Promovohet Fjalori Enciklopedik i Kosovës

Prishtinë, 25 shtator 2018 – Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës sot u promovua Fjalori Enciklopedik i Kosovës.

Akademiku Ali Aliu, njëri prej redaktorëve të këtij fjalori, e cilësoi atë si projektin më të madh dhe më të rëndësishëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ai tha se ky fjalor i hap rrugë edhe krijimit të enciklopedisë shqiptare.

“Akademia jonë fitoi një përvojë në këtë fushë edhe me Monografinë ‘Kosova’ që ishte një hyrje për një projekt kaq të madh, siç është ‘Fjalori Enciklopedik’, i cili u realizua brenda gjashtë vitesh, me një punë kolektive. Ky fjalor mund të jetë edhe një dëshmi që pas kësaj pune të suksesshme, pas kurorëzimit të tij, Akademia i ka hapur rrugë vetvetes për enciklopedinë shqiptare”, u shpreh Aliu.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci, tha se Fjalori Enciklopedik është projekti më i madh i këtij institucioni.

“Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës realizoi projektin më të madh të saj, me shumë mundim, por edhe me shumë sukses”, tha Daci.

“Për mua, është ndërtuar paradhoma më e mirë që të vazhdojmë me enciklopedi. Shpresoj fuqishëm që kësaj radhe do të kemi sukses ta bëjmë enciklopedinë shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri, e jo dy enciklopedi të ndara”, theksoi Daci.

Kryeredaktori i Fjalorit Enciklopedik, akademik Mehmet Kraja, tha se ky botim dëshmon se Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka potencial solid për projekte të tilla.

“Botimi i këtij fjalori ka dëshmuar se ne kemi potencial solid për projekte të kësaj natyre që nuk e kishim më herët dhe nuk e kishim në një përqendrim të tillë. Studiues, profesorë universiteti, shkrimtarë, publicistë dhe njerëz të dijes, të mbledhur kështu së bashku, ndërsa kanë shkruar për gjeografinë e Kosovës, për historinë, për arsimin, artin dhe letërsinë, për informimin, për fusha të ndryshme të shkencës, pra të mbledhur së bashku, përbëjnë një zë të fuqishëm për Kosovën integrale”, tha Kraja.

Ai tha se arritja më e madhe e këtij botimi është identifikimi i lëndës enciklopedike dhe krijimi i një baze të të dhënave.

Kraja tha se në Fjalorin Enciklopedik, Kosova përfshihet si entitet i veçantë politik, gjeografik, historik, ekonomik, arsimor dhe kulturor. Ai tregoi se në Fjalor janë përfshirë edhe shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës.

Kraja tha se arritja më e madhe e këtij botimi është identifikimi i lëndës enciklopedike dhe krijimi i një baze të të dhënave.

Në hartimin e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës kanë punuar 72 studiues dhe 506 autorë.

Në përbërjen e redaksisë kanë qenë akademikët: Pajazit Nushi, Ali Aliu, Zeqirja Ballata, Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Fejzullah Krasniqi dhe Mehmet Kraja. (r.m.)

Comment

*