Promovohen dy libra të studiuesit të letërsisë, Muhamet Hamiti

Prishtinë, 16 dhjetor 2016 – Të premten, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, u bë përurimi solemn i dy librave të sapobotuar të studiuesit të letërsisë, Muhamet Hamiti: “Proza moderne”, botuar në Shtëpinë Botuese “Faik Konica”,  dhe “Besimi letrar”, botuar në Shtëpinë Botuese “Parnas”.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, në fjalën e hyrjes, tha se këto dy libra, me strukturë dhe përmbajtje të ndryshme, “përkojnë me çështje të poetikës së leximit dhe të studimit të letërsisë, të autorëve, të veprave e të fenomeneve letrare që i përkasin letërsisë së huaj, më saktësisht letërsisë angleze, por edhe letërsisë nacionale”.

Gajraku tha se të dy librat janë kontribut i rëndësishëm i Hamitit për njohjen me autorë e vepra të mëdha të letërsisë së huaj dhe me dije të reja letrare.

“…këto vepra që po promovohen sot janë një kontribut i këtij autori, i cili kërkon ta shqyrtojë e lexojë këtë letërsi, për t’i bashkëngjitur vargut të mënyrave të leximit, nga kultura të ndryshme nacionale e dije të ndryshme letrare”, tha ai.

“Kjo do të thotë që nga ky lexim i librave të autorit Hamiti, do të jetë i ndihmuar lexuesi i Kosovës, nga një diskurs kritik i veçantë, që i vëren e i percepton ndikimet midis letërsive, marrjet midis tyre”, theksoi Gajraku.

Lindita Tahiri, studiuese dhe profesoreshë e letërsisë, i cilësoi librat e fundit të Hamitit si ura komunikimi me dije të reja letrare, e cila i ka munguar lexuesit shqiptar prej  rreth tri deceniesh dhe si kontribut të rëndësishëm për rivendosjen e lidhjeve me metodat moderne të studimit letrar.

“Lexuesit shqiptar i kanë munguar këto ura teorike, qysh nga vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë, kur teoritë strukturaliste dhe postrukturaliste franceze u bënë pjesë e mendimit teorik shqiptar jo vetëm letrar, falë studimeve dhe përkthimeve të Ibrahim Rugovës, Rexhep Ismajlit, Sabri Hamitit, Mensur Raifit. Në ato vite, jo vetëm përkthimet e studimeve teorike-kritike, por edhe përkthimet e letërsisë botërore, si thotë autori në librin “Besimi letrar”, janë bërë një kundërhelm ndaj realizmit socialist, përkatësisht ndaj shkencës ideologjike”, tha Tahiri.

“Dhe sot, në kohën e kulturës së popullarizuar të konsumit, kur në zhvillimet letrare shqipe nuk po rivendosen sa duhet lidhjet me metodat moderne të studimit letrar, dhe kur  letërsia moderne ka pësuar aq shumë ndryshime saqë vështirë se mund të jetë mjaftueshëm moderne (Matz: 2004) ,  këto botime që po i përurojmë  bëhen edhe më të vlefshme e domethënëse”, theksoi ajo.

Studiuesja Lindita Tahiri shprehu bindjen se dy librat e fundit të Hamitit do të nxisin debatin “për natyrën e letërsisë, për veçantitë e fenomenit letrar”.

“Një debat i këtillë del veçanërisht i rëndësishëm kur merret parasysh diskutimi letrar normativ nё mjediset tona, sidomos në ambiente shkollore, e nganjëherë edhe akademike”, tha Lindita Tahiri.

Nysret Krasniqi, gjithashtu sjudiues e profesor i letërsisë, foli për librin me ese letrare “Besimi letrar”. Ai tha se ky libër është fryt i “leximeve sistematike, precize e të zgjedhura” të autorit, i cili i peshon veprat letrare shqiptare me vepra të njohura të letërsisë anglo-saksone.

“Muhamet Hamiti, në besimin e tij letrar, i cili nuk është thjesht besim utopist por i shtresuar në lexime sistematike, precize e të zgjedhura me finesa të filigranit, e di se edhe në një kulturë nacionale merr vlerë e jeton ajo vepër apo ai fenomen, i cili bëhet i matshëm me veprat e mëdha të trashëgimisë evropiane, sidomos të asaj anglo-saksone”, tha Krasniqi.

“Kur shkruan për autorët e veprat e mëdha të kanonit perëndimor, Muhamet Hamiti mendjen e ka te ndikimi i tyre në universalitetin letrar, i cili domosdo do të duhej ta tangjentonte edhe kulturën shqipe”, shtoi ai.

Stdiuesi Krasniqi tha se Hamiti, në librin “Besimi letrar”, shkruan për fenomene dhe për autorë shqiptarë, duke i matur me autorë e vepra të mëdha të letërsisë botërore.

“… kur Muhamet Hamiti shkruan për fenomenet dhe autorët shqiptarë, të cilët i njeh shkëlqyeshëm, duke ruajtur gjithnjë autenticitetin dhe frymën e kulturës nga ku burojnë, gjithnjë krahasimi bëhet me veprat e mëdha të letërsisë së përbotshme”, tha ai.

“Ku veneron Muhamet Hamiti?”, pyeti Krasniqi, duke folur per temat që i trajton autori në këtë libër.

“Gjithsesi në tema të rënda siç janë: identiteti e literariteti, religjiozja e religjioni në literaturë, historia letrare e klasikët e letërsisë, evolucioni letrar, bota misterioze narrative e Konradit dhe Xhojsit, tradita e barbaria në prizmin e literaturës, për të vijuar me analiza konceptuale të letërsisë shqipe, të cilat dëshmojnë për një lexim të mprehtë të produksionit letrar shqiptar”, tha ndër të tjera Nysret Krasniqi.

Nazmi Rrahmani, drejtori i Shtëpisë Botuese “Faik Konica” i quajti si të veçanta dy librat e Muhamet Hamitit. Ai tha se botimi i librave të tilla është nder për çdo shtëpi botuese.

Autori Muhamet Hamiti, duke i falënderuar botuesit e referuesit dhe pjesëmarrësit në përurimin solemn të dy veprave të tij të fundit, tha se ato janë shprehje e interesit të tij për klasikët e letërsisë dhe e rileximeve të veprave të mëdha të tyre dhe të disa autorëve shqiptarë.

 

Ramadan Muçolli

Image may contain: one or more people and indoor

Comment

*