Protesta e 1 Tetorit 1997 – vështim nga brenda e nga jashtë

              Haki Abazi

 

Kjo është data për të cilën po flitet ditëve të fundit e diku-diku edhe është shkruar për të në formë të deformuar dhe bardh e zi.

Ndoshta është normale që kjo gjë të bëhet, por duhet thënë e vërteta. I papranueshem është tentimi për shtrembërim dhe glorifikim individual dhe për paraqitje që nuk është as gjysmë e vertetë. Nuk është hera e parë që ngjarjet paraqiten, jo duke e thënë të vërtetën, por duke gjykuar me kalkulim se kush duhet të jenë fituesit dhe kush humbësit. Dhe nëse qëndron thënia “historinë e shkruajnë fituesit”, atëherë duhet thënë se ka nguti, se këtu nuk ka fitues, jo së paku deri tani, por edhe nuk e besoj se do të duhej të ishte aq bardh e zi.

Për qartësi, unë kam qenë student i Fakultetit Elektroteknik më 1997. Pjesëmarrës në demonstratë, si mijëra të tjerë.

Tani, gjithashtu për sqarim, duhet treguar se përgatitësit dhe nismëtarët e këtyre protestave studentore kanë qenë një grup i të rinjëve të një organizate amerikane, emrat e të cilëve janë shumë mirë të njohur për orgnizatorët.

Këto protesta që nga llogaria e atyre që po planfikonin ishte dobësimi i Millosheviqit dhe regjimit të tij vrasës nëpermjet strategjsë së mobilizimit qytetar. Në Serbi kjo lëvizje, e quajtur OTPOR (Rezistencë) bashkë me EXIT, që ishin të paafta për ta organizuar masën e duhur për ta rrëzuar Millosheviqin nga pushteti, prandaj u duhej edhe një përplasje, diku tjetër. Pas humbjes në Bosnjë dhe në Kroaci nuk kishte mbetur ku tjetër perveç se në Kosovë. Sa për opinionin, në atë kohë këta të rinj amerikanë u zunë policia në Kosovë, kurse njërit prej tyre ia prenë flokët. Ata nuk e kishin hallin e pavarësisë dhe as lirisë së Kosovës, por rrëzimin dhe marrjen e pushtetit në Beograd. OTPOR e tregoi fytyrën e vërtetë kur erdhi në pushtet në Serbi. Ata ishin po aq nacionalistë dhe antishqiptarë sa edhe vetë pushteti.

Kthehemi tek protesta e studentëve. E vërteta është se ndodhi një ngjarje e madhe dhe me që Millosheviqi tashmë i kishte vrarë mbi 200.000 njerëz në Kroaci dhe në Bosnjë e Herzegovinë, oinioni dhe mediat botërore tani e kishin vëmendjen tek ne. Ashtu siç ishte protesta e të rinjëve në Siri, e cila ishte trajnuar për të kërkuar liri dhe rënien e diktatorit Asad, e njëjta frymë ka ekzistuar edhe në Tahrir Square në Egjipt. Çuditërisht, njëri nga anëtarët e Lëvizjes Otpor ishte gjihashtu në përgatitjen dhe organizimin e protestave të para kundër Mubarakut. Për një sekond të sqarohemi: Unë kam qenë në përkrahje të rënies së Mubarakut dhe jam po ashtu që një ditë Asad të gjykohet për krimet kundër njerëzimit, njëjtë sikur kam qenë për çdo ditë në protestë kundër regjimit të Millosheviqit.

Por, ku qëndron dallimi mes lëvizjeve në Egjipt dhe në Siri me atë në Kosovë?

Në Kosovë kishte një sistem që ishte unik në botë, të krijuar nëpërmjet një procesi të krijimit të institucioneve të lindura nga Dekalarata e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e 7 shtatorit. Organzimi i shtetit ka qenë në çdo aktiv, nëndegë, degë dhe qendër, deri tek organizmi i Qeverisë në ekzil, përfshirë edhe sistemin e 3 për qindëshit. Mijëra njerëz punuan dhe protestuan për çdo ditë kudër regjimit të MIllosheviqit, i lëshuan shtëpitë për organizim politik, për shkollat e universitetin, për pika të grumbullimit dhe shpërndarjes së materialeve mjekësore dhe artikujve ushqimorë, për të përkrahur qendrat e mjekësisë “Nëna Terezë”. Me qindra mjekë e infermierë ishin mobilizuar. Kishte një sistem të informimit brilant dhe të shpejtë, të krijuar nga njerëz që punonin pa pushim dhe pa kompensim, të cilët e organizuan një sistem që nuk është parë në historinë e krijimit të shtetit askund ne botë. Kjo arkitekturë që e kishte bazën në çdo fshat e në çdo lagje, në secilën pore të jetës, të krijuar nga intelektualë e profesionistë të zotë. Ishte një mekanizëm gjigand që e kishte bashkuar gjithë popullin dhe kishte krijuar evolucionin e pakthyeshëm politik, por edhe të artikulimit të vizionit për shtetin.

