Presidenti Thaçi takoi në Londër ministrin Duncan

Londër, 6 dhjetor 2018 – Presidenti i  Kosovës, Hashim Thaçi, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka udhëtuar për një vizitë njëditore në Britaninë e Madhe.

Presidenti Thaçi sot në Londër e ka takuar Sir Alan Duncan, Ministër për Evropë dhe Amerikë në qeverinë britanike.

Zyra e Presidentit njofton se Thaçi e ka njoftuar ministrin britanik për përpjekjet për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.

“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në reforma dhe është e interesuar që të vazhdojë me këta hapa edhe në të ardhmen”, ka thënë Thaçi.

“Po punojmë edhe për një marrëveshje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare me Serbinë”, ka shtuar ai.

Thaçi ka theksuar se Kosova dëshiron të bëhet kontribuuese në paqen në rajon e më gjerë.

Sipas tij, në shërbim të kësaj janë edhe përpjekjet për një marrëveshje me Serbinë, e cila do të sjellë njohjen reciproke dhe mbylljen e kapitullit të konfliktit.

Thaçi ka folur edhe për angazhimet për të përmbyllur procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në anën tjetër, ministri Duncan ka thënë se Britania e Madhe e mbështet perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe të rajonit.

“Mbështesim përpjekjet për të ndërtuar paqe e stabilitet të qëndrueshëm në tërë rajonin e Evropës Juglindore”, është shprehur ministri Duncan. (r.m.)

Comment

*