Protestë kundër dhunës ndaj grave, policia fajësohet për vrasjen e dyfishtë në Brekoc

Prishtinë, 10 gusht 2018 – Familjarët e Valbona Markut, gruas 49 vjeçare, që u vra bashkë me vajzën e saj 9-vjeçare nga ish bashkëshorti i saj, në fshatin Brekoc të komunës së Gjakovës, i kanë akuzuar organet e rendit se kanë dështuar t’i mbrojnë të afërmit e tyre.

Sipas tyre, Valbona e ndjerë e kishte paralajmëruar policinë se ajo ishte kërcënuar nga ish-bashkëshorti, por policia nuk kishte ndërmarrë asgjë për mbrotjen e saj.

Shkelzen Marku, vëllai i viktimës Valbona Markut, ka thënë se pikërisht ditën e kobshme kishte kërkuar mbrojtje për motrën e tij.

“Pikërisht atë ditë, personalisht kam kërkuar mbrojtje për motrën, kam qenë në Polici katër orë. Reagimi i tyre ka qenë zero. Kanë thënë se nuk kemi prova të mjaftueshme. Kam paralajmëruar se personi i dyshuar për vrasje ka armë në makinë dhe se asnjëherë nuk ka udhëtuar pa kallashnikov. Ky është shteti që kemi”, ka thënë Marku.

Në Gjakovë sot është mbajtur një marsh protestues, ku, është kërkuar përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse për këtë rast dhe për rastet tjera të dhunës në familje.

Pjesëmarrës në marsh, të cilin e ka organizuar Rrjeti i Grave të Kosovës, përveç familjarëve, kanë qenë të pranishëm edhe fëmijët e viktimës.

Kundër vrasjes së nënës dhe së bijës, si edhe kundër dhunës ndaj grave në përgjithësi, gjatë marshit protestues në Gjakovë ka reaguar edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ajo e ka akuzuar sistemin për pasigurinë e grave jashtë shtëpisë dhe në familjet e tyre.

“Kriminaliteti i Pjetër Ndrecaj dhe burrave tjerë që i mbysin gratë mundësohet nga një sistem i tërë që i ka rrënjët në pabarazi dhe diskriminim. Një sistemi që është i paaftë dhe i papërkushtuar për të adresuar seriozisht shqetësimet, kërcënimet, paralajmërimet e shumta të grave për dhunën, që ato i nënshtrohen në mënyrë të vazhdueshme”, është shprehur Jahjaga

Vrasjen e dyfishtë në Brekoc të Gjakovës e kanë dënuar ashpër organizatat për të drejtat e njeriut dhe institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.

Ndërkohë, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë thënë se në ditën kritike, viktima nuk ka kërkuar urdhër mbrojtje.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë Rajonale të Gjakovës, Ahmet Hasi, në një konferencë për media, ka treguar se ditën kritike viktima kishte njoftuar me anë të një mesazhi në telefon se ishte kërcënuar nga ish-bashkëshorti, por policia nuk ka aritur të zbulojë vendndodhjen e tij.

“Bazuar në deklaratën e viktimës, në koordinim dhe bashkëpunim më Prokurorinë e Shtetit, është hapur rasti kanosje. Policia menjëherë ka filluar masat për kërkimin, respektivisht arrestimin e të dyshuarit, duke kërkuar fillimisht në shtëpinë e tij dhe lokacione tjera ku zyrtarë policorë kanë pasur informacione që mund të gjendet i dyshuari në fjalë. Në pamundësi të gjetjes dhe arrestimit të tij, është provuar disa herë të kontaktohet edhe në telefonin e tij, por pa sukses”, ka deklaruar Hasi.

Të premten, Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit Pjetër Nrecaj, i dyshuar për vrasjen e dyfishtë.

Me kërkesë të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet ndaj policëve për të parë nëse ka pasur lëshime në rastin e vrasjes. (r.m.)

Comment

*