Promovohet libri i Shaqir Salihut “Rrëfime lirie…”

Prishtinë, 13 nëntor 2017 – Në Prishtinë u promovua libri “Rrëfime lirie – Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës”, i Shaqir Salihut, ëndrrimtarit e idealistit të përjetshëm, punëtorit të palodhshëm për lirinë e pavarësinë e Kosovës, gazetarit e producentit shumëvjeçar të Zërit të Amerikës.

Akti solemn i promovimit të këtij libri bashkoi shumë miq e dashamirë të autorit, bashkëveprimtarë e bashkëmendimtarë të tij dhe dashamirë të librit. Ky akt i bashkoi edhe disa prej miqve të autorit që kanë bërë pakashumë të njëjtën rrugë jetësore, ndonëse në botëra dhe në rrethana krejtësisht të ndryshme.

Emin Azemi, gazetar e shkrimtar, i cili një kohë ishte edhe korrespondent i “Zërit të Amerikës” nga Shkupi, tha se libri libri “Rrëfime lirie…” i Shaqir Salihut nxjerr në pah edhe tiparet njerëzore të autorit dhe dashurinë e tij të pamatshme ndaj atdheut e kombit.

Azemi theksoi se autori Salihu, përmes librit, përcjell edhe një mesazh.

“Ai, me këtë libër që sot e kemi në duar, na thotë se për të qenë i ndershëm nuk mjafton ta duash atë që të takon, por duhet edhe të sakrifikohesh për atë që të mungon. Është e gjatë lista e atyre gjërave që shqiptarëve u munguan me shekuj, madje shumë prej tyre i kishte provuar në kohën e tij edhe vetë autori. Pasi ta kemi lexuar këtë libër do të kuptojmë se sakrificat individuale dhe kolektive të shqiptarëve kanë patur një cak të vetëm – lirinë e atdheut të tyre’, u shpreh Azemi.

Ai theksoi se libri i Shaqir Salihut njxer në pah edhe zhgënjimin e autorit me proceset aktuale politike në Kosovë dhe me nomenklaturën politike aktuale të Kosovës

“Përmes këtij libri do të shohim edhe zhgënjimin e autorit me proceset aktuale shtetndërtuese të Kosovës, sepse siç thotë ai vetë, ‘Kosova për mua është kthyer në makth e jo në realitet’. Duke jetuar një kohë të gjatë në Amerikë dhe duke qenë afër institucioneve dhe aktiiviteteve lobuese për Kosovën, autori kishte vërejtur se pas pavarësimit të Kosovës, shumë individë nga nomenklatuara politike e Prishtinës lidhjet me Uashingtonin i përdornin jo për ta afirmuar Kosovën, por për të denoncuar kundërshtarët politikë, i përdornin për interesa personale dhe jo për interesa shtetërore, e ngandonjëherë edhe për pak të holla”, shtoi ai.

Azemi tha se Shaqir Salihu nuk është thjeshtë një vrijtues pasiv i ngjarjeve të cilat i ka jetuar e përjetuar.

“’Rrëfime lirie…’ është semantika e një sintagme që autori e ndërton vit pas viti, dekadë pas dekade, duke mbledhur grimca përvoje, gëzimi, hidhërimi e zhgënjimi dhe duke formuar prej tyre një ngrehinë vrojtimi për të vëzhguar proceset nëpër të cilat kishte kaluar vetë autori, por edhe populli të cilit i takon ai”, tha Azemi.

“Libri që kemi në duar nuk duhet kuptuar thjeshtë si një kronikë ngjarjesh, por edhe si një projekt ambicion, mbështetut mbi premisat e studimit, por edhe të sintetizimit të një trashëgimie të dokumentuar, jo aq për individin sa për kolektivitetin”, theksoi ai.

“Shkruar me një bazament të lakmueshëm etik e profesional, libri ‘Rrëfime lirie..’ i tejkalon pretendimet e një kronologjie stereotipe. Janë disa tipare që e shpien këtë libër përtej këtyre pretendimeve, prej të cilave po veçojmë tri më kryesoret: E para, duke qenë kronikë e jetuar e ngjarjeve dhe e kontaktit të drejtpërdrejtë me protagonistë të shumtë, ky libër synon të plotësojë arkivin e një historie të bujshme, siç ishte ajo e mërgatës shqiptare e Amerikës, me një histori mbi një shekullore; E dyta, sinqeriteti dhe çiltërsia e autorit i kanë dhënë librit dimensione të reja, duke e ngritur atë në nivelin e veprave që nuk bëhen për individin dhe për aktualitetin, por bëhen për kolektivitetin dhe për brezat që vijnë; E teta, i shkruar me një gjuhë të drejtpërdrejtë, me një qasje të pakompromis të autorit ndaj padrejtësive që i janë bërë atij personalisht dhe popullit që i takon ai, por me një plotësim domethënës se në këtë qasje nuk kishte asnjë dozë hakmarrjeje dhe qërim personal hesapesh me jobashkëmendimtarët”, theksoi Emin Azemi.

Behar Zogiani, gazetar e pedagog i gazetarisë, tha se libri i Shaqir Salihut “Rrëfime lirie…” është një jetëshkrim prej të rrallëve”.

