Promovohet libri i Akademik Hivzi Islamit “DEMOGRAFIA E KOSOVËS…“

Prishtinë, 4 shkurt 2021 – Të enjten në Prishtinë u bë promovimi librit të Akademik Hivzi Islamit “DEMOGRAFIA E KOSOVËS – Evolucioni i popullsisë, migrimet, gjeopolitikat ekspansioniste serbe dhe spastrimet etnike të shqiptarëve”, botim i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Recensentët e librit e vlerësuan këtë si një vepër monumentale nga fusha e demgrafisë, me interes edhe për fusha të tjera të dijes dhe për insitucionet kompetente për hartimin e politikave zhvillimore të Kosovës.

Sekretarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore, Akademike Justina Shiroka-Pula, tha se Akademik Hivzi Islami, si njohës i mirë i proceseve e ecurive demografike, “ka bërë një punë kolosale për zbardhjen, evidentimin, analizën, interpretimin dhe prerzantimin e rrjedhave demografike në Kosovë”.

Ajo tha se autori ka trajtuar në mënyrë shumëdimensionale dhe shumështresore çështjet demografike në Kosovë, me tërë kompelsitetin e tyre.

Akademik Anton Berisha, recensent i librit, e cilësoi këtë botim si vepër monumentale. Ai tha se ky libër, “për shkak të kompleksiitetit të problematikës që e shtjellon, por edhe për shkak të voluminozitetit, është një ndërmarrje shumë ambicioze, madje edhe për punë ekipore”.

Ai shtoi se ky është “një studim me shumë vlerë, jo vetëm për aktualitetin shoqëror e demgrafik, por edhe politik, ekonomik e social.

“Autori, me një aparaturë shkencore moderne, me një qasje profesionale e të bazuar në burimet më relevante të kohës e të fushës, përthekon komponentet substanciale të rrjedhave demografike në Kosovë”, u shpreh Berisha.

“Në këtë botim, autori i kapërcen kufijtë e fushës së demgrafisë, të pasqyruar në shifra e tabela. Ai bën një analizë të thelluar të faktorëve që kanë ndikuar në lëvizjet demografike”, shtoi ai.

Akademik Isa Mustafa, po ashtu recensent i librit “Demografia e Kosovës…” , tha se ky libër “ngërthen në vete një bibliotekë të tërë dijesh, të shkruara dhe të përmbledhura në mënyrë sistematike”.

Ai e vlerësoi librin si “një shtjellim universal e shumëdimensional empirik, historik dhe bashkëkohor I demografisë”, në të cilin trajtohen lëvizjet demografike, të natyrshme dhe të dhunshme, si dhe efektet dhe pasojat e tyre sociale, ekonomike, e  të tjera.

Mustafa theksoi se në këtë botim pasqyrohen në mënyrë të dokumentuar e të argumentuar pasojat e politikës koherente serbe për ndryshimin e strukturës etnike të Kosovës dhe të viseve shqiptare në rrethinë të hapësirës gjeografike të Kosovës.

“Për mendimin tim, ’Demografia e Kosovës…’ e Akademik Hivzi Islamit është një vepër sa e dijeve specifike, aq edhe dijeve univerzale, është një begati diturish ku secili mund të gjejë atë që kërkon nga demgrafia si fushë e studimit të tendencave të përgjithshme të lëvizjeve të popullsisë – numrit, shtrirjes, shtimit natyror dhe mekanik, strukturës, etj.”, theksoi Mustafa.

“Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një trend thjeshtë statistikor, si rezultat I të dhënave empirtike mbi popullsinë, por me një qasje të gthellë studimore të rrethanave, shkaqeve dhe të pasojave, të shtruara në mënyrë kronologjike e të trajtuara në mënyrë shumëdisiplinare”, shtoi ai.

Mustafa vlerësoi se kjo vepër voluminoze është vlerë e shtuar në vargun e veprave shoqërore fundamentale të botuara nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Një vështrim më të detajuar për librin e bëri Prof. Dr Arsim Ejupi, bashkëpunëtor shkencor i autorit të librit.  Ai tha se vepra “Demografia e Kosovës” është realizuar ”me kompetencë profesionale, rigorozitet shkencor dhe me një qasje origjinale metodologjike, e mbështetur në njohuritë bashkëkohore teorike”.

”Autori e ka studiuar evolucionin e lëvizjes natyrore (lindshmërinë, vdekshmërinë dhe SHN), strukturat bazë të popullsisë, proceset migruese, spastrimet etnike dhe problemet sociopolitike dhe gjeopolitike, historike, ekonomike etj., të ndërlidhura me rrjedhat demografike”, shtoi Ejupi.

Ai theksoi se autori i këtij botimi, Akademik Hivzi Islami, si njohës i mirë i teorisë dhe analizës demografike, ”me shumë sukses ka arritur në përfundime shkencërisht të qëndrueshme në studimin e rrjedhave të transicionit demografik”.

”Vepra është e mirëseardhur sot për njohjen e realitetit demografik dhe shoqëror të Kosovës dhe shqiptarëve, por edhe për studiues të fushave të ndryshme, kryesisht për demografë dhe për studiues të fushave të afërme, sikurse për sociologë, ekonomistë, historianë, gjeodemografë, etnologë dhe natyrisht për opinionin e gjerë”, u shpreh ndër të tjera Prof. Dr Arsim Ejupi.

Botimi i librit të Akademik Hivzi Islamit “DEMOGRAFIA E KOSOVËS – Evolucioni i popullsisë, migrimet, gjeopolitikat  ekspansioniste serbe dhe spastrimet etnike të shqiptarëve” është përkrahur nga kompania ”Ekolog” e biznesmentyi dhe filantropit të madh shqiptar, Lazim Destani.

Përfaqësuesja e Kompanisë ”Ekolog”, Pranvera Kasami, shprehu kënaqësinë që kjo kompani kishte rastin të mbështeste botimin e këtij libri dhe gatishmërinë e filantropit Destani që të mbështesë realizimin e projekteve të ndryshme nga fusha e shkencës, kulturës dhe artit në mbarë hapësirën shqiptare.

(Ramadan Muçolli)

Comment

*