Këta mekanizma krijuan për herë të parë edhe filtrat të cilët nuk lejonin të përfshiheshin dhe i përjashtonin ata që mendonin që një bashkëpunim me regjimin apo në çfarëdo lidhjejë me selinë e Millosheviqit mund të ishtin zgjidhja e problemit. E gjithë kjo u udhëhoq nga një kastë politike e intelektuale, e udhëhqur nga Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Mark Krasniqi, Nekibe Kelemendi, Kole Berisha… dhe shumë të tjerë, burra e gra të zotë e të palodhshëm, trima e patriotë. Ata i rezistuan gjithashtu kërkesës djallëzore të Tugjmanit, për të hyrë në luftë dhe për ta drejtuar gjithë makinerinë e Millosheviqit drejt Kosovës, aty ku kishte nisur më 1989. Ata e refuzuan po ashtu kërkesën dhe ndërmejtësimin për të hyrë në zgjedhje të Jugosallvisë së mbetur, sepse e kishin të qartë se Kosova dhe populli i saj do të përdoreshin për t’i qëruar hesapet në Beograd. Ky skenar ishte parë më 1945/46. Në ndërkohë UÇK-ja kishte dalë në skenë dhe atëherë Rugova kërkoi që Kosova të mos përfshihej në skenarin që do t’i shërbente Millosheviqit dhe makinerisë se tij justfikimin për masakrimin dhe përdorimin e strategjisë së “Tokës së Djegur”, e cila kishte për qëllim pastrimin e Kosovës nga shqiptarët një herë e përgjithmonë, i cili ka qenë qëllim shekullor i qeverive fashiste serbe. Ai dhe i gjithë ekipi udhëhës i Republikës së Kosovës e ndau UÇK-në e Adem Jasharit nga ata që thirreshin në emër të UÇK-së, të cilët i pamë tashmë se kush janë. Për të mos lejuar bashkimin e Rezistencës paqësore me kundërshtinë e armatosur dhe me themelimin e Minsitrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, qarqet e afërta me UDB-në e nisën fushatën kundër Rugovës dhe LDK-së dhe, në bashkëpunim me Fatos Klosin, e eliminuan minsitrin e Mbrojtjes, z. Ahmet Krasniqi, dhe vepruan aktivisht për të mbjellë urejtje mes formacioneve të armatosura. Pjesë e kësaj makinerie kanë qenë edhe Adem Demaçi e Rexhep Qosja.

Rugova dhe ekipi i tij e kuptuan mirë që infiltrimi i nëntokës së marksistë-leninistëve dhe njerëzve të subordinuar nga UDB-ja po paraqiteshin kinse po luftonin për interesin e popullit dhe të vendit, por, në fakt, shumë prej tyre u bënë pjese e kalkulimeve, kurse disa të tjerë u manipuluan rëndë duke mos pyetur pse gjithë kjo urrejtje ndaj atyre që e udhëhoqen procesin e bërjes dhe ndërkombtarizimit të shtetit. Edhe në Rambuje u pa se, në fakt, ndërkombtarizimi i çështjes së Kosovës, që ishte bërë për më shumë se një dekadë, me të gjitha raportet e mundshme e të detajuara, me organizimin e diasporës dhe me punën e palodhshme të Enver Malokut dhe Qendrës për Informim të Kosovës që e udhëhiqte rrjetin e saktë dhe të përpikët të informimit në çdo fshat e lagje, me raportet e Bajram Kelemendit dhe bashkëpunetorëve të tij të rrjetëzuar në gjithë vendin, së bashku me KLMDNJ-në, e kishin arritur pikën e suksesit. Bota e dinte tashmë çfare po ndodhte dhe kush ishte Millosheviqi, qysh nga Bosnja dhe Kroacia, prandaj mobilizimi ndërkombëtar ishte shumë më i lehtë.