“Në gazetarinë bashkëkohore është synim i vazhdueshëm që gazetari, gjatë raportimit, të mos bëhet pjesë e ngjarjes, por të  raportojë për ngjarjen e caktuar, për ta ruajtur paanësinë dhe saktësinë. Shaqir Salihu, me përvojën e tij profesionale dhe jetësore, ka shkruar për jetën e tij nga një ngjarje në tjetrën, por me precizitetin më të madh ka arritur të prezantojë faktografinë e tërë jetës së tij, si gazetar e si idealist. Duket e pabesueshme, por në librin gati 600 faqesh, Shaqir Salihu askund nuk e cilëson veten patriot, nuk u thotë veprimeve të tij patriotike, por secilin veprim e sheh si detyrë për çlirimin e shqiptarëve dhe për ndërtimin e shteteve demokratike ku jetojnë shqiptarët’, shtoi Zogiani.

Ai e krahasoi librin e Shaqir Salihut me librin biografik të ish Sekretares amerikane të Shtetit, madeleine Albright. Ai tha se në të dy librat shihet aq qartë dashuria për atdheun dhe përkushtimi për liri e demokraci.

“Duke lexuar këtë libër gjen frymën e njëjtë që e ka libri i jetëshkrimit të ish Sekretares së Shtetit Madeleine Albright. Në të dy këto jetëshkrime, autorët vënë në pah shpirtin e tyre vullkanik që i detyron që gjatë gjithë jetës së tyre të punojnë me sa fuqi që kanë për t’u liruar vendet e tyre dhe për t’i bërë ato të forta. Shikuar, edhe nga këto dy botime, ngjashmëria e shpirtit idealist të shqiptarëve dhe hebrenjve për tokën e të parëve del sheshazi”, theksoi Zogiani.

Studiuesi Zymer Neziri, bashkëveprimtar i autorit të librit, tha se Shaqirit dhe librit të tij “Rrëfime lirie – Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës” do t’i shkonte shumë mirë sintagma “Shaqir Salihu, veteran i Brezit të Republikës”,

“Shaqiri, në rininë e tij të hershme, i takoi brezit të Republikës dhe të demonstratave të përgjakshme, atij brezi që më 1968 e vazhdoi rrugën e çlirimit të atdheut të copëtuar e të robëruar, si edhe rrugën për liri e bashkim”, tha Neziri.

Ai bëri një përshkrim të shkurtër të personalitetit të Shaqir Salihut, të krijuar në rrugëtimin e tij prej nxënësi të gjimnazit, prej mësuesi idealist, prej të burgosuri politik, prej veprimtari të palodhshëm politik dhe prej gazetari të përkushtuar e profesionist.

Vetë autori i librit, Shaqir Salihu, nuk foli për veten e tij, as për rrugëtimin e tij jetësor, por motivin që e kishte shtyrë ta shkruante këtë libër.

“Vendi i demokracisë amerikane, që është edhe më e madhja dhe më e konsoluduara në botë, është motivi që shtyn gazetarët që në një mënyrë apo në një tjetër, të tregojnë të vërtetën”, tha ai.

Salihu tregoi se, megjithkëtë, ai kishte hezituar të shkruante për ngjarjet, personazhet dhe përjetimet e tij, por ishte motivuar nga mësimet e një kolosi të kulturës shqiptare.

“Më ka intriguar shumë historia dhe mençuria e një burri të moçëm, Dom Zef Pëllumbit. Vuajtjet e tij nga diktatura komuniste në Shqipëri i hodhi në letër në librin e tij të famshëm, të botuar para disa vitesh ‘Rrno për me tregue’. Arsyet që më shtynë të shkruaj këtë libër ishin të ngjashme – rrnova dhe mbijetova për të tregue”, shpjegoi Salihu.

Pastaj ai dëshmoi çfarë ka jetuar dhe çfarë ka përjetuar gjatë punës në Shërbimin Shqip të ‘

“Zërit të Amerikës”.

“Nuk vuajta sa ç’ka vuajtur Dom Zefi. Ama vuajta. Vuajtja dhunën dhe represionin serb. U flaka në burgjet serbe, në çelitë e lagështa e të errëta, ku nuk hynte aspak rrezja e diellit. U torturova dhe u detyrova të degdisem përtej Atlantikut. Mendova se vuajtjet e mia do të merrnin fund. Por, kur pas shumë vitesh, me vështirësi, u rehatova në një punë që më sillte më pranë atdheut, për fat të keq, konstatova se kishim probleme të mëdha, si popull. Armiqësinë më të madhe e kishim me njëri-tjetrin”, tha ai.

Pastaj, sikurse edhe në librin e tij, Salihu i kushtoi një pjesë të mirë të fjalës së tij punës së Shërbimit Shqip të “Zërit të Amerikës”, ku ka punuar 32 vjet, si gazetar dhe si producent.

“Kam punuar për 32 vite si gazetar i ‘Zërit të Amerikës’. Jam krenar për punën time modeste aty dhe për arritjet që kemi pasur si shërbim në gjuhën shqipe”, tha Salihu.

