Profeti me pamjen prej engjëlli mbrojtës me emrin Ibrahim Rugova!

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi,
Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Europës Juglindore

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Sot, Ibrahim Rugova do të festonte 75 vjetorin e lindjes. Në mungesë të tij jemi ne që e përkujtojmë këtë datë të shënuar. Thonë se më 2 dhjetor të vitit 1944, kur lindi Rugova, Dervishi i Luzhës në Tropojë e kishte lajmëruar lindjen e tij. I ulur rreth oxhakut dhe i rrethuar nga një numër besimtarësh, në odën e miqve, Dervishi i famshëm kishte ndal frymën dhe kishte thënë: “Në këtë moment lindi profeti i Kosovës. Eshtë ky profet që do t’ia sjellë lirinë shqiptarëve në Kosovë”.
Askush nuk e dinte asokohe emrin e vendin e saktë të lindjes së këtij “profeti”, por profecia e Dervish Luzhës u rikthye në kujtesën e dëshmitarëve të kohës 45 vite më vonë, atëherë kur Ibrahim Rugova do të linte mantelin e intelektualit të guximshëm dhe do të merrte përgjegjësinë e fatit të Kosovës, si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e më pas si president i saj. Por dihej se profecia e asaj kohe kishte ndodhur në fillimin e dhjetorit 1944.
Shumë njerëz e konsiderojnë Ibrahim Rugovën një profet, një magjistar, që mori në dorë dhe e çoi drejt lirisë popullin e vet. Nëse njohim filozofinë e tij, sjelljen e tij, inteligjencën dhe mençurinë e Rugovës do të shkojmë te përfundimi i pa tjetërsuar se Ibrahim Rugova ishte një profet me tipare krejt njerëzore, krejt normale për shoqëritë më të emancipuara të botës.
Ai ishte i duruar, por edhe i vendosur deri në vetëmohim. E donte lirinë dhe pavarësinë e Kosovës më shumë se çdokush tjetër, por pa dhimbjen e humbjes dhe shkatërrimit të vendit të tij. Unë nuk njoh ndonjë komandant lufte të mbetur gjallë, që ta ketë dashur kaq shumë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Se kjo dashuri ka matësin e vet dhe kryesorja është përkushtimi për të bërë shtet. Pikërisht kjo i ka munguar Kosovës së pas Rugovës.
Ai ishte paqësor në sjelljet taktike, por i vendosur dhe këmbëngulës i pa kompromis për qëllimin final. Tolerant deri në ekstrem për gabime të paqëllimshme, por i pa mëshirshëm ndaj atyre që kishin agjendë anti-shqiptare e anti-kosovare. Ishte i urtë, i matur, por jo i butë dhe zvarranik për ta tërhequr dikush tjetër, kushdo të ishte ai, për hunde.

Dr. Ibrahim Rugova.


