Protesta për lirimin e Haradinajt në gjashtë qytete të Kosovës

Prishtinë, 11 janar 2017 – Në gjashtë qytetet kryesore  të Kosovës (Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj, Pejë, Gjakovë dhe Prizren) janë zhvilluar protesta me kërkesën kryesore për lirimin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet në paraburgim nga autoritetet franceze, sipas një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.

Protestat me moton: “Haradinaj është Kosovë” dhe “Kriminelët kërkoni në Serbi” u organizuan nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 5 minuta para orës 12:00.

Në protestën e organizuar në Prizren, kryetari i degës së AAK-së, Lulëzim Kabashi, ka thwnw se Serbia po përpiqet që të paraqes vetën nga agresori në viktime të luftës së fundit, çka sipas tij, u dëshmua edhe me rastin e fletë-arrestit dhe ndalimit të Haradinajt nga autoritetet franceze.

“Kjo ndalesë e ish-komandantit të UÇK-së, ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk ishte e rastësishme, ishte kryekëput politike për të fyer një njeri i cili i doli në ballë një procesi të dëmshëm siç ishte rasti me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, një njeriu i cili i dha grushtin vendimtar marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka thënë Kabashi.

Protesta në ngjashme janë mbajtur edhe në Tiranë dhe Shkup, kurse javën e kaluar një protestë e tillë është organizuar në Prishtinë.

Ramush Haradinajt, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministër i Kosovës dhe ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ndaluar më 4 janar nga autoritetet franceze mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.

Ministria e Drejtësisë në Serbi ia ka dorëzuar të martën organeve të drejtësisë në Francë kërkesën për ekstradim të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Me kërkesën për ekstradim organeve franceze të drejtësisë I është dorëzuar edhe dokumentacioni përcjellës i përkthyer në gjuhën frënge në bazë të të cilit “drejtësia franceze do të vendos nëse janë përmbushur të gjitha kërkesat për ekstradim të Haradinajt në Serbi”.

Në anën tjetër, pala mbrojtëse e Haradinajt ka kërkuar lirimin me kusht të tij, deri në përfundimin e procedurave.

Pritet që Haradinaj të paraqitet të enjten para gjykatës ku do të shqyrtohet lënda ndaj tij, raporton Radio Evropa e Lirë. (r.m.)

proteste-kunder-arrestimit-te-haradinajt_5

Comment

*