Presidenti Trump inkurajon firmat e huaja të investojnë në SHBA

Davos (Zvicër), 26 janar 2018 – Në një fjalim të rëndësishëm, në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës, Presidenti amerikan Donald Trump paraqiti vizionin e tij për tregtinë ndërkombëtare duke inkurajuar firmat e huaja të investojnë në Shtetet e Bashkuara.

Duke mbrojtur fuqishëm politikën e tij “Amerika e Parë”, Presidenti Donald Trump tha përpara një audience me udhëheqës botërorë të biznesit dhe politikës se bota do të përfitojë nga fuqia ekonomike e Shteteve të Bashkuara.

“Kur Shtetet e Bashkuara rriten, të njëjtën gjë bën edhe bota,” tha presidenti Trump në një fjalim 15-minutësh, në sesionin përmbyllës të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

“Begatia amerikane ka krijuar vende të panumërta pune në të gjithë globin dhe përpjekja për përsosmëri, krijimtari dhe inovacion në Shtetet e Bashkuara ka çuar në zbulime të rëndësishme që i ndihmojnë njerëzit kudo të jetojnë jetë më të begata dhe më të shëndetshme”.

“Amerika është e hapur për biznes dhe ne jemi sërish konkurrues,” tha presidenti.

Siç ka bërë gjatë karrierës së tij politike, presidenti Trump nuk bëri asnjë kërkesë faljeje për prishjen e marrëveshjeve tregtare dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare, që ai i sheh si ngadalësim për rritjen ekonomike.

“Ne do të zbatojmë ligjet tona tregtare dhe do të rivendosim integritetin në sistemin tregtar. Vetëm duke këmbëngulur në tregtinë e drejtë dhe reciproke, mund të krijojmë një sistem që punon jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për të gjitha kombet “, tha presidenti.

Pa përmendur Kinën, ai vuri në shënjestër aktivitetet e Pekinit, duke paralajmëruar se administrata e tij nuk do të mbyllte një sy ndaj vjedhjes së pronës intelektuale amerikane dhe ndërhyrjet për subvencione.

Presidenti u bëri gjithashtu thirrje krerëve të mbledhur në Davos që të punojnë më ngushtë me Shtetet e Bashkuara për synimet e përbashkëta të sigurisë, si mposhtja e Shtetit Islamik, presionin maksimal për të çmilitarizuar gadishullin Korean nga armët bërthamore, dhe lufta kundër terrorizmit në të gjitha format e saj.

“Administrata ime është krenare që ka bërë përpjekje historike në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe në mbarë botën për të bashkuar të gjitha kombet e civilizuara në fushatën tonë të presionit maksimal për të çmilitarizuar Gadishullin Korean”, tha zoti Trump. “Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje partnerëve që të marrin masa ndaj Iranit për mbështetjen e terroristëve dhe të mos e lejojnë të sigurojë armë bërthamore”.

Në një sesion të shkurtër me pyetje përgjigjje pas fjalimit të tij, Trump e quajti veten “një udhëheqës entuziast “për Shtetet e Bashkuara dhe vuri përsëri në shënjestër një nga objektivat e tij të preferuar, median.

“Derisa u bëra politikan nuk e kuptova se sa e keqe, sa e keqe, sa e keqe dhe sa i rremë mund të jetë shtypi”, tha ai, duke nxitur reagime në sallë.

Trump kritikoi gjithashtu demokratët e opozitës, duke pretenduar se politikat e tyre të orientuara drejt rregulloreve do të kishin ngadalësuar rritjen ekonomike.

Atmosfera e përgjithshme gjatë Forumit të Davosit ka qenë optimiste, me Fondin Monetar Ndërkombëtar që parashikon rritje të sinkronizuar globale për vitin e ardhshëm. Por prapa dyerve të mbyllura, kishte diskutime edhe për rreziqet përpara.

Raporti i Forumit të Davosit titullohet “Çarjet, Shqetësimet dhe Dështimet “, një reflektim i tensionit në rritje në arenën globale, thotë Inderjeet Parmar, profesor i politikës ndërkombëtare në universitetin City University London.

/Zëri i Amerikës/ 

Comment

*