Prof. Prifti, bashkautor i revistës shkencore “Klinika Online”

Revista “Klinika Online” është një iniciativë e një grupi profesorësh të Universitetit të Mjekësisë së Tiranës

Informacioni shëndetësor është jashtëzakonisht i nevojshëm në edukimin shëndetësor të popullatës, promovimin e shëndetit në të gjitha nivelet e shoqërisë. Pikërisht, publiku shqiptar shpesh vuan për informacione mbi shëndetin, sëmundshmërinë, parandalimin, vaksinimin, të rejat shkencore, sistemin e financimit dhe politik-bërjen e sistemit shëndetësor, etj.

Në konsideratën tonë, ky informacion duhet të shkojë direkt në çdo shtresë të popullatës, pa ndërmjetësinë e kurkujt. Kjo është rruga më e mirë për të informuar publikun, duke e bërë atë aktiv, të ndërgjegjshëm, të ketë mundësi në marrjen e vendimeve dhe ndikues në përzgjedhjen politike që bën.

Emisionet televizive, media e shkruar, janë tashmë mënyra klasike të informimit të popullatës. Prej kohësh ne i kemi prezent në vendin tonë si në mediat publike edhe në ato private, gjithsesi impakti i tyre lë për të dëshiruar.

Kjo mbase në të shumtën e rasteve, mediat janë të interesuara që të paraqesin problemet dhe jo zgjidhjen e tyre, difektet dhe jo përmirësimet, të shëmtuarën dhe jo të mirën. Shpesh herë të tjera kanë konotacion politik në shërbim të një platforme apo interesave të caktuara.

Për herë të parë ne menduam që një informacion divulgativ online, i cili rifreskohet në mënyrë automatike me të rejat më të fundit në fushën e mjekësisë, është një risi në jetën publike të vendit tonë.

Në këtë kontekst edhe “Klinika Online” e cila do të publikohet pranë portalit Konica.al, do të tejçojë online të gjithë përmbajtjen e saj. Lexuesit e shumtë do të mund të informohen online, vetëm nëpërmjet një klikimi mbi çdo pikë të përmbajtjes së saj.

Pa dyshim që një revistë online do t’u japë mundësi lexuesve të shumtë që të njihen me problematika të ndryshme të shëndetësisë vetëm nëpërmjet një klikimi dhe pa kurrëfare pagese. Portali Konica.al ka ofruar gjithë logjistikën e mundshme dhe personelin e nevojshëm që bën të mundur realizimin e këtij projekti.

Bordi drejtues i revistës ka në përbërjen e tij disa profesionistë nga më të njohurit shqiptarë & të huaj në fushat përkatëse sikurse Prof. Mentor Petrela, Prof. Florian Toti, Prof. Xheladin Dracini, Prof. Asoc. Sokol Buba, Prof. Edvin Prifti etj.

Ndërkohë janë të ftuar të gjithë profesorët e Fakultetit të Mjekësisë si dhe mjekët të kontribuojnë me informacionet e tyre në publikimin e kësaj reviste.

Çdo kontribut i kolegëve tanë do të mirëpritet dhe do t’i jepet hapësira e nevojshme. Nga ana tjetër edhe stomatologët, infermierët, fizioterapistët, logopedistët dhe teknikët e laboratorit dhe imazherisë janë të mirëpritur që të japin kontributin e tyre.

Bordi drejtues do të përcaktojë bordin e revizorëve të cilët do të vlerësojnë çdo material që do të publikohet nga kjo revistë.

Qëllimi i kësaj reviste është informimi i publikut dhe i profesionistëve në fushën e shëndetësisë. Kjo do të realizohet duke mbuluar disa fusha të rëndësishme të informacionit sikurse:

 Informacione mbi sistemin e financimit të shëndetësisë.

 Analiza dhe projeksione mbi politik-bërjen e sistemit tonë shëndetësor.

 Gjendja aktuale e sistemit shëndetësor shqiptar dhe projektimi i tij drejt së ardhmes, krahasimisht me vendet e tjera të Komunitetit Europian.

 Analiza mbi çështje të caktuara të sistemit tonë shëndetësor, çfarë bëhet mirë dhe dhe çfarë jo, dhe cilat gjëra mund të bëheshin më mirë.

 Edukimi mjekësor i vazhdueshëm i të gjithë segmenteve të profesionistëve të shëndetësisë.

 Artikuj shkencorë të grupeve të ndryshme të studimit.

