Prezantohet vetura e parë elektrike “Made in Kosova”

Prishtinë, 16 korrik 2017 – Gjashtë të rinj, anëtarë të Organizatës Joqeveritare “BONEVET” e prezantuan në Gjakovë veturën e parë elektrike të konstruktuar prej tyre.

Kjo është vetura e parë elektrike në Europë, e bërë nga të rinjtë.

Gjatë vitit të kaluar, gjashtë të rinjtë kanë punuar për t’i dhënë jetë të re një veture të vjetër “Renault Tëingo”, duke e transformuar atë nga një veturë me benzinë në një veturë elektrike plotësisht funksionale.

Projekti përfundimtar u testua një muaj më parë në Çarshinë e Vjetër, në Gjakovë,  kurse sot u prezantua edhe para publikut të gjerë.

Gjithçka filloi në fillim të vitit 2016, kur stafi i “BONEVET” dhe themeluesi i saj, Vllaznim Xhiha, vendosën ta ngrenë organizatën nga Gjakova në një nivel më të lartë.

Që nga themelimi i saj, kjo OJQ është përqendruar kryesisht në projekte të vogla të inxhinierisë, por ata donin të merrnin një iniciativë më të madhe dhe të fokusuar tek mjedisi.

Kështu lindi projekti “Automjeti Elektrik IPKO BONEVET’ (AEIB)”.  Nga 20 kandidatë për të kryer këtë projekt njëvjeçar, stafi i “BONEVET” i përzgjodhi gjashtë të rinj të moshës 14 deri 16 vjeç.

“Ne kemi zgjedhur tre djem dhe tri vajza. Kjo ishte me të vërtetë e rëndësishme për ne”, ka thënë Xhiha.

Ekipi i gjashtë inxhinierëve që po lulëzojnë, të mbështetur nga mentorët e tyre, i mësuan të gjitha bazat për krijimin e makinave elektrike, përfshirë projektimin  3D, elektronikën dhe mekanikën, në harmoni me afatet kohore që i kishin vendosur.

Ishte një proces i dobishëm për të rinjtë, të cilët në disa raste mësuan përmes eksperimenteve dhe gabimeve të tyre.

“Gjatë punës e mësova dizajnin. E dija pak, por kisha pjesë shumë të vështira për t’i dizajnuar. Unë pothuajse e mësova çdo mjet dhe kisha për të hartuar gjithë makinën për vetëm një javë”, kujton Dion Doli, një krijues 16-vjeçar dhe një nga specialistët e dizajnit 3D.

Krijuesit ia përkushtuan projektit gjithë kohën e tyre të lirë, të cilën e kaluan te organizata pothuajse çdo ditë. Ballafaqimi me sfida komplekse ishte gjë e zakonshme për ta.

Krijuesit e veturës elektrike duhet të mësonin edhe të punonin si ekip.

“Në fillim, me të vërtetë nuk dinim si të komunikonim dhe nuk ishim lojtarë të ekipit. Por, ne mësuam si ta bëjmë këtë dhe në vend që të punonim vetë, ne shkonim te njëri-tjetri, për ndihmë”, tha Enisa Muhaxhiri, 16 vjeçare.

“Mësuam të pranonim mendimin e dikujt tjetër, kur ishte më i mirë se sa yni”, shtoi Buna Perteshoni, 16-vjeçare, eksperte e menaxhimit në ekip.

Lumi Zhubi, 15 vjeçar që ka qenë anëtar i “BONEVET” që prej themelimit të kësaj organizate, foli për një nga pjesët më të vështira të projektit.

“Ne kishim presion kur po i montonim bateritë sepse i pritëm ato për gjashtë muaj dhe bateritë janë gjëja më e rrezikshme në makinë”, tha ai për “Prishtina Insight”.

Faza përfundimtare e procesit ishte lidhja dhe instalimi i 40 pakove të baterive me peshë prej afër  100 kg, të cilat ruajnë dhe sigurojnë energjinë e nevojshme për aktivizimin e motorit elektrik.

U deshën disa ditë punë në garazh, ku temperaturat ndonjëherë arrinin edhe 40 gradë celsius, për t’i montuar bateritë dhe për ta ndezur makinën.

Ekipi shpreson se projekti i tyre do të bëjë që komuniteti lokal të jetë i hapur ndaj makinave elektrike. Buna dhe Gëzim Haziri, të dy 15 vjeçarë, dëshirojnë të shohin që makin e tyre të përdoret rregullisht “rreth Çarshisë së Vjetër dhe për të ndaluar emetimin e dioksidit të karbonit”.

Ata thonë se veturat elektrike do ta zvogëlojnë zhurmën dhe ndotjen e ajrit në qytet.

Doli pranon se shumica e njerëzve duhet të binden ende për përfitimet nga  makinat elektrike, veçanërisht për shkak se ato konsiderohen si të shtrenjta.

“Unë zakonisht u them njerëzve se do t’u kushtonte vetëm një euro për të shkuar në Prishtinë me një makinë elektrike”, thotë ai.

Ekipi po shikon përpara për projekte të reja, të tilla si makina që punon me energji diellore si edhe si makina me hidrogjen. Ata shpresojnë të zgjerojnë shtrirjen e “BONEVET” në Kosovë, për të përfshirë më shumë të rinj në këtë hapësirë krijuese.

Beatrisa Zherka, 14 vjeçare, anëtarja më e re e ekipit, tha se ky projekt u prit shumë mirë nga qytetarët.:

“Njerëzit u mahnitën. Ata nuk mund të besonin që ne, në moshën tonë, bëmë këtë punë të mrekullueshme … edhe të tjerët mund të bëjnë të njëjtën gjë, të tjerët mund të mësojnë”, tha ajo.

Tani që projekti është kompletuar, është paradoksale që asnjëri prej krijuesve nuk mund ta drejtojë atë në rrugë e hapësira publike. Asnjëri prej tyre nuk ka patentë shoferi, pasi nuk e ka arritur moshën për t’u pajisur me patentë.

“Por, të gjithë ne kemi aftësi të mira për Photoshop”, tha Zhubi.

/Prishtina Insight/

Comment

*