Profili i Anton Çettës sipas Anton Nikë Berishës

Emin Azemi

“VEPRA E ANTON ÇETTËS PËRLIGJ QENËSINË E TRASHËGIMISË SONË”, e studiuesit dhe shkrimtarit Anton Nikë Berisha, kompenson në masë të duhur detyrimin tonë ndaj prof. Anton Çetës, duke e paraqitur këtë të fundit në një dritë më të plotë, por edhe më udhërrëfyese për autorë dhe studiues të tjerë. Ky libër është i rëndësishëm edhe për faktin që, përmes profilit të prof. Çettës, ngrihet në nivelin e merituar trajtimi mbi letërsinë tonë gojore, një fushë kjo padrejtësisht e anashkaluar nga shkrimtarët dhe studiuesit e ndryshëm

 

Studiuesi dhe autori i librit “VEPRA E ANTON ÇETTËS PËRLIGJ QENËSINË E TRASHËGIMISË SONË”, Anton Nikë Berisha, duke qenë për vite tëra,  një prej miqve e bashkëpunëtorëve më të afërt të prof. Anton Çetës, pikërisht në 100 vjetorin e lindjes së tij, sjell jo vetëm një këndvështrim të munguar deri më tani, por edhe një indeks të gjerë të dhënash interesante mbi profilin e pasur të jetës dhe veprës së Anton Çettës. Ky libër është ‘skedari’ më i kompletuar për jetën dhe veprën e një personaliteti, siç ishte Anton Çetta, i cili kësaj radhe vjen i plotë,  i shumanshëm dhe, mbi të gjitha,  i liruar nga mitizimet dhe folklorizmat e tepruar që i bëri bulevardizmi ynë publik.

Kjo punë, pra, nuk ka mundur të bëhet pa njohjet  e thella dhe tepër përkushtuese të Anton Nikë Berishës mbi veprimtarinë e pasur të Anton Çetës, që,  siç del edhe në veprën që kemi në duar,  autori me argumente e referenca të shumta shkencore analizon dimensionet e qenësisë së letërsisë gojore nën prizmin e  veprimtarisë së  prof. Anton Çettës , si mbledhës, si botues por edhe si studiues i krijimtarisë gojore. Duke nxjerrë në dritë koloritin e pasur gjuhësor e psikologjik të kësaj letërsisë,  Anton Çetta, sipas,  dha një nga ndihmesat më të mëdha që njeh deri më sot historia e letërsisë sonë gojore.

Por, studiuesi Anton Nikë Berisha, ndonëse mik dhe koleg i afërt me prof. Çettën, megjithatë arriti të ruaj distancën gjykimit racional mbi këtë personalitet të shuar të kulturës sonë, duke na ofruar një profil deri tani të paplotë, ose të trajtuar njëanshëm, nga ata që rolin  e pajtuesit të gjaqeve të prof. Çetës e kishin mbivendosur si një hije ndaj veprimtarisë së tij gjysmë shekullore në fushën e mbledhjes, botimit dhe studimit të folklorit tonë.

Cili është kontributi kryesor i Anton Nikë Berishës me studimin tij  VEPRA E ANTON ÇETTËS PËRLIGJ QENËSINË E TRASHËGIMISË SONË?

E para, ajo çka na imponohet si përshtypje e parë, është fakti se figura e Anton Çettës del nga një narrativ i përhapur se ai ishte vetëm folklorist dhe pajtues gjaqesh, duke e lënë mënjanë plotninë e profilit të tij prej mbledhësi e studiuesi të letërsisë sonë gojore.

Anton Nikë Berisha me këtë vepër prish disi skemat e këtij narrativi dhe na sjell në vëmendje një personalitet të shquar , i cili gjatë veprimtarisë së tij gjysmëshekullore i ishte përkushtuar artit të fjalës së folur – letërsisë gojore. Për Anton Çetën ky art kishte shumë rëndësi në jetën  përditshme të njerëzve dhe, siç del edhe nga studimi i Anton Nikë Berishës, fuqia shprehëse dhe komunikuese e fjalës riprodhonte raporte të reja midis atyre që e përdornin atë, qoftë në kontekst pozitiv, qoftë negativ.

