Promovohet libri i Sibel Halimit “Shoqëri në Alarm”

Prishtinë, 21 dhjetor 2017 – Libri i Sibel Halimit “Shoqëri në Alarm”, i cili u promovua të premten në mbrëmje në Prishtinë, është refleksion të zhvillimeve të përgjithshme në shoqërinë kosovare, në pothuajse dy dekadat e fundit.

Arbër Selmani, gazetar dhe redaktor në gazetën për kulturë KultPlus, tregoi se libri është fryt i një pune të gjatë kërkimore të autores. Ai tha se në libër janë prekur tema dhe fenomene të ndryshme, të cilat vështrohen nga këndvështrime nga më të ndryshmet.

Autorja, Sibel Halimi, në librin e saj, merret edhe me trajtimin e pikëpamjeve dhe qëndrimeve të figurave të ndryshme të jetës politike e publike lidhur me dukuritë dhe fenomenet shoqërore, kulturore, arsimore e të tjera, përfshirë edhe diskursin e tyre lidhur me çështje e tema të caktuara.

Antropologia Nita Luci, gjatë promovimit, shpalosi disa nga pjesët më interesante të librit. Ajo tha se ky libër nxjerr në pah disa vështrime dhe mendime që mund të jenë të ndryshme, varësisht nga konteksti i leximit.

Luci tha se e veçanta e librit “Shoqëri në Alarm” është se ajo e bën lexuesin të qesh edhe në momentet më të dhimbshme.

Ajo theksoi pjesën e librit që flet për historinë, kombin dhe mustaqet, dhe e lexoi dhe një pasazh të librit.

“Burrat janë baballarët e kombit, ata që formuan, zhvilluan dhe drejtuan shtetin. Ata para të cilëve shteti përkulet, njerëz me mustaqe, lavdia e të cilëve në histori nganjëherë rri e varur pikërisht në atë grumbull qimesh”, citoi ajo autoren.

Antropologia Nita Luci tregoi po ashtu se veçantia e këtij teksti është se temë primare e ka dashurinë, pavarësisht çështjeve që trajton.

“Ajo çfarë nxjerr në pah Sibeli është dashuria. Ky tekst nuk flet për Millosheviqin, nuk flet për pronën, për universitetin… Ai flet për të gjitha, por primare është dashuria dhe shtron tezën se a mundet dashuria të jetë një lloj projekti politik që i mobilizon grupet e ndryshme për interesa të përbashkëta”, theksoi Luci.

Sociologia Linda Gusia e vlerësoi shumë të rëndësishme punën e autores së librit, Sibel Halimi.

“Viteve të fundit jemi duke u përpjekur që ta tejkalojmë atë hendekun e madh mes akademisë dhe aktivizimit dhe lokalizimit të dijes. Mendoj se është e rëndësishme që ta lokalizojmë dijen dhe angazhimin feminist, po ashtu të flasësh për subjektin e gruas prej një konteksti shumë të vështirë”, tha Gusia, citon kultplus.com

Ajo e cilësoi sociologen Sibel Halimi si shembull të intelektuales që ka guxim të reagojë ndaj  fenomeneve të ndryshme shoqërore.

Linda Gusia tha se ky libër nxjerr në pah refleksioet e autores lidhur me zhvillimet në Kosovë, por ajo i qëndron besnike natyrës së saj poetike.

Vetë autorja, Sibel Halimi, tha se libri i saj është reagim ndaj ndryshimeve shoqërore të dy dekadave të fundit.

“Reagimi im i përditshëm vjen si pasojë e ndryshimeve që kanë ndodhur dy dekadat e fundit dhe që shumë grupe i kanë kanalizuar këto ndryshime në bazë të ideologjive të tyre”, u shpreh Halimi.

Ajo tregoi se trupi është pjesë qendrore e pothuaj të katër kapitujve të librit, për shkak se trupi është i pranishëm kudo, ndërsa filozofia historike e ka trajtuar vetëm mendjen e femrës.

“Vetëm epoka e fundit e feminizmit përpiqet që trupin ta kthejë në figurë qendrore, për shkak se trupi është bërë vend i shtypjes, i kontrollit dhe disiplinimit”, ka thënë autorja.

Sibel Halimi tha se këtë libër ua dedikon vajzave dhe grave që kanë qenë objekt dhe jo subjekt.

“Ky libër është alarmi i fundit që ato t’i kthehen vetëvetes, jo duke u përfshirë në ndonjë ideologji, por duke reflektuar dhe duke u shndërruar në subjekt”, theksoi autorja.

(r.m.)

Comment

*