 Arritjet dhe të rejat e sistemit shëndetësor shqiptar.

 Të rejat e shëndetësisë në vendet e zhvilluara.

 Video mbi raste të caktuara specifike të arritjeve të mjekëve tanë.

 Intervista me personalitete të fushës së mjekësisë, brenda dhe jashtë vendit.

 Raste specifike të trajtuara nga mjekët tanë etj.

Por nuk do të mungojnë edhe informacione të tjera mbi organizma të tilla sikurse Urdhëri i Mjekut dhe organizimi i tij, ligjshmëria e lidhur me shëndetësinë, kodi deontologjik, largimi i mjekëve, spitalet private dhe aktiviteti privat, sigurimet private në shëndetësi, gabimet mjekësore dhe ligjet përkatëse etj.

Pikërisht tematika të shumta do të mbulohen me kontributin e të gjithë kolegëve tanë të cilët do të kenë mundësi të shprehin mendimin e tyre mbi çështje të mprehta nga pikëpamja administrative, politike, sociale dhe shkencore.

Në këtë mënyrë çdonjëri prej nesh do të ketë mundësi të komunikojë në mënyrë direkte me publikun. Dhe në konsideratën time personale ky është një element tepër i rëndësishëm, koherent, dhe një risi për vendin tonë.

Klinika Online është një risi mediatike e cila duhet dhe shpresojmë që do të përqafohet nga i gjithë publiku shqiptar pasi në radhë të parë i shërben atij dhe vetëm atij.

Shpeshherë njerëzit na bëjnë pyetje nga më të thjeshtat dhe nga më të zakonshmet, përgjigjen e të cilave do të mund ta gjejnë në këtë revistë. Publiku mund të ketë nevojë të marrë kontakt me një mjek të caktuar, këtë mund ta bëjë duke kontaktuar direkt revistën.

Pra bashkëpunimi në mënyrë direkte midis profesionistëve të shëndetësisë dhe publikut do të jetë thelbi i kësaj reviste. Revista do të jetë e shkruar në shqip dhe shumë shpejt do të ketë edhe një përmbledhje në anglisht.

Revista “Klinika Online” do të jetë një burim i rëndësishëm informacioni për të gjithë popullatën shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni, ku bashkëkombasit tanë do të mund të informohen në gjuhën e tyre mbi të rejat mjekësore dhe analiza të ndryshme.

Gjithashtu edhe mjekët e këtyre vendeve janë të ftuar që të kontribuojnë në divulgimin e kësaj reviste.

Ne jemi shumë të prirur që të mendojmë që revista “Klinika Online” do të jetë një çelës suksesi për të gjithë ne, si dhe në radhë të parë për publikun shqiptar.

Duke u larguar nga mënyrat klasike të edukimit shëndetësor, në shpresojmë të futemi në shtëpinë e çdo shqiptari për t’i udhëzuar mbi risitë mjekësore, mënyrat e trajtimit, terapitë e ndryshme duke filluar nga më elementaret deri tek ato kirurgjikale etj.

Por nga ana tjetër, do të tentojmë që të hyjmë në çdo zyrë shtetërore në mënyrë që të dëgjohet zëri i profesionistëve të shëndetësisë në mënyrën më të plotë, duke dhënë ndihmesën tonë sado modeste në realizimin e projekteve të mëdha të zhvillimit të shëndetësisë shqiptare.

Mendoj që “Klinika Online” do të paraqesë jo vetëm informacionin divulgativ për publikun dhe profesionistët e shëndetit, por njëkohësisht do të jetë e përjashtuar nga çdo konflikt interesi, duke u munduar që të tejçojmë një informacion sa më të pastër tek lexuesit, duke paraqitur një informacion “Urbi et orbi”, pra një informacion që duhet ta dinë të gjithë, si një personifikim i së vërtetës mbi atë argument.

Në përfundim do dëshiroja që të falënderoja portalin Konica.al, i cili ka mundësuar gjithë mbështetjen e nevojshme dhe Z. SHPËTIM NAZARKO në veçanti i cili ka besuar që në momentet e para në një projekt të tillë, e ka dëshiruar një revistë të tillë për të cilët shqiptarët kanë nevojë, duke u bërë jo vetëm ndihmesa e kësaj iniciative, por promotori dhe katalizatori i realizimit të kësaj reviste.

Prof. Edvin Prifti
Shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë

Comment

*