Presidenti Trump kërkon fillimin e hetimeve ndaj Joe Biden dhe djalit të tij

Nga Ruben Avxhiu

WASHINGTON — Presidenti Donald Trump i kërkoi sot, të martën, në 20 tetor, Prokurorit të Përgjithshëm, William Barr, që të nisë një hetim zyrtar ndaj ish-Zv-Presidentit Joe Biden dhe djalit të tij Hunter Biden.
Kjo lëvizje vjen mbas një letër të 11 kongresistëve republikanë që i kanë kërkuar zotit Barr të caktojë një jurist të posaçëm dhe pavarur që të hetojë akuzat që dalin nga disa artikuj të botuar nga “New York Post” sipas të cilëve Joe Biden ka përfituar financiarisht nga bizeni i djalit të tij në Ukrainë dhe në Kinë.
E pyetur nga “Wall Street Journal”, një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë refuzoi të jepte përgjigje. Edhe fushata e kandidatit demokrat nuk i është përgjigjur deklaratës së Presidentit Trump.
Sipas gazetës së njohur “Wall Street Journal”, Presidenti Trump po i kthehet një taktike të përdorur me sukses në 2016 kundër kandidates Hillary Clinton, që solli refrenin e njohur të mitingjeve të tij zgjedhore “lock her up” (“kyçe brenda” apo “fute në burg”).
Prokurori i Përgjithshëm Barr nuk ka marrë ende ndonjë veprim dhe zakonisht i ka anashkaluar thirrje të tilla në të kaluarën nga Presidenti Trump lidhur me kundërshtarë të tij politikë.
Nga ana e tij, Trump ka shprehur disa herë pakënaqësinë ndaj Barr, sidomos pasi ky u tha një grupi ligjvënësiah amerikanë që të mos presin përpara Ditës së Zgjedhjeve ndonjë rezultat për hetimin mbi origjinën e dyshimeve të lidhjeve të fushatës Trump me Rusinë e Putinit në vitin 2016. Po ashtu një hetim mbi akuzat se zyrtarë të Presidentit Obama kishin përgjuar ekipin e tranzicionit të Presidentit Trump pas fitores në nëntor, nga ku ishte zbuluar edhe shkelja e ligjit nga Michael Flynn, mbaroi pa ndonjë rezultat.
Ndonëse Demokratët e akuzojnë Prokurorin e Përgjithshëm William Barr se po i shërben Presidentit Trump dhe jo drejtësisë amerikane, mes të dyve është krijuar një lloj klime pakënaqësie, sepse Presidenti Trump mendon se hetimet për korrupsionin e Demokratëve nuk kanë pasur agresivitetin e duhur.
“Përfitojnë se Barr është njeri shumë i drejtë dhe i kanë bërë bisht drejtësisë”, tha Trump gjatë një mitingu të hënën në Arizona. Ai shtoi sipas “Wall Street Journal” se njihte disa që do ta kishin plasur brenda Joe Bidenit që para pesë javësh.
Mbetet për t’u parë nëse Barr do të veprojë kësaj here duke nisur vërtet hetim ndaj kandidatit Biden apo do t’i marrë thirrjet e Presidentit Trump thjesht si akte për konsum fushate.
Zgjedhjet mbahen pas dy javësh.

Comment

*