Propozim për rritje të tarifave të kërkesave dhe aplikimeve për emigracion

Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Shërbimi I Emigracionit dhe i Nënshtetësisë të Shteteve të Bashkuara (USCIS) ka propozuar një rritje të tarifave. I është bërë ftesë opinionit publik që të bëjë komente mbi rregullin e propozuar. Ju bëjmë thirrje të kontaktoni përfaqësuesit që keni zgjedhur dhe të shprehni opinionin tuaj lidhur me rritjen e tarifave. Ju lutemi të na ndihmoni që ta ndalojmë diçka të tillë përpara se të na dëmtojë.

USCIS ka propozuar një rritje të tarifave për shumë formularë emigracioni. Rregulli i propozuar do t’i detyrojë klientët e USCIS-it që të paguajnë më shumë për më pak. USCIS po propozon një kërcim të përgjithshme të tarifave prej 21% pa dhënë prova që kjo rritje do të përmirësonte keqësimin e vazhdueshëm të shërbimeve administrative që ofron kjo agjenci. Në fakt, në shumë drejtime, ky rregull do të sjellë rënien e standarteve të shqyrtimit të çështjeve nga USCIS. Nëse vihet në jetë, familjet, ata që kërkojnë mbrojtje dhe bizneset amerikane anembanë vendit do të përballën me peshën e dyfishtë të ngritjes së tarifave dhe reduktimit të shërbimeve.

Opinioni publik është ftuar të komentojë mbi rregullin e propozuar. Ju bëjmë thirrje të kontaktoni përfaqësuesit që keni zgjedhur dhe të shprehni opinionin tuaj lidhur me rritjen e tarifave.

Rritja e propozuar e tarifave e kombinuar me eliminimin e kërkesave për heqje dorë nga pagesa e tyre (fee waivers), do të bëjnë që familje dhe individë të mos e përballojnë dot financiarisht sistemin tonë ligjor të emigracionit. Nëse ky rregull do të vihet në zbatim, tarifat për aplikime për green card, shoqëruar me autorizimet për leje pune dhe udhëtimi do të kërcejnë me 79% dhe për nënshtetësinë me 83%. Rregulli në fjalë do të eliminonte dhe lutjet për mospagesë të tarifave për formularët e lartpërmendur si dhe për shumë të tjerë. Gjithashtu, rregulli do të ngrinte në mënyrë të ndjeshme tarifat për kërkesat për rinovim të DACA-s. Të marra së bashku, këto ndryshime përbëjnë një tjetër tullë në “murin e padukshëm” të ngritur nga administrata e Trumpit për të kufizuar emigracionin e ligjshëm.

USCIS duhet të shfuqizojë politikat e saj joefikase dhe jo të rrisë tarifat për subvencionimin e tyre. Vitet e fundit, politikat joefikase të vetë USCIS-it kanë qenë shkaktaret kryesore të vonesave në shqyrtimet e çështjeve, të cilat kanë arritur nivele krize. Tani kjo agjenci po propozon tarifa edhe më të larta për të financuar implementimin në vazhdim të këtyre politikave që në fakt do të thotë që po ia ngec publikut koston e mungesës së saj të efikasitetit. Për të ndrequr problemin e kapicave të çështjeve të prapambetura, agjencia duhet ta nisë duke i dhënë fund politikave të këqija dhe jo duke ngritur tarifat për t’i financuar ato.

Duke u vënë tarifa aplikimeve për azil, rregulli në fjalë mund të çojë në deportimin dhe madje vdekjen e atyre që janë në një situatë rreziku për jetën dhe kërkojnë mbrojtje. Vetëm tre vende në botë marrin tarifa për kërkesat për azil – tani Shtetet e Bashkuara, një nga vendet më të pasura në botë, po kërcënojnë të bëhen vendi i katërt. Tarifa e propozuar për aplikantët që kërkojnë azil mund të bëhet pengesë për shumë nga ata që duan të kërkojnë mbrojtje. Fëmijët dhe familjet e atyre që nuk kanë mundësi financiare mund të detyrohen të kthehen në vendet nga të cilat ikën dhe ku do të përndiqen edhe më shumë ose madje do të përballen me vdekjen.

