Presidenti Trump citon Nënë Terezën kundër racizmit

Ruben Avxhiu

Kritikët nuk binden, e akuzojnë për hipokrizi

 

Presidenti Donald Trump ka ndarë në rrjetin social Tuitër, një shprehje mbarëhumaniste të Nënë Terezës.
“Asnjë ngjyrë, asnjë fe, asnjë kombësi nuk duhet të na ndajë. Jemi të gjithë fëmijë të Zotit”, ka thënë Nënë Tereza.
Shenjtorja katolike, e lindur si Gonxhe Bojaxhi, nga prindër shqiptarë kishte pardje ditën e lindjes si dhe në pak ditë do të mbushë 20 vjet nga ndarja prej jetës.
Presidenti Trump ka qenë në shënjestër të kritikave në ditët e fundit për shkak të ngurrimit të tij për të dënuar një grup supremacistësh të majtë, që marshuan pak ditë më parë në Sharlotsvile. Trump në fakt foli kundër tyre, por i pyetur nga gazetarët për dhunën e ushtruar, ai tha se dhuna erdhi nga të gjitha krahët.
Trump është akuzuar shpesh për racizëm, madje që nga fillimi i fushatës së tij presidenciale. Sipas kritikëve të tij, ai nuk ka bërë asgjë që të dëshmojë të kundërtën. Përkundrazi, falja e dënimit të një sherifi famëkeq policie nga Arizona, që akuzohet për praktika raciste e çnjerëzore ndaj hispanikëve është shembull i pikëpamjeve të tij.
Ndonëse Presidenti ka refuzuar të tërheqë fjalët që ka thënë, ai dhe njerëzit pranë tij shpesh po përpiqen të korrigjojnë përshtypjet për kreun e Shtëpisë së Bardhë. Mbrojtësit e tij i përshkruajnë akuzat si rezultat i një fushate diskretituese nga media që ia shtrembëron fjalët.
Mirëpo, kohët e fundit, edhe disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt në administratë, si Rex Tillerson po gjejnë mënyra për t’u distancuar nga presidenti kur vjen puna për të djathtën alternative që në Sharlotsvilë u shfaqën me flamuj e simbole naziste.
Mbështetësit e Trump këmbëngulin se reagimi nervoz në media nuk reflekton ndjenjat e popullit amerikan që është më shumë i interesuar për punësimin dhe reformat.
Edhe shprehja e Nënë Terezës, e cila vetë nuk bëri kurrë dallime fetare apo racore te njerëzit që ndihmoi si humaniste, shërben pikërisht për të treguar tërthorazi se Trump nuk është racist si e përshkruajnë kritikët.
Citimi vetëm sa i ka përndezur më shumë ata që e kanë inat, disa janë përgjigjur se Trump nuk mund të mbulojë çfarë ka bërë dhe thënë me ndonjë citat nga Nënë Tereza.
Nuk është hera e parë në fakt, që Donald Trump përmend Nënë Terezën. Vjet, kur ndodhi shenjtërimi i saj, ai ishte në fushatë zgjedhore si kandidati republikan për president dhe foli për ngjarjen.
“Ajo përfaqësonte më të mirën që ndodhet në secilin prej nesh”, tha ai. “Jam vërtet i lumtur të shoh katolikët në mbarë botën që bashkohen për të ngritur lart jetën e pashoqe për nga modestia, bujaria dhe përkushtimi të Nënë Terezës”.
“Nuk kishte njeri tjetër si ajo”.

One Response to “Presidenti Trump citon Nënë Terezën kundër racizmit”

Read below or add a comment...

  1. sali ramadani-uskana says:

    NENEN E MADHE,NENEN TEZE, E RESPEKTON DHE CITON E TETE BOTA!

    Padyshim edhe te gjthe presidentet amerikane !

    Me respekt,serish dhe fillimisht:

    Sali Ramadani-Uskana

Comment

*