Profesor Anton Çetta, plaku i urtë i kombit tonë

Sadik Elshani

Me rastin e 98 vjetorit te lindje se ketij burri te rralle te kombit tone (3 janar 1920 – 4 nentor 1995)

 

Keto dite vertet te ftohta janari mendja me shkon te femijeri dhe rinia ime ne vendlindje, kur ne kete kohe te vitit mblidheshin burrat neper odat shqiptare dhe bisedonin, tregonin historira, pleqnonin, por edhe argetoheshin me mesele, anekdota, hajgare (shaka, mahi). Me odat lidhet edhe burreria, mençuria, filozofia, pasuria shpirterore e kombit tone. Kur flasim per pasurine shpirterore te popullit tone, mendja me shkon te profesor Anton Çetta, mbledhesi dhe kujdestari i perkushtuar i kesaj pasurie, folklorit tone. Po te ishte gjalle profesori, keto dite do ta festonte 98 vjetorin e lindjes. Ai nuk eshte me ne mesin tone fizikisht, por ja qe ne e kujtojme me respekt e dashuri.
Emrin e Anton Çettes e kam degjuar qysh ne moshe te re, kur kam qene ne bankat e shkolles fillore, sepse ne librat e leximit kishim ndonje vjershe apo perralle te shkruar nga ai. Kisha lexuar librin e tij per femije, “Ne prehen te gjyshes” (Prishtine, 1956). Ai ishte bere nje emer i dashur per ne, vjershat e tij ishin te drejtperdrejta, te rrjedehshme, te kuptueshme e keshilledhenese, nxisnin kurreshtjen e femijve, ngacmonin dhe zgjeronin fantazine e tyre. Ende me kane mbetur ne kujtese disa vargje nga vjersha “Marsi”:
Marsi, marsi mueji i trete
I çuditshem me t’vertete.
Nder dite t’para me stuhi,
Bore e akull, ere e shi.”
Ne janar te vitit 1974, si nxenes i gjimnazit, m’u dha rasti qe te merrja pjese ne nje seminar per teatrot amatore qe u organizua ne Brezovice (komuna e Ferizajt, Kosove). Ne ne gjimnazin e Suharekes kishim nje grup dramatik mjaft aktiv qe udhehiqej nga profesori yne i gjuhes shqipe, Ramadan Shala. Nje nga ligjeruesit e ketij seminari ishte edhe profesor Anton Çetta. Per mua si nje i ri nga Suhareka, qe emrin e tij e kisha degjuar qush si femije, takimi me profesorin ishte nje ndodhi e papershkrueshme. Ate qe emrin ia kisha pare neper libra, tani po e shihja te gjalle dhe po bisedoja me te. Qe ne fillim me beri pershtypje ajo thjeshtesia e tij, komunikimi i afert e shume i perzemert, tamam si nje plak i urte i perrallave, tregimeve te moçme shqiptare. Profesori rrezatonte urtesi e miresi njerezore. Por ajo qe me beri me teper pershtypje ishte menyra sesi fliste, shqiptimi i fjaleve, qe ishte ndryshe nga e folmja jone ne Kosove. Fliste siç flitej ne Shqiperi, nje shqipe te bute, duke shqiptuar bukur q-ne dhe gj-ne. Prandaj, edhe ligjeratat e tij kishin te benin me shqiptimin e drejte te fjaleve, menyren e shprehjes (diksionin) ne skene. Atehere une nuk e kam ditur se profesori kishte jetuar ne Shqiperi dhe atje kishte kryer shkollen e mesme. Ato dite te atij janari te larget, ne shoqerine e profesorit te nderuar, do te mbeten ne kujtesen time si çastet me te bukura te jetes sime. Une dija diçka per profesorin qe ishte mbledhes i perkushtuar i folklorit dhe qe punonte ne Institutin Albanologjik te Prishtines. Tjera te dhena per jeten e profesorit nuk kemi patur.
Profesor Anton Cetta ishte shkrimtar, profesor i letersise e folklorit, atdhetar, mbledhes i perkushtuar i folklorit. Lindi ne Gjakove me 3 janar te vitit 1920. Shkollen fillore e mbaroi ne Prizren, ndersa te mesmen ne Tirane, Korçe e Milano. Studimet per gjuhe dhe kulture romane i mbaroi me 1950 ne Universitetin e Beogradit, ku deri ne vitin 1960 punoi si asistent ne Katedren e Gjuhes Shqipe. Nga viti 1960 gjer ne vitin 1968 ka ligjeruar lendet: letersi e vjeter shqiptare, histori e letersise dhe gjuhe latine ne Universitetin e Prishtines. Nga viti 1968 Anton Çetta ka qene udheheqes i Departamentit te Folklorit ne Institutin Albanologjik te Prishtines. Siç u permend me lart, ne vitin 1956 botoi librin per femije, “Ne prehen te gjushes”. Eshte autor i disa teksteve shkollore dhe autor e bashkautor i dhjetera veprave me materiale folklorike: perralla, kenge kreshnike, balada, kenge e tregime popullore, anekdota, fjale te urta, etj. Keto visare te popullit tone ai si nje blete shqiptare i kishte mbledhur neper te gjitha trevat shqiptare, fshat me fshat, ode me ode. Ne seminarin kushtuar 500 vjetorit te vdekjes se Skenderbeut qe u mbajt ne Tirane ne vitin 1968, mori pjese edhe profesor Çetta me kumtesen: “Fytyra e Skenderbeut ne traditen popullore”.
