Presidenti Trump premton mbështetjen amerikane për NATO-n

Uashington, 17 mars 2017 – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ai do ta mbështesë fort NATO-n, por u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare “që kanë borxhe të mëdha” të “paguajnë atë që u takon”.

Presidenti amerikan i bëri këto komente në Shtëpinë e Bardhë, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kancelaren gjermane Angela Merkel.

Ky ishte takimi i tyre i parë, qëkur zoti Trump erdhi në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Trump tha se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Gjermanisë bazohen “në vlera të përbashkëta” dhe se aleanca është “simbol force” për botën.

Përveç NATO-s, në takim janë prekur edhe një numër temash me interes të përbashkët për të dy vendet.

Zoti Trump tha se të dy vendet do të vazhdojnë luftën kundër radikalizmit islamik, duke theksuar se “siguria në imigracion është siguri kombëtare”. Ai tha se e vlerësonte mbështetjen e Gjermanisë për të gjetur një zgjidhje për situatën në Ukrainë.

Tregtia ishte një ndër temat kryesore që u prekën në konferencën për shtyp. Presidenti i Shteteve të Bashkuara theksoi disa herë se partnerët tregtarë të Amerikës nuk janë treguar të drejtë në shkëmbimet e tyre dhe se tregtia ndërkombëtare ka rënduar negativisht mbi punëtorët amerikanë.

Presidenti tha se që nga ardhje e tij në Shtëpinë e Bardhë janë hapur mijëra vende të reja pune dhe se synim i tij është kthimi i prodhimit industrial në Shtetet e Bashkuara.

Tregtia me Gjermaninë, ekonomia e tretë më e madhe në botë, do të jetë temë diskutimesh mes dy udhëheqësve në një takim pune pas konferencës së shtypit.

(Zëri i amerikës)

Comment

*