Ibrahim Rugova u soll si liberal e njëkohësisht si radikal. Parimet e tij qenë profetike dhe të pakontestueshme prej miqve, bashkëpunëtorëve, madje edhe prej armiqve, kundërshtarëve dhe ziliqarëve. Parimi i mos-dhunës i dha Kosovës armën e të qenit viktimë, me qëllim që kauza e saj të njihej e pranohej në botën e civilizuar. Parimi i refuzimit të pushtetit serb në Kosovë u dha miqve euro-amerikanë mesazhin e qartë se vetëm pavarësia do të ishte zgjidhja e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë.
Parimi i ballafaqimit të ideve dhe vizioneve e përforcoi kudo në botë bindjen se shqiptarët janë të aftë dhe konkurrues të denjë për shtet-formimin, shtet-ndërtimin dhe kapërcimin e sfidave kombëtare e rajonale në kushtet e një shoqërie të civilizuar, demokratike e për pasojë në paqe e stabilitet. Parimi i kompaktësimit të qytetarëve të vet, që Rugova e zhvilloi me mjeshtërinë të jashtëzakonshme, bëri të mundur mbijetesën e shqiptarëve në Kosovë. Në kushtet e pushtimit e të dhunës së Serbisë, në kushtet e represionit të përditshëm të policisë dhe institucioneve serbe të dhunës në Kosovë, Ibrahim Rugova me sjelljen e tij, me energjinë pozitive që çliroi, me shembullin dhe idetë e tij, me maturinë e jashtëzakonshme dhe frymën e bashkimit, e mbajti kompakte popullsinë e Kosovës të lidhur ngushtë me vendlindjen, me pronën, duke i dhënë asaj shpresë për të ardhmen.
Ibrahim Rugova punoi me sinqeritet të hapur me miqtë e Kosovës, amerikanët dhe evropianët. Nuk u pa asnjëherë në vizita në ndonjë kryeqytet lindor, por nuk nguroi të takohet dhe të informojë kancelaritë perendimore për situatën e vështirë e shpërthyese në Kosovë . Ai përcaktoi katër shtylla kryesore, në të cilat do të bazohej ardhmëria e vendit të tij, çlirimi prej sundimit të Beogradit dhe pavarësia e Kosovës. Këto shtylla ishin Uashingtoni, Vatikani, Berlini dhe Londra, pa lënë në hije Parisin, Vjenën, Romën e madje edhe Madridin.
Të gjitha arritjet e Kosovës, çlirimi dhe pavarësia e vendit, kanë vulën e mendimit, veprimit dhe vizionit të Ibrahim Kosovës. Fryma e tij e ka ndihmuar Kosovën që të respektohet edhe pas vdekjes së “profetit” të saj. Kam shkruar herë tjetër dhe kam thënë se sa më shumë kohë të kalojë, aq më i madh do të duket Rugova në sytë e shqiptarëve dhe të botës së qytetëruar. Madje kam thënë se do të duhen 50 vite që njerëzia ta kuptojë dhe zbërthejë filozofinë e tij të veprimit, mendimit, aksionit politik dhe të fitores.
Fatkeqësisht u dasht vetëm pak më shumë se një dekadë që të kuptojmë sa boshllëk ka lënë Rugova në shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe atë kosovare në veçanti. Me Rugovën do të kishin përfunduar llogaritë me Serbinë dhe Kosova do të ishte anëtare e OKB-së. Kjo do të kishte ndodhur, sepse Rugova nuk shkonte si zvaranik në bisedimet përballë palës serbe. Do të kishte ndodhur, sepse nuk do të kishte lider politik në Shqipëri që ta zëvendësonte rolin e tij të pashmangshëm e ta sfidonte atë me iniciativa dhe agjenda pro-serbe. Do të kishte ndodhur, sepse Rugova kishte bindjet e tij të pandryshueshme, sipas parimit “Kokën mund të ma ndërroni, por mendimin jo”! Do të kishte ndodhur, sepse përballë argumenteve dhe urtësisë së tij përulej çdo diplomat dhe interlokutor i zgjidhjes së konfliktit midis Prishtinës dhe Beogradit.
U dasht që pasuesi i Rugovës në pushtet të dështonte në mënyrë spektakolare, me qëllim që edhe të pabindurit të binden për vlerat, mençurinë dhe urtësinë e liderit më të madh të të gjitha kohëve për Kosovën, Ibrahim Rugova. Këtë nuk do ta dëshironte askush. Dhe e vërteta është se Rugova nuk lartësohet nga dështimet e kësaj klase politike që ai la pas. Lartësitë e vizionit të tij qëndron në filozofinë moderne që ai aplikoi.
Kanë kaluar 75 vite nga lindja e tij. Do të kalojnë edhe 7500 vite dhe “profeti” i Kosovës do të çmohet si njeriu më meritor i historisë së vendit me historinë e një kontinenti – Kosovës!

Tiranë, më 2 dhjetor 2019

Comment

*