Ne nentor te vitit 1977, ne kremtimin e 20 vjetorit te themelimit te shoqates se studenteve shqiptare qe studionin ne Universitetin e Beogradit, “Perpjekja”, mori pjese edhe profesor Antoni dhe na tregoi se ishte pikerisht ai qe e kishte pagezuar shoqaten me kete emer. Ai i kishte ndihmuar studentet shqiptare per ta themeluar shoqaten dhe kishte qene i pranishem ne mbledhjen themeluese te shoqates. Edhe ne kete takim festiv ai na porositi qe te studionim me zell, t’i kryenim studimet, t’i ndihmonim popullit tone, sepse Kosova per nje kohe te gjate do te kete nevoje per eksperte te te gjitha profileve.
Profesor Antoni se bashku me Esad Mekulin, Mark Krasniqin, Hivzi Sulejmanin, Idriz Ajetin, Kadri Halimin, Skender Rizajn e disa te tjere perbenin brezin e pare, brezin e arte te intelektualeve shqiptare te Kosoves qe e barten barren me te rende per ta arsimuar, edukuar, emancipuar popullin e Kosoves, duke u bere keshtu edhe bartes te zhvillimeve te jetes kulturore, artistike e shkencore te Kosoves. Anton Çetta ishte misherim i intelektualit te angazhuar, me ndergjegje te larte kombetare e shoqerore, i brumosur me ndjenja e vetedije atdhetare, i shqetesuar per fatet e popullit te vet. Kur shqiptaret e Kosoves po kercenoheshin, po ballafaqoheshin me regjimin çnjerezor te Millosheviqit, i cili kishte aktivizuar tere makinerine e tij shkaterruese, vdekjepruese, edhe shqiptaret kishin filluar te zgjoheshin, t’i aktivizonin mekanizmat mbrojtes: t’i linin armiqesite ne mes vete anash, te bashkoheshin, te lidhnin besen. Ne krye te levizjes per pajtimin e gjaqeve qendronte profesor Antoni, si nje njeri qe e gezonte autoritetin dhe perkrahjen e popullit, si njohes i shkelqyer i traditave tona, i shquar per gojetarine, urtesine e tij. Profesor Çetta qe kishte bredhur ne te gjitha viset shqiptare dhe kishte vjelur pasurine shpirterore te popullit tone, kishte ndenjur neper oda me burrat me te mençur te kohes, tani po e zbatonte ne jete ate pervoje, ato aftesi per te ndare pleqni, per te folur fjalen e duhur ne çastin e duhur. Ne vendin e duhur. Edhe pse ne ate kohe, vitet e 90-ta te shekullit te kaluar, profesori ishte 70 vjeç, ai me energjine e tij prej nje djali te ri nuk pushoi kurre ne misionin e tij fisnik, deri sa arriti t’i pajtoje mbi 1000 gjaqe e mbi 600 plagosje. Kush mund t’i harroje ato pamje, skena teper prekese te Verrat e Llukes?! Ata qe ishin ne gjakesi, gjakun ia falnin profesor Antonit e pastaj gjakesit. Ky ishte autoriteti qe gezonte plaku yne i urte, profesor Antoni. “Gjithçka ka kufi, por jo ajo qe duhet te bejme per atdheun” – thoshte profesor Antoni.
I tille ishte profesor Antoni mungesen e te cilit po e ndiejme edhe sot. Edhe sot kombi yne ka nevoje per njerez te urte si profesor Antoni, qe te luajne rolin e nje pajtuesi kombetar, njerez qe u shkon fjala, qe i degjon dikush, qe jane te paanshem, qe me personalitetin e tyre e bejne dike qe te ulin koken, te skuqen para tyre. Eshte shume deshperuese qe nje grup punonjesish te Institutit Albanologjik te Prishtines, disa ndoshta edhe studente te profesor Antonit, po e pengojne vendosjen e permendores se profesorit para ketij Instituti. Ne kemi nevoje qe keta njerez te medhenj t’i kemi ne mesin tone edhe ne bronz, qe kur te kalojne femijet prane t’i pyesin prinderit e tyre: “Kush eshte ky xhaxhi?” Po ashtu, profesori dy here u refuzua qe te pranohej ne Akademine e Shkencave dhe Arteve te Kosoves. E kush e meritonte kete me shume se profesor Antoni?! Por kjo nuk e shqetesonte fare profesor Antonin.
Profesor Anton Çetta sot eshte ulur kembekryq ne krye te vendit ne Akademine e Shqiptarizmit, shqiptaret ia kane ngritur permendoren ne zemrat e tyre. Do ta kujtojme e nderojme gjithmone plakun e urte te kombit tone!

Philadelphia, janar 2018
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Comment

*