Presidenti Trump flet përpara Kongresit

Presidenti Donald Trump mbajti fjalimin e tij të parë përpara të dyja dhomave të Kongresit, ku bëri thirrje për reformimin e sistemit shëndetësor dhe për rigjallërimin e ekonomisë.

Fjalimi vjen në një moment të rëndësishëm për një president të ri, të zgjedhur me synimin për të shkundur me shpejtësi Uashingtonin dhe për të bërë realitet premtimet e dështuara të politikanëve të karrierës.

Presidenti tha se ai dëgjoi “lutjet” e popullit amerikan dhe filloi zbatimin e ligjeve të emigracionit, të cilat ai tha se do të rrisin rrogat, do të ndihmojnë të papunët, do të kursejnë miliarda dollarë, dhe do ta bëjnë vendin më të sigurtë për të gjithë.

Presidenti premtoi sërish se do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit SHBA – Meksikë, duke e quajtur atë një armë të efektshme kundër drogave dhe krimit.

 

MBROJTJA E VENDIT NGA “SHTETI ISLAMIK”

Ai tha se ai po ndërmerr masa të forta për të mbrojtur vendin nga “terrorizmi radikal islamik” me shtimin e kontrollit të emigrantëve të mundshëm. Presidenti tha se SHBA nuk mund të bëhet një bazë terrorizmi dhe një foltore për ekstremistët.

Zoti Trump tha se ka udhëzuar Pentagonin të hartojë një plan për të mundur Shtetin Islamik, të cilin e quajti një “rrjet egërsirash të paligjshme” që kanë masakruar myslimanë dhe të krishterë, gra dhe fëmijë.

 

BUXHETI USHTARAK

Presidenti Trump tha se po i dërgon Kongresit një projektbuxhet që përmban një nga rritjet më të mëdha në shpenzimet e mbrojtjes në historinë amerikane.

Ai tha se burrat dhe gratë e ushtrisë kanë nevojë për mjete për ta mbajtur Amerikën të sigurt dhe për mjetet e nevojshme për të parandaluar luftën. Por, në qoftë se atyre do t’u duhet të luftojnë, – tha ai, – ata duhet të luftojnë për të fituar.

Presidenti bëri thirrje për më shumë shpenzime për veteranët.

Ai prezantoi gruan e një ushtaraku forcave SEAL të marinës që u vra gjatë një sulmi në Jemen, në muajin janar. William “Ryan” Owens ishte ushtaraku i parë i vrarë në betejë gjatë administratës Trump. Gruaja e tij Carryn Owens, i kishte sytë të mbushura me lot, ndërsa u prit me duartrokitje, që zgjatën të paktën një minutë.

Nëse aleatët e Amerikës duan të dinë se çfarë miku do të kenë, – tha zoti Trump, – mjafton të shihni këta heronj në uniformë ushtarake”.
 

POLITIKA E BRENDSHME

Presidenti Trump tha se ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë harxhuar triliona dollarë në vende të tjera, vetë infrastruktura amerikane është rrënuar.

Presidenti tha se “Amerika mund të bëhet sërish madhështore vetëm nëse vendos të parët vetë shtetasit e saj.”

Brenda vendit, Presidenti tha se industritë që po zhduken do të rikthehen sërish në jetë, ndërsa veteranët ushtarakë heroikë do të marrin ndihmën që u nevojitet me dëshpërim. Rrugë të reja dhe ura të reja do të zëvendësojnë infrastrukturën e rrënuar, tha ai.

Presidenti u zotua t’i japë fund epidemisë së drogave në vend, dhe t’i japë shpresë dhe rilindje qyteteve dhe rinisë amerikane.

Presidenti bëri një përmbledhje të progresit të bërë që nga inaugurimi i tij, përfshirë angazhimin e kompanive kryesore për hapje vendesh të reja pune, ngrirjen e punësimit në qeverinë federale, si dhe nxjerrjen e SHBA nga Marrëveshja e Tregtisë së Trans-Paqësorit, që ai e quajti “një marrëveshje që vret vendet e punës”.

Fillimi kaotik i Presidentit Trump në detyrë ka bërë që deri tani miratimi i publikut të jetë historikisht i ulët për një president të ri. Vetëm 44 për qind e amerikanëve e miratojnë punën e bërë prej tij, sipas një sondazhi të ri të NBC News / Wall Street Journal.

 
POLITIKA E JASHTME, MBËSHTETJE PËR NATON

Lidhur me politikën e jashtme, Presidenti bëri thirrje për një angazhim më të madh dhe të drejtpërdrejtë me botën. Kjo, – tha ai, – është një politikë e rolit udhëheqës amerikan në bazë të interesave jetike të sigurisë që SHBA ndajnë me aleatët.

“Ne mbështesim fuqimisht NATO-n, një aleancë e farkëtuar përmes lidhjeve gjatë dy luftërave botërore që rrëzuan fashizmin dhe Luftës së Ftohtë që mundi komunizmin. Por partnerët tanë duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare. Dhe tani, bazuar në diskutimet tona shumë të fuqishme dhe të sinqerta, ata kanë filluar të bëjnë pikërisht këtë,” – tha Presidenti Trump.

Presidenti tha se pret që partnerët e SHBA, qoftë në NATO, në Lindjen e Mesme, apo në Paqësor – të luajnë një rol të drejtpërdrejtë dhe kuptimplotë si në operacionet strategjike dhe ushtarake si dhe të paguajnë pjesën e tyre të shpenzimeve.

Zoti Trump tha se SHBA do të respektojnë të drejtat sovrane të popujve:

“Vendet e lira janë mjeti më i mirë për të shprehur vullnetin e popullit dhe Amerika respekton të drejtën e të gjitha vendeve që të hartojë rrugën e tyre. Detyra ime nuk është të përfaqësoj botën. Detyra ime është të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Presidenti Trump tha se Amerika është më mirë kur në botë ka më pak konflikt dhe se duhet mësuar nga gabimet e së kaluarës; “Ne kemi parë luftra dhe shkatërrimet që ato kanë sjellë në botë,” – tha Presidenti.

 
PËRGJIGJA E DEMOKRATËVE

Në përgjigjen në emër të demokratëve, ish guvernatori i shtetit Kentucky, Steve Beshear tha: “Presidenti Trump ka injoruar kërcënimin serioz ndaj sigurisë sonë kombëtare nga ana e Rusisë, e cila nuk është mikja jonë, duke na larguar nga aleatët, të cilët kanë luftuar me ne krah-për-krah dhe janë miqtë tanë në një botë të rrezikshme.”

Zoti Beshear tha se presidenti mundet dhe duhet të zbatojë ligjet e imigracionit. Por ne, – tha ai, – mund ta mbrojmë Amerikën pa braktisur parimet tona dhe detyrimin tonë moral për të ndihmuar ata që ikin nga lufta dhe terrori, pa ndarë familjet dhe pa kërcënuar në mënyrë të panevojshme ushtarakët tanë, burra e gra, që luftojnë jashtë vendit.

Në emër të demokratëve u përgjigj edhe Astrid Silva, aktiviste e imigracionit, e cila foli spanjisht. Ajo tha se emigrantët dhe refugjatët janë shpirti dhe premtimi i këtij vendi. “Ne nuk jemi vetëm,” – tha ajo. (VOA)

Comment

*