Prokuroria paguan mijëra euro më shumë për përkthimin e dosjes “Stenta”

Prishtinë, 12 gusht 2017 – Prokuroria e Shtetit është mburrur qe dy vjet për ngritjen e aktakuzës “Stenta”, e cila është aktakuza më e madhe që nga paslufta për korrupsion. Por vetë ky institucion gjatë trajtimit të këtij rasti është përfshirë në parregullsi e shkelje ligjore.

Prokuroria e Shtetit ka dhënë një tender në vlerë prej 35 mijë eurove një kompanie private për përkthimin e dosjes “Stenta”, por një gjë të tillë e ka bërë pa hapur tender si dhe ka paguar çmim më të lartë për përkthimin e një faqeje krahasuar me çmimin e tregut.

Prokuroria në kundërshtim me ligjin ka ftuar kompaninë “Translation Center” për të përkthyer shkresat e një prej lëndëve më të mëdha të korrupsionit në vend, duke përjashtuar përkthyesit e tjerë, shkruan sot Koha Ditore.

Këtë e kanë bërë, siç kanë thënë ata, pasi lënda ka përmbajtur “informata konfidenciale”.

Por vetëm 7 faqe nga e gjithë dosja mbi 10-mijëfaqeshe janë të klasifikuara si dokumente konfidenciale.

Për më tepër, gazeta e ka të gjtihë dosjen e këtij rasti që është botuar në disa seri vitin e kaluar. Përkthimi nga gjuha shqipe në gjuhë të tjera është bërë vetëm pasi që është ngritur aktakuza. Kur Prokuroria ngre aktakuzë, ai konsiderohet dokument publik pasi që do tëshqyrtoht në gjykatë. Dhe, seancat në rastin “Stenta” janë publike.

Për 2960 faqe, është paguar 35 mijë euro, që i bie se një faqe PSH-së i ka kushtuar 12 euro, ndërsa çmimet e tregut të kompanive që i ka shikuar gazeta sillen rreth 10 euro për përkthime me pakicë.

Gazeta e ka kontaktuar edhe kompaninë Translation Center. Pronar në Agjencinë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve figuron Arif Kastrati. Por, kur e ka telefonuar gazeta, ai nuk eka ditur se është pronar.

“Unë jam vetëm përkthyes,” ka thënë ai.

Kur i është sqaruar se emri i tij figuron si pronar në ARBK, e ka pranuar që është “edhe përkthyes, edhe aksionar”. (r.m.)

Comment

*