Presidenti Thaçi priti në presidencë Kryeministrin Rama

Prishtinë, 29 qershor 2020 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar të hënën në mbrëmje në Prishtinë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Më herët gjatë ditës, Rama është takuar me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, me kryeministrin Abdullah Hoti, me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe me kryetarin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Rama ka ardhur në Kosovë pas dorëzimit të propozim akuzës ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, nga Dhoma e Prokurorisë së Specializuar me seli në Hagë.

Gjatë takimit të Ramës me Hotin, ky i fundit është cituar të ketë thënë se Kosova ka një kulturë të dëshmuar institucionale për t’i përballuar me dinjitet sfidat teksa u është referuar zhvillimeve të fundit politike.

“Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë procesin e dialogut me Serbinë, me qëllim të arrijmë një marrëveshje të përhershme paqeje e stabiliteti, e cila do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve” është cituar të ketë thënë ai.

Rama në anën tjetër ka përsëritur ndihmën e Shqipërisë për Kosovën në të gjitha proceset, derisa ka ftuar kryeministrin Hoti në një vizitë zyrtare në Shqipëri, që pritet të realizohet më 3 korrik.

Para se të udhëtonte në Kosovë, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, rama ka thënë se vjen në Kosovë për të biseduar rreth aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit.

“Në Prishtinë, për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!”, ka shkruar Rama në Twitter.

Javën e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, Veseli dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Çështja kalon tani te gjykatësi i procedurës paraprake, i cili do të vërtetojë ose hedhë poshtë aktakuzën.

Thaçi, i cili ka ndërprerë udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, ku pritej të mbante një takim me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, do t’i drejtohet të hënën opinionit në lidhje me aktakuzën.

Të premten, në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Thaçi ka thënë se akush “nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”, ndërsa Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura janë të pavërteta.

(r.m.)

Comment

*