Prodhuesit vendorë kundër Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Turqinë

Prishtinë, 10 prill 2017 – Fatos Dida, bashkë me vëllain e tij, kanë 17 vjet që e kanë nisur punën në fabrikën për prodhimin e kabllove dhe të përçuesve elektrikë të tensionit të ulët. Për prodhimin e këtij produkti, ai ka angazhuar 17 punëtorë.

Fatosi, para pak kohësh, e kishte vizituar Turqinë, ku kishte parë një numër të madh fabrikash të prodhimit të profileve të njëjta. Ai sheh rrezik të madh për të ardhmen e fabrikës së tij, nëse Kosova e miraton Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Turqinë.

Për këtë i bën thirrje Presidentit të vendit që të mos e aprovojë këtë marrëveshje, e cila, sipas tij, është shumë më e dëmshme se sa MSA-ja apo CEFTA.

Dida është në pritje të pakos së dytë fiskale, nga e cila po shpreson se do të përfitojë disa lirime që mund të rrisin konkurrencën e produkteve të tij ndaj dy fabrikave, prej ku kryesisht furnizohet Kosova, Maqedonia dhe Serbi.

Të njëjtin kundërshtim po e bën ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami. Ajo thotë se e ka pasur mirëkuptimin e ish-presidentes Atifete Jahjaga, e cila nuk e ka nënshkruar këtë marrëveshje, por nuk ka dhënë detaje nëse të njëjtën e ka gjetur edhe te presidenti aktual, Hashim Thaçi.

Nga pala kosovare, marrëveshjen e kishte nënshkruar ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, dhe e njëjta ishte futur në fuqi nga pala turke në vitin 2013.

Bazuar në këtë marrëveshje, mbi 5 mijë produkte turke do të ishin të liruara, përderisa nga Kosova do të ishin vetëm 800. Sipas disa përllogaritjeve, nga kjo marrëveshje Kosova do të humbiste deri në 20 milionë euro brenda një viti.

KTV ka bërë kërkesë në Presidencë rreth të ardhmes së kësaj marrëveshjeje, por zyrtarët përgjegjës nuk janë përgjigjur, pavarësisht premtimit se do ta bëjnë një gjë të tillë.

KTV merr vesh se pala turke i ka rritur presionet drejt Kosovës, në këtë rast ndaj Presidencës, që ta nënshkruajë këtë marrëveshje. Madje, e njëjta temë është pjesë e çdo takimi mes dy palëve.

Ky presion duket të ketë një arsye të fortë nëse bazohemi në të dhënat statistikore. Derisa në shkurt të vitit të kaluar, kur MSA nuk e kishte hyrë në fuqi, nga Turqia ishin importuar mallra me vlerë rreth 19 milionë euro, ndërsa një vit më vonë vlera e importeve nga ky vend ka rënë në 16.5 milionë euro.

Të vetmit që po e mbështesin Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Turqinë janë tregtarët. Nëse  marrëveshja hyn në fuqi, ata do të importojnë prodhime nga ky vend pa paguar doganë. (r.m.)

Comment

*