Presidenti Thaçi pritet nga kryeministri japonez, Shinzo Abe

Tokio, 13 shtator 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me lartmadhërinë e tij, Perandori Naruhito i Japonisë, është pritur në një takim nga kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.

Kabineti i Prresidentit Thaçi njofton se në këtë takim është biseduar për marrëdhëniet dhe për mundësinë e rritjes së shkëmbimit ekonomik, arsimor dhe kulturor midis dy vendeve.

Presidenti Thaçi ka falënderuar kryeministrin Abe për mbështetjen që Japonia i ka dhënë Kosovës, sidomos në fazën e shtet-ndërtimit, të forcimit të institucioneve, në fushën mediave, shëndetësisë, arsimit, kulturës dhe ambientit.

“Këtë vit shënojmë 10 vjet të vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve. Është një lajm jashtëzakonisht i mirë që Japonia po rrit praninë e vet në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai, pas një konference për media me kryeministrin japonez. “Në Kosovë kjo konkretisht bëhet me hapjen e Ambasadës Japoneze në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.

Sipas tij, iniciativa e kryeministrit Abe për bashkëpunimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor është shumë inkurajuese dhe ka për qëllim krijimin e paqes afatgjate në rajonin tonë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe ka thënë se në 10 vitet e fundit marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Japonisë janë rritur jashtëzakonisht shumë.

“Sot kemi shkëmbyer pikëpamje të ndryshme për të gjetur mënyra për të avancuar këtë bashkëpunim”, ka thënë kryeministri Abe, pas takimit me presidentin Thaçi.

Në këtë takim është biseduar edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili konsiderohet si parakusht për anëtarësimin e të dyja vendeve në Bashkimin Europian.

“E sigurova kryeministrin Abe se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare paqësore, që nënkupton njohjen reciproke”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Abe e ka shprehur qëndrimin e Japonisë për dialogun Kosovë – Serbi.

“Japonia është duke promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon. Ne e mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Shpresoj të shoh lidershipin e Presidentit Thaçi për arritjen e këtij progresi në këtë dialog”, citohet të ketë thënë Abe.

Në takim është biseduar edhe për investimet japoneze në Kosovë. Kryeministri Abe e ka mirëpritur iniciativën e presidentit Thaçi për krijimin e një parku të biznesit për kompanitë japoneze në Kosovë, gjë që do të ndikonte në rritjen e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

Sipas njoftimit të kabinetit Presidentit Thaçi, në takim është folur edhe për shqetësimet që shkakton sjellja e Koresë së Veriut.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova e mbështet plotësisht qëndrimin e Japonisë dhe kërkon të vazhdojë dialogu për zgjidhjen e kontesteve e sidomos me prioritet të gjendet zgjidhje për kidnapimin e qytetarëve japonezë nga autoritetet e Koresë Veriore.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka shtruar një darkë për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

(r.m.)

Comment

*