Prijës dhe këshilltar

Naum Prifti

Nga NAUM PRIFTI

Kuvendi i burrave të Fangut ishte ndarë për shkak të pleqërimit të një çështje, për të cilën të urtët e fshatit nuk gjenin pajtim: Një fshatar kishte lëruar një copë djerrinë ku kishte hedhur farën e vet. Kur qe rritur gruri, i zoti i tokës shkoi e korri dhe e futi grurin në hambarin e tij. Atëherë mbjellësi që kishte hedhur farën, filloi të thoshte se tokën e kishte gjetur djerrinë dhe kërkonte shpagim për punën dhe një pjesë të prodhimit. I zoti i arës kundërshtonte duke thënë:
-Unë korra grurin në arën time, dhe me farën s’pata punë, sepse ai e hodhi në tokë. Atje ku e hodhi le të vejë ta kërkojë, se ka të ngjarë ta gjejë.
-Po gruri që u rrit, doli prej farës sime, – arsyetonte tjetri, – se po të mos kisha hedhur farë unë, atje s’do të kishte veç ferrishte.
Për shkak të kësaj grindjeje, e drejta kishte ngelur pezull dhe dy fise qenë në pragun e një armiqësie, që s’dihej sa gjatë mund të vazhdonte e ç’pasoja do të sillte. Në pamundësi të gjetjes së një vendimi të pranueshëm, pleqtë vendosen t’i drejtoheshin Skënderbeut duke thënë “Ai le ta zgjidhte si ta gjente më të drejtë.” Përgatitën një dërgatë dhe i rrëfyen me hollësi si qëndronte çështja e ku ngatërrohej filli dhe humbiste e drejta.
U mendua e u mendua Skënderbeu por nuk mori dot vendim se të dy palët dukej se kishin të drejtë dhe për më tepër duhej respektuar edhe e drejta zakonore e krahinave.
-Heu,- tha Skenderbeu, – qenka vërtet çështje e ngatërruar dhe as Lekë Dukagjini nuk besoj ta zgjidh. Këtu fillin mund ta gjeje vetëm Kokë Malçi.

