Publikohet dëshmia e Dëshmitarit X: “Kam punuar me grupin e Agron Xhafajt”

Tiranë, 17 maj 2018 – Partia Demokratike ka publikuar dëshminë me zë e figurë të Albert Veliut (Dëshmitarit X) i cili e ka akuzuar drejtpërdrejt Agron Xhafajn si kokën e një organizate kriminale të trafikut të drogës.

Publikimi ka dalë pas fjalës së liderit Lulzim Basha, i cili është shprehur se ka prova për implikimin në trafikun e drogës për vëllain e Ministrit të Brendshëm.

Dëshmitari Veliu është shprehur se dikur ka punuar si skafist e më pas në grupin e drogës së Agron Xhafajt në vitet 2000. Ai ka treguar se ka bërë burg dhe në atë kohë Agron Xhafaj nuk e ndihmoi. Veliu ka thënë se e kishte vendosur që t’ia kërkonte një nder Agron Xhafajt. Ai ka treguar se, disa muaj më parë, i ka kërkuar drogë Agron Xhafajt dhe ndihmë për të kaluar rreth 100 kilogramë hashash..

 

Dëshmia e Albert Veliut

 

Dëshmitari X: “Unë jam Albert Veliu, 51 vjeç. Jam pa punë, jetoj me rrogën e djalit. Kam qenë në Itali, kam punuar në det në vitet ’93-’99, në 2000 u shkëputa në Itali dhe punova mke grupin e Agron Xhafaj deri në 2002. Shisnim kokainë në Itali.  Kam punuar shoqërues gomoneje, por hoqa dorë në 2000-tën se nuk e përballoja dot më. Shpëtova dy herë nga vdekja.

Agronin e njoh që në ’99 me anë të një mikut tim, Ardin e repartit. E kam njohur me anë të punës në Itali. Komandonim punën që merrnim mallin dhe e shisnim. Në 2005 më ndodhi një aksident në punë dhe kreva një dënim prej 7 vjetësh. Akuzohesha për 12 kg kokainë, u kapa në Peskara.

Bëra dënimin që më takonte, në shkallë të parë mora 15 vjet burg, Apeli ma la 8 vjet, 1 vit kisha bërë burg, mora 7 vjet. Nga Agroni  më mbeti qejfi. Nuk më solli një paketë cigare si shok, aq sa kemi bërë për njëri-tjetrin. Kur dola nga burgu erdha në  Shqipëri dhe e takoj.

Më ofroi gjoja një punë për djalin kamarier, në 2016. Në këtë vit filloi punë djali 22 vjeç, punoi 6 muaj kamarier, se përballoi dot ekonominë e shtëpisë dhe e hoqa. Para 5-6 muajsh i kërkova të më bënte një nder, katër muaj ka, tani më kujtohet, për të hedhur barishte për Itali, hashash.

Do e çonim në Itali. I kërkova favor dhe më çoi tek Ermali. Dhe e vura në provë. Kur u bë gjithçka gati për tu bërë rruga.

Do ta çoja në Itali, i kërkova një favor të më prezantonte me Ermalin sepse isha keq nga gjendja ekonomike. 

E vura në provë, sa bën për mua si Albert. U bë gjithçka gati për tu bërë rruga, nuk e bëra këtë rrugë se kisha bërë 7 vite dënim dhe dua të jem i pastër në këtë shtet. I kërkova nderin por nuk e bëra atë rrugë sepse nuk doja ta vazhdoja këtë lojë biznesi, vetëm e vura në provë për ta zhveshur se kush është Agron Xhafaj. Vajta dhe e takova se më kishte mbetur qejfi, kur rashë në burg të Italisë nuk më solli një paketë. 

Agron Xhafaj është biznesmen dhe komandon Vlorën, me dyqane, nga porti. Me hashash është marrë tërë kohën jo vetëm me mua por edhe shumë të tjerë.

Mua m’u përgjigj, u tregua korrekt. Tha:  sille. Ermali është shef kufiri. Kisha informacione nga miqtë e mi që Agroni punon dhe bën.Mua më dha drejtim tek Ermali, skafisti me nofkën “Nake”. E vura në provë se ashtu më la edhe mua në baltë dhe më ktheu kurrizin dhe unë e vura në provë dhe ja ktheva kurrizin.