E dyta, duke gjurmuar thesarin popullor, që nga fillimi i viteve 50—ta , në krahina e rrethe të ndryshme të banuar me shqiptarë, Anton Çetta, në mendësinë tonë kolektive injektoi gjeografinë e pasur etno-psikologjike e gjuhësore të shqiptarëve, duke filluar nga  Drenica e Shala Bajgores , për të vazhduar pastaj në Dukagjin, në Rekë të Keqe, në Rugovë e në vise të tjera të Kosovës si dhe në viset shqiptare të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Ky nuk është vetëm një preokupim i thjeshtë studimor i Anton Çetës, por edhe thelbi i një misioni që në qendër kishte shpëtimin nga harresa dhe zhdukja e një arkivi të pasur me margaritarë nga arti dhe mençuria popullore.

Nga ajo që e thotë autori Anton Nikë Berisha kuptojmë se rëndësia kolosale e punës hulumtuese të Anton Çettës është vendosja e lidhjes së pashkëputshme në mes të krijimtarisë gojore dhe memories kolektive, sepse vetëm kështu u ruajt kontinuiteti i gjallimit të shqiptarëve ndër shekuj.

E treta, mbi këtë paradigmë socio-kulturore, u ndërtua edhe strategjia krijuese e shkrimtarëve të mëvonshëm, të cilët motivet dhe fabulat e tyre i mbështetën në ngjarje e personazhe të huazuar nga letërsia gojore.

Për të qenë më bindës në vlerësimin e artit gojor dhe në mbindërtimin artistik nga an e shkrimtarëve e studiuesve të ndryshëm, duke marrë për bazë pikërisht këtë art, Anton Nikë Berisha sjell edhe një mendim të Anton Çettës që ia kishte thënë atij.

“Kryesorja në punën tonë janë materialet cilësore të mbledhura dhe të botuara me kujdes. Ato kanë vlerë të përhershme. Studiuesit e fushave të ndryshme, po jo vetëm ata, do t’u kthehen atyre përherë, sepse në to do të gjejnë çështje të rëndësishme. Studimet dhe vlerësimet për to do të ndryshojnë, materialet dhe vlerat e tyre do të mbesin”.

Libri ‘VEPRA E ANTON ÇETTËS PËRLIGJ QENËSINË E TRASHËGIMISË SONË’ është i organizuar sipas një strukture që ndjek ecurinë dhe zhvillimin e parabolës jetësore e shkencore të prof. Anton Çetës, duke filluar nga kapitulli i parë, QENËSIA E TRADITËS DHE DOMOSDOJA E NJOHJES DHE E STUDIMIT, pastaj ANTON ÇETTA POET PËR FËMIJË, deri te kapitujt MBLEDHËSI DHE BOTUESI MË I SHQUAR I LETËRSISË GOJORE SHQIPE, STUDIUES I VËMENDSHËM I LETËRSISË GOJORE, QENËSIA E NJOHJES SË MENDËSISË DHE PRAKTIKA E PAJTIMIT TË GJAQEVE, PERSONALITET QË IA KUSHTOI JETËN KULTURËS DHE BOTËS SONË, TË DHËNA MBI JETËN E ANTON ÇETTËS,  për ta mbyllur me pjesën aspak të njohur deri më tani për publikun e gjerë, siç janë PESË LETRA TË ANTON ÇETTËS, me ç’rast autori Anton Nikë Berisha prezanton thellësinë e profilit të  prof. Anton Çetës përmes korrespodencës që kishte pasur me të, ku spikat kujdesi gati prindëror i profesorit ndaj studiuesit atëherë të ri, pra Anton Nikë Berishës, (jemi në fund të viteve 70 dhe fillim të tetëdhjetave) si dhe qëndrimi i tij intelektual e profesional mbi shumë tema e probleme që e preokuponin  atë në vitet kur ishte aktiv në terren dhe në studion e tij të punës. Në këto letra, në shikim të parë private, shpaloset si një gonxhe e fshehur pas petaleve, portreti i një njeriu që përpos pasionit për peshkim dhe për sportin e boksit, kishte edhe qasjen e ngrohtë e spontane ndaj njerëzve që e rrethonin, duke filluar nga anëtarët e familjes e deri te miqtë dhe kolegët të cilët e rrethonin.

