Promovohet doracaku i Anton Nikë Berishës për Nënën Terezë

Shkup, 5 shtator 2020 – Të premten, në përvjetorin e katërt të shenjtërimit të Nënës Terezë, në Shkup u bë përurimi i librit të Anton Nikë Berishës “Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë: ‘E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit’”, botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore Shqiptare (ITSHKSH).

Drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, në fjalën e rastit, e cilësoi këtë libër si veprën më sintetizuese për Nënën Terezë.

“Ndonëse për Nënën Tereze janë shkruar shumë libra dhe sigurisht do të shkruhen akoma, megjithatë jam i bindur se ky doracak, i botuar nga Instituti ynë në këtë përvjetor, një kohë të gjatë do të jetë vepra më sintetizuese për Nënën Tereze. Përveç kësaj, botimi i realizuar në tri gjuhë, është një kontribut modest pikërisht siç ishte jeta dhe vepra e Nënës Tereze“, tha Asani.

Ai shprehu kënaqësinë që ky libër u botua pikërisht në Shkup, aty vajza shqiptare Gonxhe Bojaxhiu u nis në rrugën e shërbimit ndaj Hyjit dhe njerëzve të uritur, të vuajtur e të sëmurë.

“Një vajzë e re nga Shkupi ia nisi jetës në fillim të shekullit të kaluar pikërisht në këtë qytet me përkushtim të veçantë për Zotin, ndërsa e përfundoi shekullin duke u bërë gruaja më e famshme e qindvjeçarit të 19-të dhe shenjtorja e shekullit të 20-të. Për një njeri që i përket botës sonë ky është një sukses që na bën të mburremi shumëfish: para së gjithash si njerëz, ndërsa veçanërisht si shqiptarë, por pse jo edhe si shkupjanë. Gonxhja e jonë sot është shenjtore që e nderon kombin dhe, përtej kësaj, lënda me të cilën ajo e arriti këtë famë është modestia, dashuria dhe bamirësia. Andaj, ne nuk jemi as patetikë as nuk e teprojmë kur themi se letërnjoftimi ynë si shqiptarë dhe si shkupjanë është pikërisht emri Shën Tereza“, tha Asani.

Zëvendës-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, tha se botimi i  librit “Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë: ‘E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit’”nuk është thjeshtë shenjë e nderimit për shenjtoren Terezë, por edhe ndaj vetëvetes – ndaj kombit.

“Do kishte thënë Niçe, që kombet nuk vlerësohen aq shumë për nga numri i njerëzve të mëdhenj që kanë, por nga mënyra se si sillen dhe si i trajtojnë ato njerëz që i kanë në gjirin e kombit”, u shpreh Grubi.

 

Shkrimtari dhe publicisti Emin Azemi, në një vështrim përmbledhës, tha se ky botim plotëson shumë boshllëqe në njohuritë për jetën dhe veprën e Shën Nënës Terezë.

Ai tha se autori i librit, Anton Nikë Berisha, ka gjetur mbase mënyrën më të duhur për afirmimin e figurave që kanë ushtruar ndikim të pakrahasueshëm në botën e civilizuar, siç është Nëna Terezë.

“Të shkruash për figura të mëdha, siç është Nënë Tereza, është sfidë në vetvete, sepse duhesh të zgjedhësh rrugët më pak të rrahura nga autorë e studiues të tjerë. Por Anton Nikë Berisha, me përvojën e studuesit dhe lëvruesit të shkathët të problemeve letrare e kulturologjike ndër ne, ka arritur të na ofrojë një model interpretimi që mund të konsiderohet mjaft i avancuar, si për nga koncepti i materies, ashtu edhe për nga metodologjia e trajtimit të përmbajtjes së pasur të jetës dhe veprës së Nënës Tereze“, tha Azemi.

“Që nga titulli i këtij botimi, autori ka dashur të na përgatisë për një lexim kreativ të tekstit, duke i dhënë profilit jetësor e shpirtëror të Nënës Tereze trajtat e një mendimi të gjallë që në vetëvete ka sensin për të zbuluar hyjnoren në veprimet e kësaj gruaje të madhe të njerëzimit“, theksoi Emin Azemi.

Kryetari i shoqatës qytetare “Shkupjanja Nënë Tereza“, Dimçe Petrushevski, tha se Nëna Terezë i bën të gjithë qytetarët e Shkupit, pavarësisht prej përkatësisë etnike, fetare, kulturore e gjuhësore.

“Përmes saj afirmohemi të gjithë ne si shoqëri, pa dallim të përkatësisë nacionale dhe fetare. Ne jemi krenarë që e kemi bashkëqytetaren tonë përfaqësuese në botë dhe që identifikohemi me të”, tha Petrushevski.

Autori Anton Nikë Berisha, në fjalën e tij të rastit, tha se në këtë botim ka përmbledhur tekstet që i ka shkruar vetë Nëna Terezë, ndërsa si referencë ka përdorur edhe librat më të rëndësishme për Terezën të botuar në gjuhën italiane dhe në disa gjuhë të tjera.

“E para, këtu, për herë të pare, flitet në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi tekstet që i ka lënë Nëna Terezë. Janë tekste nga të cilat, në bazë të analizës, dalin të gjitha mendimet që janë brenda. E dyta, këtu janë shfrytëzuar librat më të rëndësishëm për Nënën Terezë në gjuhën italianë dhe gjuhët që i di unë“, tha Berisha.

(r.m.)

Comment

*