Por, dëgjueshmërinë dhe popullaritetin e kësaj medieje, Shaqiri nuk ua atribuon gazetarëve të këtij shërbimi, por ua atribuon interesimit të shtetit amerikan për çështjen e Kosovës dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi, si edhe ngjarjeve e zhvillimeve në Kosovë e në Shqipëri.

“Lufta në Kosovë dhe ngjarjet e dhunshme në Shqipëri, diskutimi i pavarësisë së Kosovës dhe shpallja e saj, të gjitha këto e tërhoqën vëmendjen e gjithë botës për trevat tona, e tërhoqën sidomos vëmendjen dhe zgjuan interesimin e vendit të madh, miqve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksoi Salihu.

“Ishin ngjarjet e rëndësishme, mbase më të rëndësishmet për kombin tonë prej 28 nëntorit të vitit 1912, ato që e diktuan edhe rolin dhe ndikimin e fortë që pati ‘Zëri i Amerikës’. Edhe nëse në Shërbimin Shqip nuk do të punonte Shaqir Salihu apo kolegët e tij, gjithkush do të bënte punë të mirë. Ngjarjet diktonin. Ngjarjet diktonin. Miqtë tanë amerikanë ishin të interesuar që Shërbimi Shqip ta ngrinte zërin. Të gjitha mediet ishin model. Lufta në Kosovë dhe masakrat serbe ishin në faqet e para të mediave më të mëdha botë, çdo ditë. Si mund të mungonin këto edhe te ‘Zëri i Amerikës’?”, theksoi Salihu.

Ai tha se akush nga Shërbimi Shqip i ‘Zërit të Amerikës’ nuk ka përse mburret me punën që është bërë në këtë redaksi.

“Nuk e solli Shërbimi Shqip i ‘Zërit të Amerikës’ lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Nuk e rrëzoi Shërbimi Shqip i ‘Zërit të Amerikës’ komunizmin në Shqipëri. Ne ishim me fat që ishim pjesë e atij shërbimi në ato vite historike për kombin tonë. Ne, thjeshtë, e bëmë punën tonë si gazetarë, në kohën që të gjitha gazetat, radiot dhe televizionet në botë po hapeshin përditë me pasqyrimin e atyre ngjarjeve”, u shpreh ai.

“Arsyeja kryesore që në trojet shqiptare kjo medie ishte kaq popullore nuk ishte profesionalizmi ynë gazetaresk, por vendi nga ku vinte ky zë, Amerika, nga e cila shqiptarët i kanë kthyer sytë gjithmonë”, theksoi autori i librit ‘Rrëfime lirie…”.

Ai shprehu keqardhje që në Sërbimin Shqip të “Zërit të Amerikës” ka munguar harmonia dhe atmosfera e bashkëpunimit gjë që do t’i nderonte anëtarët e redaksisë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Po të kishin shkuar gjërat mirë në redaksinë shqiptare të ‘Zërit të Amerikës’, ku punova 32 vjet, do të ishte vërtet kënaqësi e madhe të shkruhej se si punonim së bashku, si vëllezër që jemi, për një qëllim të përbashkët, për ta ndihmuar vendlindjen dhe, njëkohësisht, vendin që na strehoi dhe na punësoi – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, kjo nuk ka ndodhur dhe ende nuk kam arritur ta kuptoj përse nuk mund të ndodhte”, theksoi Salihu.

Ai tregoi edhe për motivet që e kanë shtyrë ta shkruajë këtë libër dhe për vështirësitë që e kanë shqëruar.

“Imzot Fan Noli, që për mendimin tim është mendja më e ndritur ndër shqiptarët, ka thënë se librat më të mira shkruhen kur njeriu përshkruan ngjarjet që i ka jetuar vetë. Nuk e pata të lehtë gjatë këtij misioni. Unë nuk jam shkrimtar. Kurrë në jetën time  nuk e kisha menduar se do të shkruaja një libër. Por, unë jetova, vuajta, mbijetova. Rrova dhe doja të tregoja”, u shpreh ai.

Salohu foli edhe për dyshimet që e kanë ndjekur gjatë shkrimit të librit.

“Nuk shkruajta për t’u krenuar apo për t’u lavdëruar. Ky libër nuk më bën krenar dhe, ndoshta kjo ishte arsyeja që për një kohë të gjatë e lashë mënjëanë. Përjetimet që kam pasur në ‘Zërin e Amerikës’ për 32 vite me radhë, nuk mund të lihen e të harrohen”, tha ai.

“Edhe pas përfundimit të librit kam menduar gjatë nëse duhet ta botoj apo jo, edhe për faktin se unë nuk jam shkrimtar dhe hedhja në letër e kujtimeve të mia nuk më bën shkrimtar”, theksoi Shaqir Salihu.

Për  librin  “Rrëfime lirie – Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës” si edhe pwr autorin e tij, Shaqir Salihun, foli me fjalw tw zgjedhura edhe Getoar Mjeku, avokat i licensuar në Teksas, SHBA, i cili ka punuar pak kohë në “Zërin e Amerikës”.

(Ramadan Muçolli, Illyriapress)

Comment

*