Kornizat e portretit shkencor e krijues të Anton Çetës, sipas veprës që kemi në duar, del të tejkalojnë përkufizimet zhanrore, për arsye se prof. Anton Çetta, në laboratorin e tij krijues përpunoi edhe verbin poetik, kryesisht kushtuar më të vegjëlve,  pikërisht me vëllimin  me poezi, “Në prehën të gjyshes” të botuar më 1955 dhe me poezitë e lëna në dorëshkrim me titullin “Vjetigazmuer”, për t’u thelluar në një fushë që ai e kishte për zemër. Kjo  ishte puna  kushtuar letërsisë gojore e prof. Anton Çetta (1920 – 1995) e cila filloi më 1953, kur bashkë me Vojisllav Dançetoviqin  dhe KadriHalimin botoi blenin “Kangë popullore të Kosovë-Metohisë” II. , pastaj “Tregime popullore I. Drenicë” (1963) Gjatë punës në Institutin Albanologjik, prof. Anton Çeta, sipas burimeve të autorit Anton Nikë Berisha,  nxiti dhe përmbushi gati në tërësi projektin prej 25 blejsh me materiale të letërsisë gojore nga Kosova dhe trojet shqiptare në Mal të Zi dhe në Maqedoni, pjesën më të madhe të përgatitur nga ai vetë. Në këtë bibliografi të pasur, mund të veçojmë edhe vëllimin “Kërkime folklorike” , ku janë përfshirë punimet kryesore të Anton Çettës të botuara nga viti 1955. Mbi rëndësinë e këtij vëllimi, Anton Nikë Berisha në librin e tij jep këtë vlerësim: “Disa prej punimeve të përfshira në vëllimin “Kërkime folklorike” janë të rëndësishme për arsye se janë për arsye të parat në traditën tonë që hedhin dritë mbi dukurinë që shqyrtohen, ndërsa disa të tjerë theksojnë një varg idesh e dukurish që kërkojnë të shqyrtohen në mënyrë të gjithanshme”.

Një vlerë tjetër që del në pah, ndërlidhet me pasionin e prof. Anton Çettës në arkivimin e letërsisë gojore, duke themeluar në kuadër të Degës së folklorit të Institutit albanologjik të Prishtinës, Arkivin e kësaj letërsie, ku u tubuan rreth 50. 000 njësi letrare gojore.

Nga ky libër mësojmë edhe shumë detaje biografike të prof. Çettës, që nga fëmijëria e tij dhe shkollimi i hershëm në Korçë dhe Tiranë, si dhe studimet në Beograd dhe qëndrimet studimore dhe pjesëmarrja në seminare e kongrese të ndryshme të botës, pa harruar edhe kontributin e tij në procesin edukativ-arsimor në Universitetin e Prishtinës si dhe përkthimet.

Ajo që mbetet e pashkëputur nga veprimtaria publike e prof. Anton Çettës, është kontributi i tij madhor në aksionin e madh për eliminimin e hasmërive midis shqiptarëve. Ky dimension në diagramin jetësor të prof. Anton Çettës, i cili përvojën që ai e kishte fituar në terrenin e krijimtarisë gojore e barti në terrenin e pajtimit të gjaqeve. Ajo që mund të thuhet si porosi pasi ta kemi lexuar veprën e Anton Nikë Berishës mbi këtë dimension të Anton Çetës, është se ai përtej pajtimit të gjaqeve në mes të shqiptarëve realizoi pajtimin kombëtar, si kushtin e domosdoshëm për të zhvilluar projektin e madh të ndërtimit të shteti, që nga faza e luftës e deri te ajo e ngritjes e konsolidimit të institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi.

“VEPRA E ANTON ÇETTËS PËRLIGJ QENËSINË E TRASHËGIMISË SONË”,e studiuesit dhe shkrimtarit Anton Nikë Berisha, kompenson në masë të duhur detyrimin tonë  ndaj prof. Anton Çetës, duke e paraqitur këtë të fundit në një dritë më të plotë, por edhe më udhërrëfyese për autorë dhe studiues të tjerë. Ky libër është i rëndësishëm edhe për faktin që, përmes profilit të prof. Çettës,  ngrihet në nivelin e merituar trajtimi mbi letërsinë tonë gojore, një fushë kjo padrejtësisht e anashkaluar nga shkrimtarët dhe studiuesit e ndryshëm, por mjaft e qenësishme në procesin  krijues si dhe në ridimensionimin e së kaluarës përmes një pasurie folklorike që po shkon duke u zhdukur pamëshirshëm. Pikërisht i shqetësuar nga ky fakt, zë fill edhe preokupimi kryesor i prof. Anton Çettës, puna kolosale  e të cilit ka mbetur një gurë i çmuar në kalanë e mbamendjes sonë kolektive.

Shkup, 22 dhjetor, 2020

 

Comment

*