Prokuroritë në Durrës, Krujë dhe Tiranë filluan hetimet e pasojave të tërmetit

Hetimet u njoftuan menjëherë pasi presidenti Ilir Meta mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare në prani të kryeministrit dhe të të gjithë titullarëve të institucioneve

Denion Ndrenika

Prokuroritë në Durrës, Krujë dhe Tiranë filluan hetimet e pasojave të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.

Prokuroritë po hetojnë kryesisht shkaqet për humbjen e 51 jetëve dhe lëndimin e thuajse 950 personave të tjerë për ndërtimet e paligjshme, shpërdorimin e detyrës dhe dhënien e ndihmës për ndërtim të paligjshëm.

Këto hetime shënojnë rastin e parë madhor që mund të përfshijnë zyrtarë vendorë apo qendrorë të të gjitha niveleve si biznesmenë apo të tjerë persona dhe institucione që lidhen me veprimtaritë në ndërtimtari.

Hetimet u njoftuan menjëherë pasi presidenti Ilir Meta mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare në prani të kryeministrit dhe të të gjithë titullarëve të institucioneve.

Presidenti Meta në fejsbuk njoftoi se Këshilli diskutoi për bashkëveprim dhe bashkërendim të ngushtë ndërinstitucional për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë në vend.

Ndërkaq kryeministri Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë në mëngjes paralajmëroi ndërtuesit për ndëshkim të pashembullt nëse nuk përmbushin detyrimet ndaj qytetarëve të prekur:

“Të paraqiten vetë urgjentisht! Të bëjnë deklaratën e gatishmërisë për t’i paguar një për një vetë të gjitha riparimet, dëmtime që nuk kërcënojnë qëndrueshmërinë e godinës. Kush do t’i shmanget këtij detyrimi, do të jetë i akuzuar përpara drejtësisë dhe do të kërkojmë burgim për papërgjegjshmëri”.

Më shumë se 9 mijë persona mbetën pa strehë nga tërmeti 6,4 shkallë i Rihterit që goditi Tiranën, Durrësin, Thumanën e Krujës, Laçin, Lezhën, Mirditën.

Mijëra banorë u shpërndanë nëpër çadra, hotele, familje solidare në Shqipëri dhe në Kosovë.

Mijëra pallate ndërkaq si dhe shtëpi dhe objekte të tjerë, u shkatërruan plotësisht ose pjesërisht.

Comment

*