Presidenti Trump fjalim pranë vendlindjes së rivalit Joe Biden

Fjalimi i paraprin zyrtarizimit të ish-Zv-Presidentit si kandidati demokrat për President

 

Presidenti amerikan Donald Trump po vazhdon fushatën për rizgjedhjen në qytetin Old Forge, të shtetit Pensilvani, vetëm 9 kilometra larg vendlindjes së Joe Biden-it, orë përpara se zoti Biden të pranojë zyrtarisht emërimin si kandidat i demokratëve për president.

Zyrtarë të fushatës Trump thanë se fjalimi i tij në këtë shtet trajton atë që e quajnë “një gjysëm shekulli gjatë të cilit Joe Biden ka zhgënjyer Amerikën”.

Vizita e Presidentit Trump në këtë shtet kyç për betejën elektorale vjen ndërsa anketimet e opinionit publik e radhisin atë pas zotit Biden.

Zoti Biden do të mbajë fjalimin e tij të pranimit të emërimit pak orë më vonë nga shtëpia e tij në Wilmington, Delaware, ndërsa Konvendit Kombëtar Demokrat mbyll punimet.

Duke udhëtuar në disa shtete kyçe për betejën elektorale, Presidenti Trump ka zhvilluar aktivitete fushate dhe ka mbajtur konferenca për shtyp gjatë javës që zoti Biden gjendet në epiqendër të vëmendjes politike.

Republikanët po përgatisin zhvillimin e kuvendit rë tyre virtual kombëtarë javën e ardhshme, duke filluar nga e hëna dhe duke kulmuar me pranimin e riemërimit nga Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë, më 27 gusht.

Presidenti Trump e fitoi Pensilvaninë në vitin 2016 me më pak se 1% diferencë, ose 44 mijë vota.

Por, Presidenti Trump, i cili që nga ajo kohë është përplasur me guvernatorin demokrat të Pensilvanisë rreth përpjekjeve për rihapjen e ekonomisë në mes të pandemisë, rezulton pas zotit Biden, fushata e të cilit po punon për të rimarrë këtë shtet ku kishin fituar demokratët gjatë periudhës 1992 – 2016.

Anketimet tregojnë se zoti Biden, ish-nënpresident gjatë administratës Obama, është i mirëpozicionuar për të fituar Pensilvaninë. Ai ka origjinë të hershme në qytetin Scranton të këtij shteti dhe tërheq punëtorët e bardhë dhe votuesit afrikano-amerikanë në Filadelfia dhe Pittsburgh.

Andrew Bates, zëdhënësi i zotit Biden tha se Presidenti Trump “ka vendosur në rrezik shëndetin e familjeve të panumërta në mbarë shtetin dhe fundosi në një vorbull ekonominë e fortë që trashëgoi nga administrata Obama-Biden”.

Fushata e Presidentit Trump është e shqetësuar për humbjen e mbështetjes në radhët e votuesve në zonat përreth Filadelfias, veçanërisht të grave. Fushata shpreson të kompensojë humbjet duke nxitur pjesëmarrjen e votuesve në zonat rurale dhe jourbane. (VOA)

Comment

*