PSD kërkon hetime për Autostradën Prishtinë-Shkup

Prishtinë, 7 qershor 2018 – Partia Socialdemokrate e Kosovës kërkon që të hetohet i tërë procesi i ndërtimit të Autostradës Prishtinë – Han i Elezit.

PSD i quan tejet shqetësuese mospublikimin e kontratave dhe mungesën e transparencës së gjithë procesit.

“Për vite me radhë, buxheti i Republikës së Kosovës është orientuar gabimisht, në ndërtim autostradash tranzit, në vend se në rritje të prodhimit dhe në ngritje të mirëqenies së qytetarëve. Sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveritë e Kosovës njëra pas tjetrës, përmes vendimeve të ngutshme e të gabueshme, po e rëndojnë edhe më tepër barrën financiare të qytetarëve të Kosovës’, thuhet në deklarataën e PSD-së.

“Kontratat e fshehta dhe papërgjegjësia e krerëve institucionalë, si para qytetarëve ashtu edhe para vet kontratave të tilla, përbëjnë binomin përmes së cilit Bechtel – Enka po funksionon brenda Kosovës. Rasti i fundit i autostradës Prishtinë – Shkup është dëshmia e radhës e keqeverisjes që ka ndodhur në Kosovë për shumë vite. Vonesat në pagesa nga qeveria Mustafa u përcollën me aneks-kontratë të re të dëmshme nga qeveria Haradinaj, kontratë kjo që obligon Republikën e Kosovës për 53 milionë euro shtesë ndaj kompanisë Bechtel – Enka. Ky dënim bëhet edhe më i dyshimtë duke pasur parasysh mungesën e transparencës në kontratë. Për më tepër, kompania që e bën mbikëqyerjen e punëve nuk i ka pranuar pretendimet e Bechtelit”, thuhet në deklaratë.

“Partia Socialdemokrate kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës që sa më parë ta hetojnë gjithë procesin e ndërtimit të kësaj autostrade, që nga kontrata fillestare, e deri tek aneks-kontrata e fundit, ashtu që të gjithë përgjegjësit për keqmenaxhim të fondeve publike të dalin para drejtësisë. Republika e Kosovës nuk duhet ta paguajë dënimin ndaj Bechtelit, pa i dënuar ata që ia faturuan shumën” thuhet në deklaratën e PSD-së. (r.m.)

Comment

*