Presidenti Trump shtrohet në spitalin ushtarak “Walter Reed”

Uashington, 3 tetor 2020 – Presidenti Trump është shtruar në qendrën spitalore të ushtrisë amerikane “Walter Reed“ pranë Uashingtonit, për trajtim mjekësor kundër koronavirusit, njofton Shtëpia e Bardhë.

Para nisjes, presidenti regjistroi një mesazh të shkurtër që e postoi në llogarinë e tij në Twitter ku njoftoi se po shtrohej në spital.

“Mendoj që jam shumë mire, por po shkoj në Spitalin ‘Walter Reed’ për të garantuar që kjo gjë përfundon krejt mirë”, shkroi ai, përcjell Zëri i Amerikës.

Por, Trumpo nuk dha hollësi për diagnozën apo për gjendjen e tij shëndetësore.

Më herët, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se presidenti do të qëndrojë disa ditë në spital, me rekomandime të mjekut.

“Presidenti është me humor të mirë, ka simptoma të lehta dhe ka vazhduar punën gjatë gjithë ditës,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, në një deklaratë për shtyp.

“Nisur nga synimi për të qenë më se të sigurtë dhe të kujdesshëm dhe bazuar në rekomandimet e mjekut të tij personal dhe të ekspertëve të shëndetit, presidenti do të punojë për disa ditë të ardhshme nga zyrat presidenciale në kompleksin Walter Reed. Presidenti Trump është mirënjohës për dashamirësinë dhe mbështetjen që ka marrë ai dhe Zonja e Parë,” thuhet në deklaratë.

Mjeku i presidentit, Dr. Sean Conley, në një deklaratë për shtyp, tha se presidenti mori një dozë intravenoze anti-trupash të dyfishtë, të prodhuara nga “Regeneron Pharmaceuticals Inc“, duke e shoqëruar me zink, vitaminë D, famotidinë, melatoninë dhe aspirinë.

Ai tha se presidenti Donald Trump “vazhdon të jetë i këputur, por (është) me humor të mirë”, pasi u trajtua me një kokteil eksperimental antitrupash ndaj COVID-19.

“REGN-COV2“, ilaçi i kompanisë “Regeneron“, është pjesë e një klase ilaçesh eksperimentale për COVID-19, të njohura si anti-trupa monoklonale – kopje të prodhuara të anti-trupave njerëzore ndaj virusit, të cilat po analizohen si trajtim për pacientët në fazat e hershme.

Kjo teknikë po përdoret gjerësisht për trajtimin e një sërë sëmundjesh. Deri më tani ka vetëm të dhëna të kufizuara për anti-trupat e COVID-19, por kreu i departamentit të sëmundjeve infective, Dr. Anthony Fauci, është ndër ata që kanë thënë se është premtuese.

Kompania “Regeneron“ njoftoi këtë javë se rezultatet e testimeve tregojnë se ilaçi i saj me anti-trupa përmirësoi simptomat e pacientëve me COVID-19 që nuk janë shtruar në spital, pa asnjë efekt serioz anësor dhe njoftoi se synon të hyjë në bisedime me Agjencinë e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të marrë autorizim për përdorim emergjence.

(r.m.)

Comment

*