Sinteza e një shteti që vepronte me sukses paralel me pushtuesin, por shtonte simpatinë ndërkombtare, bashkë me luftën e UÇK-së së vërtetë, arriti që bashkësinë ndërkombtare të udhëhequr nga SHBA-të, ta sjellë Serbinë në Rambuje, para aktit të tërheqjes së plotë apo bombardimit.

Protesta e 1 Tetorit nuk shënon fillimin dhe as fundin e Ibrahim Rugovës. Përkundrazi. Me gjithë qëllimin e mirë naiv, ajo thelloi konfuzionin dhe krijoi hapësirë për të mos pasur kontroll të plotë ndaj zhvillimeve në vend, kështu që Serbia përdori çdo mjet për ta pastruar Kosovën etnikisht. Mbi 10 mijë shqiptarë u vranë, kurse mbi 1 milion të tjerë u përzunë me dhunë nga Kosova dhe u shpërndanë anekënd botës. Po të mos nënshruhej marrëveshja e Rambujesë dhe po të mos ndodhte intervenimi i NATO-s, për çfarëdo arsyesh, sot e dimë më mirë se sa e mundur ka qenë që një intervenim i tillë të mos ndodhte. Sot shqiptarët e Kosovës do të ishin të shpërndarë nëpër kampe refugjatësh në shumë vende të botës, njëjtë siç janë palestinezët dhe sirianët.

Këmbgulësia e Thaçit dhe Demaçit për të mos e nënshkruar marreveshjen në Rambuje (lexo librin e Madelaine Albright) ka qenë treguesi më i mirë se çfarë po përgatitej dhe kush në fakt janë këta njerëz, disa të shitur e disa të tjerë naivë.

Qytetarët e kanë ditur këtë mirë qysh në fillim, sepse u dhanë përgjigje në zgjedhjet e para të pasluftës, duke zgjedhur me shumicë dërmuese të votave Rugovën dhe njerëzit që e udhëhoqën Kosovën edhe në fije të perit pqërballë makinerisë vrasëse e fashiste të Millosheviqit, të përkrahur edhe nga disa qendra evropiane që po zbulonin planet për bombardim dhe po tentonin ta sabotonin koncensusin e NATO-s për ndërhyrje. Ata e ndanë Kosovën në Mitrovicë dhe, më vonë, siguruan kontrata të majme për vete, duke e varfëruar Koosovën.

Krejt kjo nuk është kaq e lehtë të thuhet, siç flet sot Bujar Dugoll, i cili pas protestave të 1 Tetorit u bë njëri “i rëndesishëm” që me pak pushtet po sillej si l plotëfuqishëm. Më kujtohet varrimi i Cen Dugollit në Ferizaj dhe sjellja e “liderëve” të “lëvizjes studentore”, që po përpiqeshin të ngriteshin edhe përmes varreve. Gjithashtu, e mbaj në mend Bujar Dugollin edhe si ministër, posaçërisht rolin e tij në komercializimin e “Ferronikelit”. Gjithashtu,  e dijmë mirë përse Universiteti i Prishtinës sot është një gërmadhë e korrupcionit dhe favorizimeve. Nuk i takon Bujarit të flasë për historinë e lëvizjeve studentore. Ai ka qene aty rastësisht, ashtu siç është edhe sot. Ndërsa Albini nuk guxon ta bëjë gabimin që e ka bërë në vazhdimësi.

Ka pasur protesta edhe më mirë të organizuara. Ndryshe, Mihajl Kertes nuk do të na i priste gishtërinjtë. Falja e gjaqeve ka qenë protestë. Demonstrimet kundër vrasjes së shqiptarëve në kazermat e ushtrisë jugosallave, kanë qenë protestë. Kortezhet e cerenomitë mortore masive të shqiptarëve të vrarë nëpër burgjet e Serbisë kanë qenë protestë. Protestë kundër pushtuesit kanë qenë edhe veprimet e punëtorëve, edhe organizimi sindikal, edhe solidariteti me familjet e zhvendosura brenda Kosovës. Protestë kanë qenë edhe ngjarjet kulturore dhe përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar.

Historia nuk ka filluar dhe nuk mbaron me ne. Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij të vrarë me qëllim që të eleminoheshin nga jeta politike e publike, si edhe ata që janë gjallë po nuk janë përfshirë në organizimin politik e në strutkurat drejtuese të shtetit, kanë qenë dhe mbeten vizionarët më të mëdhenjë të Lirisë dhe Pavaresisë së Kosovës.

Comment

*