Siç ja bën një njeriu ashtu do ta pësosh. Sot ai është dikushi, unë jam pa bukë në shtëpi.

Iu drejtova atij se me atë më kishte lidhur jeta. Kishte lidhje me policinë, me drejtorin e Vlorës bëhej shpesh dhe me këtë shefin e kufirit. Punët e tyre.

Unë do të çoja 100 kg, arrita të bëja 20, me lekë borxh. Më ofronte transportin dhe të gjitha.

Nuk kisha frikë se rrugët ishin të hapura. Agroni më tha kur të vijë dita do të shkosh të takosh Ermalin. Ditën që u bëmë gati për rrugën u bë nami në Vlorë, ka pasur përmbytje, deti 7-8 ballë. Është vështirë tha, kanë ndodhur shumë probleme dhe nuk mund të vazhdojmë më tej. Unë nuk e hidhja atë mall.

Pyetje: Pse e bëre prove?

Veliu: E bëra se më la në baltë dhe më ktheu kurrizin dhe unë e bëra. I ktheva kurrizin.  Siç ia bën njeriut ashtu do të të bëhet.

Pse u dorëzua tek PD-ja?

Erdha tek PD se kam besim. Me politika nuk jam marrë. Ditën e parë që doli përgjimi më tha djali: “Baba, je bërë figurë e njohur në Vlorë. Isha me miqtë e mi, po pija kafe. Pronari i djalit më tha është zëri jot. Sot që flasim i kishin vajtur djalit tek puna. Shefi  i krimeve, Alketi, i kishte thënë dua të takoj babain që të kalojë në mbrojtje. Nuk dua mbrojtje. Kush ka urdhëruar? Ku doli emri im? Janë fakte reale, si zëri që kemi folur. Gjithmonë e ha fukarai .Çoje ku të duash, ai zë është. Nuk kam lidhje me përgjimin. Atë e kanë përgjuar të tjerë. Nga ka ardhur, e gjen Agroni.”

***

Basha: Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj, në bashkëpunim me Prokurorinë e në bashkërendim me strukturat kriminale, kanë vënë në lëvizje një skenar kriminal. Skenari është ky:

  1. moho përgjimin,
  2. kap, josh ose likuido dëshmitarin e familjen e tij,
  3. shkatërro provat
  4. akuzo opozitën.

Skenari ka dy qëllime, mbrojtjen e Agron Xhafajt dhe shpëtimin e Fatmir Xhafajt nga pasojat ligjore e politike.

Për të realizuar këtë skenar Agron Xhafaj as nuk është arrestuar nga prokuroria e as nuk është ndaluar nga policia kufitare. Asnjë procedim nuk është nisur për faktin se ai vijon trafikun e drogës. Ai është përcjellë me nderime policore drejt Italisë dhe qëllimi nuk është vuajtja e dënimit në Itali. Qëllimi i largimit të Agron Xhafajt është për të kryer alibinë se përse prokuroria e Ramës e policia e Xhafajt nuk e ndalojnë e procedojnë dot ligjërisht për trafikun aktual të drogës.

Rama e Marku prej 72 orësh po ushtrojnë terror ndaj familjes së dëshmitarit e vetë dëshmitarit. Presion po ushtrojnë dhe trafikantë droge e ushtarë të Agron Xhafajt. Qëllimi është vetëm një, kompromentimi me çdo kusht i dëshmitarit për dëshmitë e tij tronditëse për Agron Xhafajn.

Shqipëria është i vetmi vend në botë ku policia e prokuroria në vend që të arrestojnë kriminelët marrin të gjitha masat për ta larguar në fshehtësi e urgjencë nga vendi.

Të gjitha këto nuk do të arriheshin nëse Fatmir Xhafaj do të largohej nga posti i tij i Ministrit të Brendshëm, por ai është akoma ministër për të garantuar zbatimin e këtij skenari kriminal. Rama dhe Xhafaj gënjyen dje shqiptarët kur hodhën poshtë dëshminë kundër Agron Xhafajt. Ata e dinin që të hënën nga Agron Xhafaj kush është dëshmitari X dhe ata bënë gjithçka për ta terrorizuar, joshur e kompromentuar atë.

(Ora News / Gazeta Express)

Comment

*