Progresi i Kosovës në raportin “Doing Business” – vetëm në letër

Prishtinë, 2 nëntor 2017 – Banka Botërore, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë vlerësojnë se furnizimi me energji elektrike, mbrojtja e investitorëve dhe mungesa e punonëtorëve profesionalë në treg pengojnë nxitjen e investimeve.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se ka ardhur koha të punohet më shumë për tërheqjen e investitorëve e huaj.

“Në vitin 2016 kanë qenë më pak se 216 milionë euro investime të huaja direkte, të barabarta me vitin 2007, që tregon një ngecje. Ne kemi bërë një korelacion mes raporteve, megjithatë nuk kemi ndonjë progres në interesimin e investimeve te huaja në Kosovë. Sipas raportit të fundit “Doing Business 2018”, ne jemi para vendeve të Ballkanit, besa edhe para Italisë e Turqisë, por komentet nga të tjerët janë se jemi të mirë ne letër. Unë mendoj se tani është momenti i fundit kur ne duhet t’i tërheqim investitorët e huaj edhe në praktikë”, ka thënë Zeka.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se kjo ministri, në bashkëpunim edhe me ministritë tjera, është duke bërë vazhdimisht reforma për nxitjen e investimeve.

“Ne, si ministri, jemi për reforma, por nuk varet gjithçka prej neve. Pas ndryshimit të Ligjit për Shoqëri Tregtare, të cilin presim ta procedojmë në Kuvend, Kosova do të arrijë progres me heqjen e procedurave burokratike. Ne kemi bëre disa veprime konkrete, jemi duke punuar në reforma që bashkë me organizmat tjerë të bëjmë presion dhe për përmirësime në fushën e energjisë, në të cilën jemi ranguar dobët”, ka thënë ai.

Hasani ka thënë po ashtu se, brenda dy muajsh, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të nxjerrë rregulloret dhe udhëzimet administrative për implementimin e Ligjit për Investime Srategjike, duke shikuar mundësinë që tokat e mbetura të paprivatizuara t’u jepen në shfrytëzim investitorëve ose t’u ndahet hapësirë në zonat ekonomike, si dhe krijimin e fondit të punësimit ,në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës e teknologjisë dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për aftësimin e të rinjve për tregun e punës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se vonesa në ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re ka sjellë një situatë jo të mirë në furnizim me energji elektrike. Ai ka thënë se së shpejti pritet të nënshkruhet kontrata për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

“Tani jemi në përfundim të bisedimeve. Besoj se në dhjetor do ta nënshkruajmë marrëveshjen me kompaninë “Global Contour” për çështje sociale dhe mjedisore. Tani do të hapet tenderi për ndërtimin e kapacitetit prej 450 megavatë orësh netto, me vlerë prej mbi 1 miliard eurosh”, ka thënë Lluka.

Por, ai ka pohuar se financimi i projektit do të jetë problem, sepse Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim nuk do të përkrahë projekte të termocentraleve me thëngjill.

Ministri Lluka ka theksuar gjithashtu se investitorët e huaj frikësohen nga tarifat e larta për biznese.

“Sa i përket investitorëve të huaj, ata frikësohen të investojnë ne Kosovë duke e ditur se jemi vendi i vetëm në botë që i kemi për 40% më të shtrenjta tarifat  e energjisë elektrike për biznese se sa për ekonomitë familjare. Humbjet që i bartë biznesi në mungesë të energjisë elektrike llogariten 300 milionë euro”, tha Lluka.

Blerta Qerimi nga Banka Botërore ka thënë se pavarësisht rngritjes 20 vende për të bërit biznes, Kosova ende mbetet vendi më i paintegruar ekonomikisht në rajon.

“Raportet e tilla përçojnë sinjale të mira, tregojnë se qeveritë po fillojnë të reformojnë. Megjithatë, Kosova është një ndër vendet më të paintegruara ne procese ekonomike. Po ashtu,  Kosova ka kosto të konsiderueshme administrative dhe, duke e pasur parasysh se tregu është i vogël, rritja e eksportit është esenciale për Kosovën”, ka thënë ajo. (r.m.)

Comment

*