PSD kërkon që Kuvendi i Kosovës ta mbikëqyrë Dialogun me Serbinë

Prishtinë, 3 korrik 2018 – Partia Socialdemokrate (PSD) thotë se Kuvendi i Kosovës duhet të marrë rolin drejtues dhe ta mbikëqyrë procesin e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Deputeti i kësaj partie, Visar Ymeri, ka thënë se është e domosdoshme që Kuvendi të përfshihet në këtë proces.

“Ne si Parti Socialdemokrate konsiderojmë se përgjegjësia e institucioneve duhet të jetë e qartë për sa i përket procesit të dialogut dhe njëkohësisht e shohim të domosdoshëm dhe të pashmangshëm një rol drejtues dhe udhëheqës për sa i përket këtij procesi”, ka thënë Ymeri, në një konferencë për media.

Ai ka theksuar se kushdo që mendon që në këtë proces nuk duhet të vihen “vija të kuqe” e ka gabim, sepse kjo “paraqet rrezik të madh për mbarëvajtjen e dialogut dhe për marrëveshjen përfundimtare”.

Ndërkaq, nënkryetari i kësaj partie, Dukagjin Gorani, ka thënë se Kuvendi i Kosovës, duhet ta mandatojë me dy të tretat e votave bartësin apo bartësit e dialogut,  duke shtuar se ata duhet t’i japin përgjegjësi Kuvendit të Kosovës.

Gorani ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili po zhvillon bisedime me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, nuk ka legjitimitet që të jetë në krye të këtij procesi.

“Përfaqësimi është i rëndësishëm në këtë proces, pasi që posti i presidentit nuk buron nga legjitimiteti popullor, por është kompromis i politikave partiake brenda Kuvendit të Kosovës. Andaj si i tillë, këtë post nuk mund ta kuptojmë si legjitim dhe për ne është i papranueshëm”, ka thënë Gorani, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ai ka propozuar që Kuvendi të formojë një komision të veçantë për mbikëqyrjen e dialogut.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur që nga viti 2011. Sipas Bashkimit Evropian, në fund të këtij procesi, të dyja vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve e cila, pos tjerash, i çon të dyja vendet drejt integrimeve evropiane. (r.m.)

Comment

*