Presidenti Trump shkarkon Sekretarin e Mbrojtjes, Mark Esper

Uashington, 9 nëntor 2020 – Presidenti Donald Trump njoftoi të hënën se ka larguar nga detyra Sekretarin e Mbrojtjes Mark Esper dhe se e ka zëvendësuar atë me drejtorin e Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Christopher Miller.

Ai tha se zoti Miller do të fillonte menjëherë detyrën si Sekretar i Mbrojtjes në detyrë.

“Mark Esper e ka përfunduar detyrën”, shkruante zoti Trump në Twitter.

“Jam i kënaqur të njoftoj se Christopher C. Miller, drejtori shumë i respektuar i Qendrës Kombëtare Kundër-Terrorizmit (i konfirmuar unanimisht nga Senati), do të jetë sekretari i Mbrojtjes në detyrë, vendim që hyn në fuqi menjëherë”, siç shkruante ai.

Largimi i zotit Esper pritej prej muajsh pasi në qershor ai ndërmori hapin e pazakontë dhe e kundërshtoi publikisht presidentin, duke thënë se trupat nuk do të dërgoheshin për të kontrolluar valën e protestave në qytetet amerikane.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*