Transferimi që propozon rregulli, i më shumë se 200 milionë dollarëve të nxjerrë nga tarifat e aplikimeve, nga fondi i USCIS-in drejt atij të ICE-it bie në kundërshtim të hapur me mandatin e parashikuar me statut të USCIS-it si agjenci që ofron shërbime. Kongresi e krijoi USCIS-in si një agjenci emigracioni e cila ofron shërbime administrative dhe roli i saj dallon nga misionet me natyrë zbatimin e ligjeve të emigracionit, që kanë ICE dhe Agjencia e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit (CBP). E megjithatë, transferimi i propozuar i shumës së lartpërmendur drejt ICE-it për qëllime të zbatimit të ligjeve të emigracionit e bën të qartë që USCIS po i jep përparësi punës së ICE-it dhe jo punës së saj vetë si agjenci.

Ndonëse rregulli i propozuar mundohet të justifikojë rritjen e tarifave kryesisht duke përmendur nevojën për më shumë personel, gjatë vitit të fundit kjo agjenci ka dërguar qindra prej punonjësve të saj për të kryer punë që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjeve të emigracionit, për ICE-in dhe CBP-në. Gjatë viteve të fundit, shkalla e aplikimeve dhe kërkesave që i janë paraqitur USCIS-it ka rënë ndjeshëm. E pavarësisht nga kjo, rregulli i propozuar thotë se që agjencisë i nevojiten më shumë burime që të mund të përballojë siç duhet volumin e punës. Rregulli nuk arrin të shpjegojë arsyen pse, nëse vërtet është siç pohohet aty. Gjatë vitit fiskal 2019, USCIS-i ka dërguar qindra prej punonjësve të tij për të kryer punë që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjeve të emigracionit, për ICE-in dhe CBP-në.

Rregulli i propozuar nuk është gjë e mirë për bizneset. Mes ndryshimeve të tjera të dëmshme, rregulli e shtyn afatin kohor përfundimtar të shqyrtimit të çështjeve nga 15 ditë kalendarike në 15 ditë pune, gjë që do të çojë në pagesa më të larta për një ngadalësim të marrjes së vendimeve dhe si rrjedhim, një proçes më të ngadaltë punësimi në bizneset amerikane që përballen me një boshllëk kritik fuqie punëtore dhe një agjenci joefikase që po i ul standartet e përgjegjësisë.

Ju lutemi ndihmoni Shoqatën Amerikane të Avokatëve të Emigracionit (AILA) që t’i kundërvihet këtyre rritjeve të rënda të tarifave duke u ofruar komentet tuaja për këtë çështje përfaqësuesve që keni zgjedhur.

Komentet me shkrim duhet të paraqiten më ose përpara 16 dhjetorit, 2019. Mund t’i dërgoni këto komente, të identifikuara me numrin përkatës alfanumerik (Docket Number) të DHS-së për këtë çështje: USCIS–2019–0010 në një nga mënyrat si më poshtë: Në internet në portalin Regulations.gov . Ndiqni instruksionet për paraqitjen e komenteve. Nëpërmjet shërbimit postar: Samantha Deshommes, Chief, Regulatory Coordination Division, Office of Policy and Strategy, U.S. Citizenship and Immigration Services, Department of Homeland Security, 20 Massachusetts Avenue NW, Mailstop #2140, Washington, DC 20529–2140.

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmё pёr komentet dhe pyetjet qё na dёrgoni vazhdimisht. Do të përpiqemi që në të ardhmen t’i pёrgjigjemi sa më shumë pyetjeve që të jetë e mundur. Ju ftojmё tё na dёrgoni pyetjet tuaja nё adresёn tonё elektronike [email protected]

Comment

*