Problemi i Kosovës janë udhëheqësit e saj

Ndue Ukaj

Nuk është problem madhor i Kosovës kufiri, shkëmbimi i territoreve, Serbia, por udhëheqësit e korridoreve, të trullosur, inferiorë, që sorollaten metropoleve politike e kulturore, pa ide politike dhe kulturore. Pra, problemi real i Kosovës, janë udhëheqësit e paditur dhe mashtruese, që e kanë lënë vendin e shkretë, në aspektin ekonomik, politik, social, shëndetësor, kulturor, arsimor…

Të diturit thonë: Nuk ka politikë pa kulturë.

Historia politike e Kosovës, pati liderë të mëdhenj, si Ibrahim Rugova, i cili e shkëputi Kosovën prej ideologjisë komuniste, antiperëndimore, dhe e orientoi kah Perëndimi, në kuptimin e plotë të fjalës, pa dyzime dhe hipokrizi. Ishte ai që i përtëriu raportet e shqiptarëve me Perëndimin dhe Kosovën e vendosi në hartën e vendeve të lira. Dhe, në saje të filozofisë së tij të mençur, të sinqertë e të urtë dhe orientimit të palëkundur politik, bota e përqafoi kauzën shqiptare për liri, pavarësi dhe demokraci.

Ndërkaq, sot, këto raporte janë në pikën kritike dhe për këtë përgjegjësia bie mbi udhëheqësit e sotshëm të Kosovës, të cilët, me qeverisje bashibozuke, me dredhi e mashtrime, kanë ndikuar që këto raporte të marrin kahe negative.

Ibrahim Rugova, ati i pavarësisë së Kosovë, në kohë tejet të zymta, pritej me respekt nga të gjithë liderët e botës së lirë. Sepse, ai përfaqësonte një vlerë unike politike: ishte i sinqertë, i ditur dhe i urtë.

Sot, kur kemi shtet, drejtuesit tanë sorollatën si qyqarë korridoreve, sepse ata nuk përfaqësojnë vlera politike. Dhe, janë pjesë e rrëfimeve më negative të mundshme politike!

Nuk janë të sinqertë, janë të paditur dhe mashtrues.

Dhe bota këtë e di mirë.

Por, faji pse ata janë aty, nuk është veç i tyre. Është edhe i yni. I imi dhe i juve që shtireni nëpër facebook me gjoja kritika, por që pakeni kur i takoni në rrugë, kafene e ndeja.

Shoqëria jonë ka kohë që e ka abortuar vetëkritikën reale dhe, si pasojë e kësaj, ajo për çdo gjë kërkon rrugën e shfajësimit. Natyrisht, kjo është rruga më e lehtë dhe më e mirë për të justifikuar vetëveten, pazotësinë dhe paaftësinë.

Ama, nëse vërtet duam që Kosovës t’i japim kahe tjetër, atëherë duhet që shkaqet e paudhësisë sonë nuk duhet t’i kërkojmë diku tjetër, por përbrenda nesh.

Comment

*