PSD-ja mbledh nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për dialogun

Prishtinë, 6 gusht 2018 – Partia Sociademokrate e Kosovës do të nisë nënshkrimin e së paku 40 deputetëve për të ftuar mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku do të diskutohej lidhur me dialogun me Serbinë.

Kjo është mundësia e fundit e PSD-së për të çuar përpara propozimin e saj për mirayimin e një rezolute dhe për hartimin e platformës për bisedime me Serbinë, pas kërkesa e saj drejtuar kryesisë së kuvendit ka marrë përgjigje negative nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

Në përgjigjen që Veseli ia ka dërguar shefit të deputetëve të PSD-së, Dardan Sejdiu, thuhet se Kuvendi e ka përmbyllur sesion pranveror më 30 korrik dhe do të fillojë sesionin vjeshtor në javën e dytë të shtatorit.

Por, Veseli i ka sugjeruar grupit parlamentar të PSD-së të shterojë edhe një mundësi, atë që bazohet në nenin 69 të Kushtetutës, ku parashihet që seanca e jashtëzakonshme të thirret edhe nga së paku 40 deputetë, të cilët do ta kërkojnë këtë përmes nënshkrimeve.

Shkodran Hoti nga Zyra për media e PSD-së ka thënë se mbledhja e nënshkrimeve të deputetëve për të kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit do të nisë qysh nesër (e martë).

Ai ka thënë se nuk di se si do të veprojnë partitë tjera opozitare, por thekson se kjo është një mundësi e mirë që opozita të mbajë qëndrim të njëjta lidhur me dialogun.

Por, kërkesa e PSD-së vështirë se do ta marrë mbështetjen e dy partive tjera opozitare, Vetëvendosjes nga e cila ka dalë ajo, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Vetëvendosje e ka shprehur tashmë qëndrimin e saj kundër, duke e quajtur joserioze dhe hipokrite PSD-në.

Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se PSD-ja nuk e kishte kundërshtuar shkluarjen e Kuvendit në pushim, as në Kryesinë e Kuvendit e as ditën që dështoi votimi i rezolutës së propozuar prej saj për mungesë kuorumi.

“PSD-ja tashmë e ka uzurpuar pozicionin e nënkryetares në Kryesinë e Kuvendit, andaj të paktën tani le t’i shfrytëzojnë të gjitha të drejtat dhe mundësitë që ia jep Rregullorja e Punës. Ata duhet të kuptojnë, po ashtu, që ne, si grup, kemi propozuar pika për votim lidhur me dialogun dhe atë si në vijim:

  1. Të ndërpritet formati aktual i dialogut me Serbinë
  2. Askush në emër të Kosovës nuk mund t’i negociojë çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës
  3. Reciprocitet i plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë
  4. Reciprocitet i të drejtave të popullit shqiptar në Serbi me popullin serb në Kosovë
  5. Padi për gjenocid kundër Serbisë
  6. Hashim Thaçi është person jokredibil për ta udhëhequr dialogun e ardhshëm me Serbinë.

Nëse këto nuk përfshihen në rezolutë, s’ka kuptim asnjë rezolutë tjetër”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Kohavizion ka pyetur edhe në Partinë Demokratike të Kosovës se si do të veprojë grupi i saj parlamentar lidhur me këtë iniciativë dhe nëse deputetët e saj do të vënë nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se është jashtë vendit dhe nuk është në dijeni për iniciativën e PSD-së.

Më herët, Lidhja Demokratike e Kosovës këmbëngul se koalicioni qeveritar aktual nuk ka legjitimitet ta përfaqësojë Kosovës në Dialogun me Serbinë, prandaj insiston që së ekipi negciator i Kosovës të emërohet pas zgjedhjeve të reja të parakohshme. (r.m.)

Comment

*