Pse i harron Shqipëria miqtë e vet?

            Daut Dauti

 

Gazeta “Afrimi” e cila botohej në Vlorë, në numrin e saj të datës 9 korrik 1924, boton një “In Memoriam” (përkujtim) për kolonelin Aubrey Herbert, i cili kishte vdekur disa muaj më parë.

Me plot të drejtë gazeta e cilëson Herbertin si mikun më të madh që kanë patur ndonjë herë shqiptarët. Herbert ka qenë politikan, diplomat, ushtarak dhe punëtor i shërbimit sekret britanik i cili ishte i dashuruar në Shqipërinë.

Gazeta rradhit meritat e Herbertit për Shqipërinë. Herbert, si kryetar i “Albanian Committee” kishte bërë shumë për të ndikuar në vendimet e Konferencës së Ambasadorëve dhe Kongresit të Versajit në favour të Shqipërisë.

Pas vdekjes (1923), familja e Herbertit, e njohur me emrin Carnavon, një familje sipërore aristokrate britanike, e cila në botë më shumë njihej për zbulimin e varrit të Tutankamonit, kishte vazhduar ta ndihmonte Shqipërinë. Nëna e Herbertit kishte ndërtuar një fshat për refugjatët e Kosovës dhe e kishte emëruar Herbert. Ajo kishte organizuar edhe ekonominë e këtij fshati. Fshatarët thurnin veshembathje, të cilat shiteshin në tregun britanik.

Kjo familje kishte bërë shumë të mira tjera, përfshirë ndërtimin e një shkolle dhe ndërtimin e pajisjen e një biblioteke me mbi 1000 tituj të ndryshëm.

Carnavonët e kishin zhvilluar edhe një aktivitet kundër malaries. Kontesha Carnavon (Elizabeth), nëna e Herbertit, në shumë institucione dhe familje shqiptare e kishte themeluar edhe traditën e pirjes së çajit të pasditës (afternoon tea). Nëpërmes nënës së Herbertit kishte filluar depërtimi i kulturës angleze në Shqipëri. Prandaj, për të nderuar Carnavonët, në Shqipëri ishin emëruar disa rrugë, bulevarde dhe institucione me emrin e Herbertit dhe të familjes, e cila edhe ishte dekoruar disa herë nga regjimi i Zogut.

“Shqipnia miqt e vet s’i harron kurr, por do t”i shënoj me shkrola t’arta në historiën e sajë”, thotë artikulli i gazetës “Afrimi”.

Në fakt, ka ndodhur e kundërta, thotë gazeta.

Kur komunistët e morën pushtetin i zhdukën të gjitha gjurmët e ndihmës që kishte ofruar Herbert dhe familja e tij. U shkatërrua biblioteka, shkolla, kurse fshatit Herbert iu ndërrua emri (Qerret), sikur që ndodhi me të gjitha emërtimet tjera.

Regjimi komunist nuk dëshironte të bënte me dije se Shqipërinë e kishin ndihmuar aristokratët dhe kapitalistët britanikë. Aubrey Herbert dhe familja Carnavon nuk u përmendën kurrë më.

Pra, Shqipëria i harroi miqt e vet.

Për fat të keq, kjo harresë vazhdon edhe sot, edhepse më nuk ekziston regjimi komunist.

No automatic alt text available.

Comment

*