuni mes jush! Falni ata që ju kanë fyer! Lutuni për ata!

Për veprat e veta do t’i përgjigjet deri në qime të flokut të madhit Zot, i madh e i vogël.’ ‘Doni njëri-tjetrin, siç ka thënë Krishti, me dashuri të gjithanshme, e mundësisht duke ndihmuar të varfrit.’

Eminencë ju uroj jetë të gjatë! Ehe unë i bashkohem lutjes suaj e të gjithë besimtarëve te Zoti për një jetë më të mirë e më të begatë për të gjithë shqiptarët, për të gjithë besimtarët dhe për gjithë kombin shqiptar.

Zoti i bekoftë ata! Zoti ju bekoftë edhe ju!” – përfundoi fjalën e Tij Presidenti Nishani.

Pasi mori Dekoratën “Nderi i Kombit” Kardinali Ernest Simoni falënderoi Presidentin e Republikës për këtë nderim që po ndodh në ditën më të madhe të krishterimit, të “naltin Zot” si dhe Atin e Shenjtë për këtë “dashuri të madhe ndaj popullit shqiptar”, duke theksuar se ai është veç një “shërbëtor i pa denjë”, bekoi duke u lutur e uruar që: “Të jemi përcjellësit e paqes, dashurisë e vëllazërimit.”

“Zoti e bekoftë gjithë popullin shqiptar, të gjithë drejtuesit që të binden e të punojnë së bashku për begatinë e këtij populli që të shohim të gjithë me buzëqeshje ardhjen e paqes e të dashurisë në familjet tona, në popullin, në çdo vend qofshin këto!” – u shpreh Kardinal Ernest Simoni.

Comment

*