Protesta në Serbi kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale

Beograd, 4 prill 2017 – Në Beograd, për të dytën natë me radhë, po mbahet “protesta kundër diktaturës”, në të cilën qytetarët serbë janë thirrur përmes rrjetit social Facebook.

Të martën pasdite, mbi njëmijë nxënës të shkollave të mesme dhe studentë protestuan edhe në qendër të Çaçakut.

Ata bartnin parulla me mbishkrimet: “Stop diktaturës”, “Merr përgjegjësi e jo sanduiç”, “Liri mediave”, “Vuçiq nuk është presidenti im” e të tjera.

Përmes Facebookut janë paralajmëruar tubime të ngjashme, në të njëjtën kohë, edhe në Novi Sad, Llazarevac, Nish dhe Novi Pazar, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Protestuesit shprehin pakënaqësi ndaj fitores së kryeministrit aktual, Aleksandar Vuçiq, në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, të mbajtura të dielën, më 2 prill.

Protesta kundër fitores së Vuçiqit u mbajtën edhe të hënën në Beograd, në Nish, në Novi Sad dhe në Suboticë.

Vuçiq i fitoi zgjedhjet me më shumë se 55 për qind të votave. Ai tha se protestat kundër rezultatit zgjedhor “janë në rregull, derisa janë të qeta”. (r.m.)

Comment

*