Presidenti Trump fillon vizitën në Francë

Presidenti Donald Trump dhe presidenti francez Emmanuel Macron u takuan të enjten në Paris për t’u përqëndruar në çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes, ku ata mendojnë se mund të shtyjnë përpara marrëdhëniet mes dy vendeve.

Pak përpara se të fillonin bisedimet, Presidenti Macron tha se është “e natyrshme dhe e domosdoshme” për të patur shkëmbime me zotin Trump, motoja politike e të cilit, “Amerika e para” i ka shqetësuar disa aleatë të rëndësishëm evropianë.

Zoti Macron i bëri komentet sot në një konferencë shtypi pas një takimi me kancelaren gjermane Angela Merkel e cila, ashtu si presidenti francez ka shprehur zhgënjim ndaj vendimit të zotit Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja globale për të luftuar ndryshimet klimatike.

Zonja Merkel tha se dallimet me Shtetet e Bashkuara janë për të ardhur keq, por komunikimi vazhdon.

Presidenti Trump arriti në kryeqytetin francez pas një fluturimi gjatë natës nga Uashingtoni për një vizitë të shpejtë 36 orëshe, për të diskutuar me udhëheqësin francez mbi zgjidhjet e mundshme të krizës në Siri dhe mbi strategjitë më të gjera kundër terrorizmit.

Presidenti dhe zonja e parë Melania Trump u përshëndetën nga zoti Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte, në Les Invalides, vendvarrimi i Napoleonit.

Presidenti amerikan do të marrë pjesë të premten në festimet e Ditës së Bastijës dhe në ceremonitë me rastin e 100 vjetorit të hyrjes së SHBA në Luftën e Parë Botërore. (VOA)

Comment

*