=================================================
Skënderbeu e çmonte dhe e donte shumë këtë plak, nën leckat e të cilit fshihej një mendje e mprehtë dhe një humor i hollë popullor.
Qenë takuar rastësisht rrëzë fshatit Skuraj, disa vjet përpara, atëherë kur Kruja qe rrethuar për të dytën herë nga turqit. Stina e verës kishte hyrë e taka e kthyer nga plori shkriftohej lehtë nën rrezet e diellit. Kokë Malçi po lëronte në arën e vet. Bujku çapitej ngadalë pas qeve, pa u bërtitur, pa i shpuar me hosten. Dukej sikur qetë kishin bërë një marrëveshje të heshtur me plakun që të mos e lodhnin shumë.
Tek e pa aq të moshuar në arë, Skënderbeut ndjeu keqardhje dhe padashur e mendoi jetën si një rrugëtim të mundishëm. Plaku po i afrohej cakut të fundit dhe këmbët e tij s’do të linin më gjurmë mbi dheun e shkriftuar të tokës.
“Ky plak tani kthen tokën, kurse pas disa kohe do të vdesë e do të futet vetë në dhe, – mendoi Skënderbeu.”
Duke e ditur se njerëzve të kësaj krahine u pëlqente e folura e tërthortë, me shpoti dhe ndonjëherë enigmatike, Skënderbeu e mbajti kalin dhe e përshëndeti bujkun:
-Punë e mbarë, o dhe që nget dheun!
Plaku picërroi sytë, e pa mirë e mirë dhe iu përgjigj:
-Mirësevjen, o zot i dheut!
-Si vete me të largëtit?
-Keq afër e mirë larg, – qe përgjigja e tij e beftë.
Skenderbeu vuri buzën në gaz me shprehjet e zgjuara të plakut dhe vendosi ta ngacmonte më tej.
-Po mokrat e mullirit si i ke?
-Paj s’duhen veç mokrat, duhet dhe gruri.
Skënderbeu zbriti nga kali dhe u ngjit në ledh të arës. Edhe Kokë Malçi i la qetë, nguli hostenin në tokë dhe iu afrua vizitorit.
-Nga të kemi, lum miku?- e pyeti Skënderbeu
-Nga Skuraj. Kokë Malçi më kanë pasë thënë!
-E tani si të thonë? – e pyeti me kureshtje Skënderbeu.
-Besa s’e di. Po bëhen vite që s’kam rënë në pazar.
Skënderbeut ia fitoi zemrën bujku plak dhe e kundroi me vëmendje. Këmisha e tij e rrjepur dhe e lyer me dyll që t’i zgjatej përdorimi, mezi mbulonte lëkurën e rreshkur dhe qime të thinjura. Ky njeri i kishte bërë ballë jetës dhe ende e kishte ruajtur optimizmin dhe forcat brenda vetes. Skenderbeu deshi të dinte diçka më shumë dhe e pyeti:
-Çfarë pasurie ke?
-Mbi këmishë Kokë Malçi s’ka shumë gjëra, nën këmishë 80 vite.
Skënderbeut i lindi një mendim dhe i vuri dorën mbi sup.
-A ke besë?
Plakut iu bë qejfi që Gjergj Kastrioti po kërkonte besën e tij, dhe u përgjigj:
-Më të fortë se guri.
Dhe Skënderbeu ulur në ledh i rrëfeu se donte të sulmonte kampin turk në fushën e Matit, por ende s’e kishte zgjedhur kohën e sulmit. Kur mund të arrinte përfundime më të mira, në muzg, natën apo në agim?
Ia paraqiti të mirat e të këqijat e çdo plani dhe pastaj priti se ç’do t’i këshillonte Koka.
-Të isha unë kush je ti, do t’i sulmoja në pikë të vapës. Atëherë turqit janë të hallakatur hijeve dhe lahen në lumë, ose flenë gjumë.
Edhe Skënderbeut këshilla iu duk me vend dhe e zgjuar. Ashtu veproi dhe korri një fitore ushtarake të shkëlqyer. Sa herë flisnin për sulmin në fushën e Matit, ai gjithmonë thoshte se më shumë se gjysma e meritës për suksesin e betejës i takonte atij plaku të zgjuar nga Skurraj.
==================================================
Tani Skënderbeu kishte përsëri nevojë për kthjelltësinë e gjykimit dhe mprehtësinë e mendjes së plakut të urtë.
Prijësi nisi një kalorës t’i bënte zë Kokë Malçit dhe Kokë Malçi erdhi e qëndroi para Skënderbeut dhe e dëgjoi me vëmendje. Nga fytyra e tij e mprehtë, me gropëza në faqe, me mollëza të dala, me sy të vegjël e të shkathët, nën atë ballë të pjerrët, nuk shqitej kurrë një buzëqeshje prej filozofi, i cili i kundron vogëlsitë e njerëzve nga një farë largësie.
-Të thënë pas të thëne vete gjatë e fjalët s’dihet si janë shtrembëruar duke kaluar gojë më gojë, – tha Kokë Malçi. – Duhet të shkojmë në vend dhe t’i dëgjojmë të dy kambanat.
-Fjalë me vend, -tha Skënderbeu dhe urdhëroi të përgatitnin kuajt.
Kur shkuan në Fan të Bardhë, biseduan me njerëzit e të dy fiseve, dhe pasi e shoshitën mendimin mes tyre, i mblodhën të dy palët në kuvend. Ashtu si e kishte këshilluar Kokë Malçi, Skënderbeu u ngrit e tha këto fjalë:
-Atij që ka shtënë farën në arën e huaj nuk i takon gjë, se farën e ka shtënë tinëz e pa i marrë lejë kujt. Kush iu lut ta punonte arën, kush e pa kur hodhi farën, me se e fakton që e ka mbjellë ai e jo një tjetër? I zoti i arës nuk i detyrohet kurrkujt, se ka korrur grurin e vet në arën e vet.
Pleqtë e të dy fiseve e pranuan këtë arsyetim ku fjala ‘tinëz’ qe çelësi për të zgjidhur të drejtën. Grindja u mbyll dhe dy fiset u pajtuan dhe vendosën t’i shpërblenin sipas zakonit të vendit gjyqtarët që kishin ardhur aty. Ky shpërblim quhej “gjobë e këpucëve”, sepse nënkupton ecejaket e vajtje-ardhjet për gjykimin në fjalë. Ata sollën në sheshin e fshatit një viç e një sqap. Sqapi qe i shëndoshë dhe i bardhë, me perçe, me brirët si degë e me sy të verdhë. Më i madh dukej ai se viçi me ngjyrëkafeje.
Duke e respektuar si princ e si prijës luftërash, Koka i tha Skenderbeut:
-Zgjidh e merr, o zot i madh, cilin te duash!
Skenderbeu ia ktheu me modesti:
-Zgjidhni ju, si më plaku.
-Po të më takonte, o Gjergj Kastriot, une s’kisha pritur, por zakonet e vendit nuk më lejojnë. Ju jeni i parë.
-Unë dua sqapin, – tha Skënderbeu, duke e shikuar në sy pale e kishte zgjedhur mirë.
-Të qoftë! – i tha Kokë Malçi gjithë gaz.
-Pse, a nuk dita të zgjedh? – pyeti Skënderbeu pak me habi. – A nuk është më i mirë ky sqap i shëndoshë se ai viç i dobët?
-Po, o Gjergj, nuk dite, – ia ktheu Kokë Malçi, – se sqapi si sot, si mot sqap ka për të mbetur, kurse viçi që po marr unë, sot është viç, nesër bëhet mëzat e për një mot ka.
Skënderbeu u mendua pak e i tha me qesendi:
-Kam frikë se edhe po ta merrja viçin, ti sërish do thoshe: Nuk dite të zgjedhësh, o Gjergj, e do të më lavdëroje sqapin.
-Jo, -ia ktheu Kokë Malçi – veç e dija se do të zgjidhje sqapin. S’kishe si ta lije emblemën e shqytit tënd mbi kryet e Kokë Malçit. Besa duhet një kokë më e madhe se kjo imja.
Skënderbeu qeshi i kënaqur, i ra kalit e ngau përpara.

Comment

*